Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e edicionit të 24-t të panairit ndërkombëtar “Klik Ekspo Grup”

”Shqipëria është një vend që po i hapet botës, sëbashku me bukuritë e saj të paçmuara, në një prej këndeve më të fshehtë, por gjithnjë e më joshës të kontinentit të vjetër. E megjithatë bukuria nuk është arsyeja e vetme për të investuar në këtë vend.”

Këto fjalë i lexova në fletëpalosjen prezantuese të miqve të “Klik Ekspo Grup”.

Jam shumë i nderuar sot, që të jem i ftuar në këtë edicion të 24-t të këtij panairi, i cili çdo vit e më shumë i ngjan ambicies që organizatorët e tij patën në vitin 1994, kur guxuan të imagjinojnë një aktivitet të tillë në kushte të pakrahasueshme me asgjë me kushtet e sotme. Besuan te potenciali i ekonomisë së këtij vendi, kur mbase numëroheshin me gishtat e dorës, ata që besonin se vërtet në ato kushte mund të merrte udhë një nismë si “Klik Ekspo Grup”, e cila sot është materializuar me një Edicion të ri, me një prani shumë e shumë herë jo vetëm më të madhe, por me një prani shumë e shumë herë më të larmishme.  

Nëse sot, Shqipëria është një vend krejt tjetër, besoj që edhe themeluesit e nismës për këtë panair ndërkombëtar mund të thonë me krenari se kanë kontributin e tyre. Natyrisht, pavarësisht kushteve që kanë ndryshuar rrënjësisht krahasuar me 24 vite më parë, sfidat janë të mëdha, janë shumë më komplekse dhe vetëm fuqia e imagjinatës dhe fuqia e besimit mund të na bëjë të gjithëve që t’iu qasemi sfidave me mundësinë reale për t’i fituar ato.

Sot, Shqipëria nuk është një tabula rasa, siç ishte në edicionin e parë të këtij panairi, ku gjithçka niste nga e para, ku gjithçka duhej ndërtuar nga e para dhe ku nga e para u ndërtuan edhe themelet për panairin dhe sot, biznesi shqiptar është një realitet i ri i historisë së vendit tonë. Një realitet i konsoliduar dhe produktet “Made in Albania” janë duke u zhvilluar dhe duke u rritur, qoftë përsa i përket zgjerimit, qoftë përsa i përket fuqisë me ritme të konsiderueshme dhe çdo vit e më të larta.

Sot, kompanitë e huaja që vijnë në vendin tonë jo vetëm mund të gjejnë mundësi të reja investimi, por mund të gjejnë dhe partnerë të besueshëm, të ditur, të guximshëm, me të cilët mund të bashkohen dhe të synojnë realizimin e ambicieve për të investuar dhe për të fituar përmes sipërmarrjes në këtë vend.

Më vjen shumë mirë të sjell një shembull, ndër plot të tillë. Një vit më parë, këtu në Tiranë u themelua Dhoma e Përbashkët e Tregtisë, Shqipëri-Serbi. Disa muaj më vonë, në gazetat e Serbisë shkruhej për sipërmarrësit shqiptarë që kishin vizituar atë vend me qëllim interesimin e drejtpërdrejtë lidhur me investimet e mundshme, por edhe për të kuptuar potencialin e zgjerimit të përbashkët të bizneseve të njëjta, ose të përafërta me njëra-tjetrën. Brenda vetëm pak muajsh nga ai moment kemi një numër kompanish me kapital të përbashkët, që synojnë të zgjerohen jo vetëm në Shqipëri, apo në Serbi, por në mbarë tregun rajonal. Ky është një shembull konkret i potencialeve të pashfrytëzuara për të investuar, për të nxitur rritjen e ekomomike, për të ofruar punësim real dhe për të ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies.

Pjesëmarrja e këtij viti në panair është jo vetëm më e madhja në larminë e vet, sesa çdo herë tjetër, por - mbase duhet të merrja më parë autorizimin e Elonës dhe të Luanit, - pa autorizim mund të them se fakti më domethënës është se procesi për hyrjen në panair bëhet gjithmonë e më i vështirë dhe më selektiv. Pra, jo kushdo, siç mund të ndodhte në 94-ën, në ’95-ën, apo në ‘96-ën, që troket në dyert e këtij panairi për të ekspozuar, mund të ekspozohet pa përmbushur kritere gjithnjë e më komplekse dhe standarde gjithnjë e më të larta. Gjë që tregon se nga një anë, reputacioni i panairit është në një nivel tjetër, por, nga ana tjetër, hyrja në dyert e tij nuk është më aq e lehtë saç ishte dhe çdo vit e më e vështirë, për shkak se ka shumë kërkesa dhe shumë mundësi zgjedhjeje.

