Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me ushtarakët: 

Mirëmbrëma të gjithëve! 

Shumë faleminderit për këtë mikpritje! 

Në fakt, unë do të doja ta nisja këtë komunikim me ju, aty ku e lashë një komunikim javor, lidhur me ato që kemi bërë dhe me shprehjen e pakënaqësisë time për atë që kemi mundur të arrijmë. Sepse shumë njerëz, - mesa vura re, - reaguan në mënyrë të papritur për mua, se si ka mundësi që unë të jem i pakënaqur me qeverinë dhe me qeverisjen tonë. 

Patjetër që ka shumë arsye për t’u ndjerë krenarë për çka kemi bërë, por fjala kënaqësi është një fjalë shumë e madhe në raport me qeverinë dhe qeverisjen, nëse mbajmë parasysh jo pikën nga u nisëm, por pikën ku duhet të mbërrijmë. 

Si mund të jem unë i kënaqur me qeverinë dhe qeverisjen, përsa kohë ka ende kaq shumë njerëz që janë në kthetrat e varfërisë, ose që kërcënohen nga varfëria! 

Patjetër është diçka që të tjerët s’e kanë bërë më parë, që në harkun e katër viteve, afro 1 miliardë dollarë spostohen nga arka e shtetit në arkën e familjeve në formën e uljes së taksave, në formën e mosmarrjes së parave për kujdes shëndetësor, apo në formën e rritjes së rrogave e pensioneve së fundmi. 

Nuk diskutohet që nuk është pak, por si mundet të jemi të kënaqur dhe të përdorim fjalën kënaqësi, nëse sot e gjithë ditën nuk janë pak fëmijët shqiptarë që kërcënohen nga analfabetizmi për shkak të mungesës së një shkolle dinjitoze, apo të distancave që duhet të përshkojnë çdo ditë, për të shkuar deri në shkollë! 

Patjetër që nuk është pak që sot, Shqipëria të mos jetë duke e ndjekur nga pas gjithë zinxhirin e korrupsionit, por të jetë në një betejë të gjithanshme kundër korrupsionit. Ama, si mund të jemi të kënaqur, ndërkohë që jo vetëm nuk është sekret, por nuk ka shqiptar që nuk e di se ende sot e gjithë ditën nuk është e sigurt, që të marrësh një shërbim nga shteti dhe të mos jesh i detyruar të paguash. 

Nëse distanca me Shqipërinë që kishim na bën të ndjehemi krenarë për çka kemi bërë, distanca me Shqipërinë që duam, patjetër na bën që të jemi të pakënaqur, sepse çka mbetet për t’u bërë është shume më tepër se çfarë është bërë. E mbi të gjitha, unë nuk dua që as ju e askush tjetër, kur ne flasim për arritje, apo kur flasim për rritje rrogash e pensionesh, të mendojë se për ne, kjo mjafton dhe se ju duhet të çoheni në këmbë e të brohorisni, pasi u bë një mrekulli. As kjo mjafton për ne dhe asnjë mrekulli nuk është bërë.

Sigurisht, nëse ne krahasojmë të sotmen me të djeshmen, qoftë edhe për ju ushtarakët, që humbët mundësinë e pensionit të parakohshëm, apo që qysh prej vitit 2009 mbani në kurriz barrën e një detyrimi për t’i kthyer para shtetit dhe jo pak para, pasi Shqipëria u fut në NATO dhe kur mendojmë që sot, ne faktikisht jua kemi hequr këtë barrë nga shpina, patjetër që është një arsye për t’u ndjerë krenarë, por nuk është një arsye për t’u ndjerë të kënaqur e për t’ju shprehur juve këtu, këtë hap të bërë si arritjen e ndonjë destinacion të pamundur. 

