Fjala e Ministrit Ahmetaj sot ne Parlament‏

Mora shkas por është dhe një arsye shumë e madhe ekonomike, për të folur dhe për të ndarë me ju lajmin se Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka bërë një konfirmim të konsolidimit të reformave në Shqipëri. Dikush këtu e trajtoi sikur ishte çështje transhi. Nuk është çështje transhi dhe shumëkush e di që buxheti i shtetit është likuid, madje ka likuiditete të marra në tregun ndërkombëtar në një mënyrë shumë të suksesshme të quajtur Eurobond, që ju e dini shumë mirë, me një kosto jashtëzakonisht shumë të ulët se sa transaksioni i pesë viteve më parë. Por ajo që ndodhi dje në Bordin e Fondit Monetar Ndërkombëtar është konfirmimi I të gjithë reformave që qeveria Rama ka ndërmarrë në tre vitet e fundit dhe ka ardhur e përshkallëzuar. Ka ardhur e përshkallëzuar dhe jo e rastësishme. Dua t’i kujtoj të gjithë atyre që kanë bërë pikëpyetje për dy rishikimet e fundit të FMN, sepse ne vërtetuam dhe një herë, dhe kjo ishte dhe arsyeja pse rishikimet u shtynë, që në një vit fiskal ne nuk abuzuam me financat shqiptare dhe në një vit të vështirë fiskal, ne jo vetëm që rritëm të ardhurat, por arritëm të mos rrisnim taksat.

 Dhe, për më tej, kemi arritur që të garantojmë një rritje të konsoliduar ekonomike 2.75 për qind, e cila është tre herë më shumë se sa ajo që gjetëm dhe është më lart se mesatarja globale dhe është vendi i dytë në rajon pas Malit të Zi për investimet e huaja, nominalisht, gati 1 miliardë euro. Dhe kjo nuk është e rastësishme. Asnjë gjë nuk është e rastësishme dhe ky sukses nuk është i rastësishëm. Është e vërtetë se, së bashku me suksesin, Fondi Monetar Ndërkombëtar vë gishtin aty ku duhet, në risqet që ka ekonomia Shqiptare, qoftë të jashtme, qoftë të brendshme. Po çfarë i referohet riskut të koncesioneve? Risku i koncesioneve në të gjithë vendet që kanë gati 500 vjet që japin koncesionet, kuptohet që mbajnë një risk ndoshta dhe buxhetor, në qoftë se janë të pakujdesshme si ato të energjisë elektrike të dhëna në tetë vitet tuaja.

 A pati risk buxhetor gjithë ajo bolori me koncesione me çmime përtej tregut? Patjetër që pati. Cila ishte? Ishte fundosja e Korporatës Elektro-Energjetike Shqiptare. Për më tepër, ishte edhe ajo gropë në buxhetin e shtetit, që buxheti i shtetit vazhdimisht në tetë vitet e fundit është detyruar të garantojë, duke rritur borxhin publik, të gjithë atë gropë në sistemin energjetik. Po “Rapiscan”-i nuk është risk? Sigurisht që është risk. Risk për sipërmarrjen, por risk edhe për buxhetin, sepse do të duhet të përballesh me ndonjë dilemë, që nuk është ndonjë dilemë e madhe, nëpërmjet një kostoje plus që afronte koncesioni I “Rapiscan”-it, do të lejonin që të falimentonte një industri e tërë që i referohemi fason por që është një gamë e tërë manifakture, e cila ka konsoliduar eksportet shqiptare. Pra, të falimentonim atë apo të merrnim një kosto buxhetore prej 4 milionë dollarësh në buxhet?