Janë 24 shtete që sot përfaqësohen në stendat e panairit, përmes 263 markave ndërkombëtare, të cilat i shtohen më shumë se 150 kompanive lokale të pranishme. Harta e vendeve pjesëmarrëse përfshin jo vetëm të gjithë rajonin, një pjesë të konsiderueshme të Europës, SHBA-në, Kinën dhe deri Zelandën e Re.

E sjell këtë fakt për të thënë se kjo prani sigurisht lidhet me meritat e panairit, por lidhet edhe me interesimin për Shqipërinë, lidhet edhe me dëshirën për të parë mundësitë e shtrirjes në këtë treg ku, pavarësisht mjegullës me të cilën ne jemi të dënuar të jetojmë për shkak të një politike që nuk jeton dot pa nxjerrë tym edhe aty ku s’ka zjarr, konsumi rritet në mënyrë të qëndrueshme, fuqia blerëse dhe zgjerimi i dëshirave të interesave të konsumatorëve janë në një rritje të qëndrueshme. Pra, është një treg më i hapur se asnjëherë, është një treg konkurrues, është një treg i mbrojtur shumë më tepër nga sa thuhet dhe nga sa shkruhet përsa i përket mundësisë për të bërë biznes, duke investuar në Shqipëri. Është një treg që padiskutim është në proces të vazhdueshëm integrimi rajonal dhe më gjerë.

Një tjetër atraksion i rëndësishëm i Panairit është Pavijoni i Republikës Popullore të Kinës, që në këtë panair ka sjellë Këshillin Kombëtar për Promovimin dhe Nxitjen e Investimeve. Kina është shumë e madhe, Shqipëria është shumë e vogël dhe nëse Shqipëria nuk do të ishte një vend tërheqës për investimet, pa asnjë diskutim do të ishte një humbje kohe për Këshillin Kombëtar të Promovimit dhe Nxitjes së Investimeve kineze që të angazhohej për të marrë pjesë në panairin e këtij vendi, që është një lagje e një qyteti mesatar të Kinës.

Ka një të dhënë që besoj i bashkon këto interesa, që është konsiderata për vendin dhe për kryeqytetin tonë, si një pikënisje sa i përket tregut rajonal dhe mundësive për të investuar, duke përfituar nga kostot ende shumë të ulëta të punës dhe të prodhimit, krahasuar me kostot në vende që janë më të zhvilluara.

Ndoshta do duhej e gjithë nata për të numëruar pavijonet tradicionale, që nga pavijoni i Italisë me mbi 50 kompani që janë të prezantuara, deri tek pavijonet e Çekisë, Hungarisë, Kroacisë, Turqisë, Greqisë e me radhë.

Ndërkohë, edhe sallonet monosektoriale në hollet kryesore orientohen nga aspekte që kanë një rëndësi strategjike për zhvillimin tonë ekonomik, duke filluar nga energjia deri tek tregu i sigurimeve dhe mbrojtja e siguria.

Nëse e fillova me fletëpalosjen, po e mbyll përsëri me ata që kanë meritën që ne jemi këtu dhe për të qenë shumë të qartë, mu dha fjala, por ndonjë meritë nuk i njoh vetes për këtë sukses, duke nënvizuar diçka që lidhet me sloganin “Ballkani si tokë e kontrasteve, sot një tokë e premtuar”. Jam i bindur që jemi në një proces të shëndetshëm, për të konfirmuar këtë slogan vizionar, të përdorur nga organizatorët  e panairit.

Shumë faleminderit për vëmendjen! Respekt dhe mirënjohje për gjithë punën tuaj, për gjithë këtë rrugë të gjatë që keni përshkuar me jo pak mundime dhe me sakrifica, që besoj do i takojnë Elonës t’i shkruajë, kur ndonjë ditë ndoshta do të vendosë t’ia lërë Luanit të gjithë barrën e organizimit të panairit, por për momentin gëzojuni suksesit. Ka kohë për të rrëfyer mundimet dhe sakrificat.​

Er.K/Shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Plas sherri mes Arta Kabashit dhe Bardhit, reagon e motra e këngëtares: Kam qënë dëshmitare kur ju ka uruar