Më kujtohet shumë mirë kur Gjykata Kushtetuese e shpalli të paligjshme kërkesën e qeverisë së asaj kohe, që ushtarakët dhe jo pak, por 5400 ushtarakë t’i kthenin mbrapsht paratë shtetit dhe kur ministri i atëhershëm i Financave doli në foltoren e Parlamentit e tha se “nuk do ta zbatojmë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, sepse është alogjik.” 

Nuk e kam të vështirë ta marr me mend, sesi janë ndjerë të gjithë ata ndër ju, që duhet të përballeshin me këtë arbitraritet, por fakti që nuk ju duhet më të përballeni me këtë arbitraritet, nuk do të thotë aspak se këtu është bërë ndonjë mrekulli, apo se kjo na mjafton neve të dalim përpara jush si në një paradë suksesesh e ju të na nderoni me qëndrimin më të lartë të nderimit.

Patjetër që nuk është pak dhe nuk mund dot të jetë një arsye për të mos qenë krenarë që kemi bërë hap pas hapi atë që na takonte, në radhë të parë, për të vënë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur, duke rikthyer kompensimin mujor për ushqimin që ishte hequr. 

Por si mundet që në shekullin e XXI, në fund të vitit 2016 të jemi të kënaqur me kaq, ose me këto gjëra që në raport me dinjitetin e ushtarakëve, në raport me punën tuaj të përditshme dhe në raport me familjet tuaja nuk janë pak, por nuk janë as mjaft, se shumë sigurisht nuk janë, kjo as që diskutohet! 

Ndërkohë që ju e dini më mirë se unë, Ministria e Mbrojtjes akumuloi 16 milionë euro borxhe për shërbime të papaguara tek të tretët, në kuadrin e atij malit të madh të borxheve dhe ndërkohë që u ndërpre edhe kompensimi mujor për ushqimin e ushtarakëve, u gjetën para për të blerë aparatura përgjimi, që nuk i duheshin dreqit e jo ushtrisë. 

E fakti që, nëse deri dje, anijet tona detare nuk patrullonin dot detin, sepse nuk kishin karburant, patjetër që është e shkuara dhe ne nuk kemi si të mos ndihemi mirë që këto gjëra i kemi korrigjuar në proces, por nuk mund të konsiderojmë se kemi bërë ndonjë mrekulli, që sot anijet ushtarake patrullojnë detin, sepse kanë karburant.

Të gjitha këto i them për t’ju risiguruar edhe një herë që, nëse dëgjoni prej nesh, nëse dëgjoni prej meje që të flasim me pasion për çfarë kemi bërë, asnjëherë mos mendoni se unë jam i kënaqur. E pakënaqësinë time, merreni si shpresë, që vjen nga fakti se është vetëdije për sa shumë gjëra ende duhen bërë dhe patjetër, edhe siguri që fakti që jemi të vetëdijshëm për këtë gjë, na bën me siguri të besueshëm. Sepse nuk kemi dalë t’u themi shqiptarëve që sukseset tona po tronditin Kinën, apo po na barazojnë me Gjermaninë, apo po na bëjnë që të jetojmë në një vend ku arritjet të kapërcejnë imagjinatën. E nuk po flasim për propagandë të shumë viteve përpara, por flasim për një propagandë që ishte çdo ditë prezentë, deri tre vjet e pak më parë.

Sigurisht që në karrierën tuaj ka një rrugë që është rruga e ushtarakut aktiv, por ka edhe një rrugë tjetër, që është ajo që vjen më pas. E ajo që vjen më pas, juve ju vjen herët për shkak se detyra sidoqoftë ka një barrë shumë të rëndësishme. Për këtë arsye, për ne është shumë e rëndësishme që të sigurojmë një mbështetje të vazhdueshme, e cila të jetë në detyrë dhe përtej detyrës aktive. 