 Epo të përgjegjshëm jemi sepse nuk jemi ne që e bëmë, ne na ngeli në derë, por patjetër që do të merrnim kosto në buxhet, po jo kosto të papërgjegjshme siç na keni lënë. Apo të gjithë ato koncesione të tjera qesharake? Doni riskun e Portit të Durrësit? Skandaloz. Nuk arrihet dot të menaxhohet Porti i Durrësit për shkak të kostos direkte dhe indirekte që ka në menaxhim dhe në të ardhura, koncesion i dhënë në dhjetë ditëshin e parë të shtatorit të vitit 2013. Dhe, fondi Monetar  Ndërkombëtar duke parë një qeveri të vjetër të papërgjegjshme vë gishtin edhe për një qeveri, e cila tregohet e kujdesshme. Dhe është edhe konfirmim I asaj që bëmë për 2016-ën, për trajektoren ulëse të borxhit, dhe jo pak, dhe për herë të parë balancën pozitive në buxhet të shtetit, në atë që i referohemi defiçiti primar. Patjetër që ka sfida ekonomia shqiptare, ka sfidat e jashtme. Është sfida e jashtme greke, e cila vazhdon dhe sot.

Ndërkohë që në Shqipëri rritja ekonomike e tremujorit të tretë ishte pozitive, rritja ekonomike në Greqi është negative, janë kthyer në recesion. E megjithatë, brenda këtyre konteksteve të vështira ekonomia shqiptare rritet. I mungon diçka në fakt, i mungon pozitiviteti juaj dhe nuk besoj që do ta kemi, por gjithsesi trendi pozitiv garanton pozitivitet tek qytetarët shqiptarë dhe tek konsumatorët shqiptare. Dhe falë Zotit, dhe falë tyre, dhe falë reformave, tremujori i tretë shënoi rritje në konsum dhe shënoi gjithashtu rritje të tregtisë me pakicë me 7.8 për qind. Konsumi është akoma modest dhe sigurisht që është risk , sepse mungon kreditimi dhe këto janë risqe të sigurisë së ekonomisë, të cilat nuk i bën dot as një njeri, as një qeveri, as një grup parlamentar por i bëjnë të gjithë, edhe opozita, edhe mazhoranca, edhe qeveria patjetër.

 Disa fjalë për Spitallën meqë një nga parafolësit foli për të. Spitalla është rasti spektakolar i përgjegjshmërisë së një qeverie dhe është rasti spektakolar i diferencës në filozofinë ekonomike dhe në përgjegjshmërinë ndaj shtetit midis dy grupeve, qeverisë së vjetër dhe kësaj qeverie. Unë po u bëj argumentin teknik dhe po e mbyll me argumentin politik çështjen e Spitallës. E para, kam dosjen e nëntë zonave ekonomike që keni dhënë. Nuk ka funksionuar asnjëra. Zero. Asnjëra s’ka funksionuar. U detyruam t’i anulonim. Iu ishin dhënë një ambulanti në Vlorë, një ambulanti në Lezhë, një të panjohuri në Shkodër e historira të tjera. Në bëmë një proces shumë transparent. Morëm dhe oferta. Bëmë dhe “due dilligence”. Dhe nuk e bëmë ne, se mund të merrnim përsipër ta bënim vetë “due dilligence-ën” (për qytetarët, “due dilligence” është kontrolli i detajuar financiar dhe jo vetëm i kompanive që ofertuan). Morëm “Deloitte and Touche”, shqiptar dhe kinez,  dhe i keni dokumentet në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Por arsyeja kryesore e refuzimit të ofertës është arsyeja politike, ajo që ka thënë Kryeministrit, diferenca midis nesh dhe jush. Çfarë ka ndodhur me tokat e Porto Romanos? Familjarët tuaj i morën, diferencë e madhe. Çfarë ka ndodhur me Gërdecin? Familjarët tuaj i morën. Tragjedi e madhe. Çfarë ka ndodhur me tokat në bregdet? Familjarët tuaj i morën, sot po ua heq prokuroria. Diferencë e madhe. E pra, një Kryeministër bën diferencë dhe një filozofi e tërë bën diferencë . Po, anulohet Spitalla për arsye të drejtpërdrejta politike, të mbështetura nga arsyetime të shëndosha teknike dhe do të rihapet sërish. Do rihapet sërish në sytë e publikut. Kjo është diferenca, nëse doni diferencë.

 Rezervoj edhe një sqarim shumë interesant për bolorira gazetash që nevrikosen se nuk kanë marrë një magazinë në portin e Durrësit, apo ndonjëri që nevrikoset se e quaj “Administrator” dhe i vjen keq që unë i përmend lejen e Dashit dhe atë që nuk ia ka kthyer akoma. Po këtu jemi, këtu i kemi të gjithë verifikimet. Këtu do flasim.