Është po ashtu një tjetër shprehje e vetëdijes dhe e respektit për trupën tuaj, që ne arritëm të sigurojmë një trajtim ushqimor mujor më të gjerë. Nga ana tjetër, edhe ata që janë më të ekspozuar ndaj rrezikut, kanë sot një trajtim më të mirë seç e kishin. Sikundër, edhe sigurimi i jetës, për herë të parë, të ushtarakëve që janë pjesë e ekuipazheve fluturuese është një hap përpara. Por prapë është një hap, nuk është fundi i një rruge, që ne jemi shumë të vendosur ta përshkojmë duke bërë të tjerë hapa, me radhë e sipas mundësive që na krijohen, në funksion të rritjes së cilësisë së jetës së familjeve tuaja dhe të rritjes së dinjitetit të trupës tuaj, që nuk ka të bëjë vetëm me atë që i jepni ju uniformes, por ka të bëjë edhe me atë që shteti, qeveria i japin uniformës tuaj. 

Vetë katërfishimi i numrit të ushtarakëve tanë në misione gjatë këtyre tre viteve tregon sesa peshë, pavarësisht përmasës modeste të Shqipërisë në kuadrin e aleancës së NATO-s, ka ushtria jonë në raport me gjithë detyrimet e shoqërisë sonë, që burojnë nga Kushtetua dhe me ambicien tonë të përbashkët për Shqipërinë si një vend i vogël, patjetër, por dinjitoz dhe serioz në arenën ndërkombëtare dhe në të gjitha angazhimet e veta ndërkombëtare, ku nuk diskutohet që ushtria jonë është guri më i çmuar i gjithë zinxhirit të këtyre angazhimeve. 

Edhe shpërblimet financiare për misionet jashtë vendit, besoj, kombinuar me një pastrim të përgjithshëm të sistemit, deri dje shumë të përfolur, të meritës në ushtri, janë hapa të rëndësishëm përpara, por nuk mjaftojnë. 

Nuk mjaftojnë, sepse bindja ime është se pavarësisht gjithë atyre që thuhen e stërthuhen dhe rithuhen dhe nuk mbarojnë së thëni lidhur me punonjësit dhe shërbëtorët publikë të këtij shtetit, që tregohen me gisht padrejtësisht, sikur të ishin një armatë njerëzish të korruptuar, e vërteta është komplet ndryshe. 

Të korruptuarit brenda kësaj armate të punonjësve nuk janë shumica, por bëjnë që të duken të gjithë njësoj dhe kjo është fatkeqësi shumë e madhe. Por nga ana tjetër, pavarësisht asaj që thuhet dhe stërthuhet, janë në radhë të parë, punonjësit e këtij shteti në të gjithë sektorët që janë garantët e parë të reformave tona, por që janë dhe garantët e parë të performancës së Shqipërisë si shtet dhe të institucioneve të saj.

Në këtë aspekt është shumë e rëndësishme që jo vetëm të jemi të vetëdijshëm, - dhe jemi të vetëdijshëm, - por edhe këtë vetëdije ta tregojmë sa më shpesh dhe sa më konkretisht me rritjen e cilësisë së qasjes tonë ndaj sektorëve dhe në rastin konkret, me rritjen e cilësisë së qasjes tonë ndaj vetë Forcave të Armatosura.

U fol nga ministrja dhe ministri për rritjen e rrogave dhe u bë pak si mister rritja e rrogës së ushtarakëve, por në fakt nuk ka asnjë mister. Ne kemi bërë një debat shumë të hapur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, pasi për hir të të vërtetës, FMN - që e vlerësoi shumë pozitivisht gjithë ecurinë e reformave dhe gjithë përmirësimin e ndjeshëm të të dhënave të financave dhe të ekonomisë tonë, - donte që edhe këtë vit ne të mos rrisnim nominalisht pagat, me një logjikë të ftohtë aritmetike. Ndërkohë që unë kam qenë dhe mbetem i bindur për të kundërtën.

Aspak pse ka zgjedhje, sepse kam dëgjuar dhe këtë që meqë ka zgjedhje vitin tjetër, ne po rrisim pagat. Jo, nuk ka lidhje me zgjedhjet. Këtu jemi në një vend ku unë s’kam dëshirë fare t’i referohem politikës së ditës. Po t’i referohesha do thoja që, si të rriten pagat, si të mos rriten pagat, ne e dimë shumë mirë se si do mbarojnë për ne zgjedhjet. Por, kjo ka lidhje me faktin që reformat nuk janë dhe s’mund të trajtohen si mjete ekskluzive në dorën e qeverisë. 

Kur themi dhe është e vërtetë që reformat kanë kosto dhe dhimbje, nëse flasim për kostot, i referohemi kostove politike dhe ato janë tonat. Por, nëse flasim për dhimbje, dhimbjet janë të njerëzve. Dhimbjet janë tuajat si familjarë, si njerëz që në fund të ditës shkoni në shtëpi, e keni fëmijë të cilët kanë mësues, keni prindër të cilët kanë nevojë për mjekë, keni bashkëshortë dhe bashkëshorte, të cilët kanë nevojë për kontributin tuaj.  Në atmosferën jo të lehtë që krijojnë reformat, është e domosdoshme që rezultatet e para të reformave të ndahen pikërisht me ju dhe me të gjithë ata që këto reforma i mbështesin çdo ditë sepse nëse ne flasim që duam të bëjmë një shtet serioz, fuqia dhe pasqyra e këtij shteti serioz jeni ju, janë punonjësit e policisë, mësuesit, mjekët, e të gjithë me radhë.  Pra, nuk ka asnjë mister.

E vetmja gjë që mua nuk më shkonte dhe nuk më shkon, - beteja në fakt nuk është e imja me FMN-në, por është e imja me FMN-në dhe me Ministrin e Financave, që të themi të vërtetën, (se këtu jemi midis nesh ne nuk na del kjo që po flasim. Janë dhe ata që po na shohin në TV, por jam i bindur që duke më parë mua përditë, deri në fund të fjalimit shpresoj ta kenë kaluar kanalin diku tjetër). Mua nuk më shkon që rroga e ushtarakëve të rritet këtë herë më pak se rroga e punonjësve të policisë.

Kemi rritur që në fillim rrogën për punonjësit e policisë, për shkak se ju e dini shumë mirë që ishim në kushtet kur kishim një kriminalitet të gjithandejshëm, pavarësisht se sot zhurma për kriminalitetin është më e madhe se ç’ishte, ndoshta nga pikëpamja e zhurmës, për shkak se sot çdokush është një gazetar, një informator, një publicist, një kritik, një politikan, se e ka median në xhep.

Mua më kujtohet që në 2013-ën, gjatë gjithë fushatës tonë, kudo ku ne shkonim, kryefjala e të gjithëve në çdo bisedë, ishte: “Aman na hiqni nga qafa kriminelët, rrugaçët, të fortët, se na mbytën!”  Situata e Policisë ishte shumë më dramatike se e gjithë sektorëve të tjerë, për hir të të vërtetës, nga pikëpamja e njerëzve, e motivimit, apo e demoralizimit të tyre. 

Tani jemi në momentin kur jemi midis një rritje 5-7% të rrogës për ushtarakët që në këndvështrimin tim nuk është mjaft dhe një rritje 8-10 % që është paralele si rritja për gjithë të tjerët. Po themi gjithë të tjerët lart, jo gjithë të tjerët poshtë. 