 Replika e Ministrit Ahmetaj me z. Berisha

 Do ta falënderoj që më kujtoi periudhën e grevës së urisë. I kujtoj që kam qenë nga ata trima, siç tha ai, po unë nuk e konsideroj të tillë, kam qenë student i grevës së urisë dhe kam qenë gjithmonë (jo publikisht) krenar për këtë. E bëra që në diplomën time modeste, të parën, sepse pas asaj diplome erdhën disa të tjera po nuk është se është ndonjë risi publike kjo, madje as për ju, por po të doni personalisht jua tregoj të gjitha megjithëse prapë s’ka vlerë, e bëra që fëmijet e mi, por edhe të tutë sigurisht, të jetonin ndryshe. E bëra që Shqipëria të mos merrej më peng, siç ishte marrë atëherë dhe që në diplomën time modeste në atë kohë, të mos ishte emri i një diktatori. Dhe me timen, me atë kontributin tim modest ia dola. Nuk ma merrte kurrë mendja që pas kaq vitesh Shqipëria të kishte të njëjtat probleme, me të njëjtat fenomene, dhe Shqipërinë e more ti peng si një sekretar i rëndomtë partie dhe e trajtove Shqipërinë si një organizatë të rëndomë partie. E katandise me shkatërrim, me vrasje, me vjedhje, po këto historia i ka gjykuar, shpresoj që realisht t’i gjykojë dhe drejtësia.

 Ajo që unë po them sot ka diferencë nga ajo që ti the sot. Patjetër që vizita e John Kerry-t bën diferencë. Bën diferencë dhe u ka bërë thirrje që të votoni reformën në drejtësi. U ka bërë thirrje të votoni Byronë e Hetimit, që të hetojë këdo qoftë nga ju dhe këdo qoftë nga ne. Kjo do bënte diferencë. Akuza personale unë mund të marr pa fund. Ato janë qesharake. Unë nuk sillem as si kufitar i vogël, siç u solle ti, as si doktor shkencash në financë. Nuk sillem. Unë sillem si një njeri modest. Si një Ministër i Ekonomisë, i emëruar ministër i Financave dhe diferenca e ditëve të mia me ditët e tua është se të gjithë ditët e mia janë transparente. Unë kam që në moshën 26 vjeç që deklaroj të ardhurat dhe nuk ka ngelur asnjë cent pa më kontrolluar, madje dhe me urdhrin tënd, edhe me urdhrin e Administratorit. Dhe ja ku jam. Jam ku jam dhe po, unë jam një nga arsye që antikorrupsioni në financa ka për të njohur nivel të paparë. Nuk funksionon ashtu siç ka funksionuar. Detyra e ministrit të Financave është një detyrë e shenjtë dhe unë e respektoj kolegun tim në ikje, ashtu siç respektoj dhe kolegët nga e djathta që kanë bërë atë që kanë bërë aty, diku me vështirësi, diku me profesionalizëm, diku më keq, diku me dështime, diku me sukses. Nuk e diskutoj fare. Dhe, kur ky parlament ta votojë, do të marr atë detyrë dhe siç punuar dy vjet, do ta bëj sërish dhe të premtoj që nuk kam për të të ofenduar asnjë ditë. Asnjë ditë të vetme. Pse? Sepse realisht ke pak më pak se 20 vite që ma përmend emrin. Puna jote, e ke përdorur për politikë, për personale, do të vazhdosh ta përdorësh. Nuk përbën risi as për politikën shqiptare, as për bolorinë shqiptare, as për legjendat urbane, as për thashethemet. Unë po ta them, ja ku je, çoje në prokurori. Ço çdo fakt që ke në prokurori, për mua, për kolegët e mi, në prokurori. Më gjej një gjë në tre vite, një firmën time e cila të jetë hedhur në kundërshtim me ligjin. Ta premtoj Sali Berisha pa të fyer asnjë sekondë, as ty, as familjen tënde, as punën tënde, as atë që ke bërë në 20 vite, do jap dorëheqjen. Një firmë vetëm.

 Do të kujtoj këtu, kam qenë fëmijë gati, 26 vjeç, e kam negociuar me një nga ish deputetët e tu, me Rusmalin, mbylljen e skemave piramidale. 26 vjeç. Një kërmësirë e lënë në dheun e Shqipërisë, që hëngri jetë shqiptarësh dhe para shqiptarësh. Po. Dhe asnjëherë nuk kam menduar se buxheti i shtetit apo aferat normale publike janë një rrugë ku unë mund të fus duart. Të ftoj, nuk të sfidoj, sepse nuk ke moshën time dhe nuk ke as detyrën time, ti je në punën tënde, të ftoj që çdo gjë që ti mendon, nëse unë kam hedhur një firmë në kundërshtim me ligjin, Arben Ahmetaj Ministër i Ekonomisë të ketë hedhur një firmë që të ketë devijuar paratë publike apo të jetë në kundërshtim të hapur me ligjin, çoje në prokurori, të premtoj që do të jap dorëheqjen për një sekondë. Ky është diskutimi i fundit që unë bëj me atë njeri për këtë cështje , sepse ai është e kaluara, nuk kam ndërmend ta fyej. Ai është e kaluara. Diferencën e bëri vendi në 23 qershor.

 Është një moment shumë i rëndësishëm për mua personalisht, sepse unë ministër jam, nuk është se ka çudi që kalova nga ministër Ekonomie në ministër Financash. Nuk ka. Përkundrazi, do ta shikoni rritjen e të ardhurave. Do ta shikoni. Mos bëj në mendjen tënde halucinacione për koncesione, jo vajti të bëjë atë, jo vajti të bëjë këtë. Këtu do jesh Sali Berisha. Të uroj të jesh këtu madje, ta shohësh çfarë do të ndodhë me të gjithë ato supozime që ti thua. Z. Berisha, vër një ekip  për çdo firmë timen, për çdo gjë që do të bëj unë në ministrinë e Financave dhe të ftoj, të sfidoj për të parë diferencën, se ç’do me thënë antikorrupsion dhe të lutem, se je dhe burrë i moshuar, mos ik me pallavrat e gazetave se unë e kam çdo gjë të verifikuar, të gjithë vizitat e mia zyrtare, në kontekst zyrtar. Unë jam shumë i kujdesshëm me gjërat që bëj, në marrëdhënie me publikun, me buxhetin e shtetit dhe me detyrën time.

 I premtoj grupit parlamentar, i premtoj qytetarëve të Shqipërisë, i premtoj Kryeministrit që ditën që shkoj në atë detyrë, do të bëj të njëjtën gjë që kam bërë si ministër Ekonomie, do të punoj nga mëngjesi deri në darkë, diku më shumë, diku më pak, kam nevojë dhe për ndihmën e shumë kolegëve nga e djathta nëse do, sepse nga e majta ma japin përditë, ata që janë të mençur dhe që e kanë bërë atë detyrë se dua që gabimet e tyre të mos i bëj dhe ato që ata kanë pengje që nuk i kanë bërë, të mundem t’i bëj.

 Ky është diskutimi i fundit z. Berisha midis meje dhe teje në këtë referencë. Politikisht dhe për çështje financiare patjetër që do të debatojmë. Nuk më ngelet qejfi, madje do të isha mërzitur po të mos bëje këtë që bëre sot, të fyeje e të shpifje. Jam mësuar, nuk më bën më përshtypje dhe kjo është fatkeqësi nganjëherë, që të mos të të bëjë përshtypje, por të premtoj që kurrë nuk do të kthehem personalisht. Do të kthehem politikisht dhe të kërkoj, siç ka bërë grupi me mua, siç ka bërë Kryeministri me mua, në punën time dhe në firmën time, të lutem vendos burra dhe gra të mençura nga grupi yt, nga stafi yt, që ditën që unë bëhem ministër financash të më “studimojnë” dhe po ta them dhe një gjë tjetër, jam gati që çdo shkresë që nga dita që jam ministër i Financave dhe deri ditën që nuk do të jem më dhe do të jem një qytetar i zakonshëm të të bëj nga një kopje.

Faleminderit.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Muzeu Etnografik i Krujës hap dyert pas restaurimit, digjitalizim e ekspozita të reja për artefaktet! Financim i BE