Kjo është beteja dhe unë kam shumë shpresë që brenda kësaj periudhe kur kalojmë nga diskutimi i buxhetit në parim, në diskutimin e buxhetit zë për zë, ne do arrijmë që ta akomodojmë edhe këtë pjesë për ushtarakët në këto nivele. Pra, të mos kenë një rritje më të ulët sesa ajo e punonjësve të policisë apo sesa ajo e mësuesve apo e mjekëve dhe infermierëve. Ndërkohë që edhe këtu si në gjithë sektorët e tjerë, për ata që kanë pagën më të ulët - dhe këtu flas për gjithë shërbimet mbështetëse, për ata që mbajnë pastër këtë kompleks të mrekullueshëm dhe që krijojnë kushte që ju të gjithë punoni në këtë higjienë kaq të garantuar, - rroga do rritet 36 %. Por këtu flasim për pjesën tjetër. Thënë të gjitha këto dhe duke shpresuar që ju e mirëkuptoni atë që unë u përpoqa të them gjatë fjalës time se patjetër që kemi bërë hapa shumë të rëndësishëm përpara, patjetër që jemi në kushtet kur realisht po vendosim disa themele që po të ishin vendosur 20 e ca vite më parë, sot do ishim duke bërë biseda të tjera, - por e gjitha kjo nuk mjafton për të qënë të kënaqur. 

E nëse do hynim në një garë pakënaqësie ju siguroj që do futesha për ta fituar dhe jo për të dalë as i dyti jo, në raport me çfarë qeveria, qeverisja, shumica, lëre pastaj politikën po e po, duhet të bëjë më shumë dhe duhet të bëjë më mirë sepse sfida që kemi përpara është madhështore. Sfida nuk është të bëjmë një Shqipëri më të mirë se ajo që kishim. Sfida është të bëjmë një Shqipëri që të jetë një vend i denjë për gjeneratën tjetër. 

Sfida është që të mos përsërisim vonesën fatale të këtyre 10 e ca viteve, duke mos i bërë sot reformat, që nuk janë për zgjedhjet e ardhshme, por janë për gjeneratën tjetër. Se nëse këto reforma do ishin bërë 20 e ca vite më parë, vetëm po të llogarisim miliardat që i ka marrë lumi për shkak të vjedhjes dhe të kaosit në sektorin elektroenergjitik, ne sot do kishim ndërtuar pa diskutim të gjitha shkollat dhe të gjitha spitalet e Shqipërisë me standardet më të larta europiane. Por nëse i hyjmë çdo sektori dhe nëse marrim efektet negative të mos reformimit të vendit, kuptojmë shumë mirë që atë që i ndodhi një gjenerate që sot janë 20-25 vjeçar, nuk duhet lënë t’i ndodhi gjeneratës tjetër që sot janë 1,2,3,5 vjeç, të cilët nuk duhet të gjejnë në kohën kur duhet të marrin vendimet e tyre, një Shqipëri si ajo që ne gjetëm 3 vjet e pak më parë kur morëm këtë detyrë kaq të rëndësishme dhe kaq të vështire.

Do ta mbyll me heshtjen shumë mbresëlënëse. Unë kam takuar shumë njerëz që siç e dini dhe ju dhe nuk po ju krahasoj me mitingjet, se mitingjet janë histori tjetër, por po ju krahasoj me sallat e mbyllura të të gjithë llojeve të grupeve shoqërore të interesit. Unë nuk kam folur ndonjëherë përpara trupave në një sallë të mbyllur, por heshtja me të cilën e ndoqët fjalimin dhe jehona e vetë zërit tim për shkak të kësaj heshtjeje më bën që të përulem përpara jush me shumë respekt sepse e di që kjo vjen, jo sepse jam unë këtu, por sepse është shprehje e frymës së asaj disipline që e bën ushtrinë të veçantë në çdo vend të botës, por edhe të një disipline që unë do ëndërroja ta shikoja në sektorët e tjerë të shërbimit publik, por që do mbetet një ëndërr jo për mua por edhe për kryeministrin e gjeneratës tjetër.

Shumë faleminderit!

Shumë respekt dhe meqë nuk do shihemi përpara festave të vit të ri, unë ju siguroj që në festat e vitit të ri nuk do arrini dot të më shani përpara njerëzve të shtëpisë sepse kam bindjen që edhe pas këtij takimi i kam të gjitha argumentet për atë fituar betejën për atë diferencën, që kam me Ministrin e Financave dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.​

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës