Fjala e ministrit Erion Veliaj për 300 ditëshin e qeverisjes

Përshëndetje të gjithëve!

Është thënë se kur një qeveri nuk i jep llogari askujt për veprimet, nuk mund të kërkojë besimin e ndokujt! Ne ju’a kërkuam besimin jo përmes veprimeve, por përmes premtimeve, dhe ju na e dhatë. Ndaj sot, jemi këtu për t’ju thënë se i kemi mbajtur premtimet!

Kjo qeveri u votua duke patur punësimin si prioritet madhor, e në këto 300 ditë të para ne ia kemi dalë të ngrejmë një strukturë të re qeverisëse, e cila sapo ka nisur të japë sinjale të shkëlqyera.

Sapo hymë në zyrë, para më pak se një viti, u bëmë dëshmitarë të zyrave të punës që ishte e pamundur t’i gjeje se ku ndodheshin, e imagjino që këto zyra pune t’u gjenin punë qytetarëve?! Nisëm menjeherë punën për modernizimin e këtyre zyrave.

Brenda 100 ditëve të para hapëm zyrën e parë moderne të punës në Tiranë, e cila në këtë gjysëm të parë të vitit 2014 ka pritur më shumë punëkërkues se ç’kishin pritur të gjitha zyrat e Shqipërisë në vitin 2013. Tirana hapi siparin dhe brenda këtyre 300 ditëve kemi modernizuar zyrat e punës së Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Gjirokastrës, Kavajës e Korçës, ndërkohë që zyrat e punës në Shkodër e Fier janë thuajse gati – dhe brenda këtij mandati qeverisës do të modernizojmë të gjitha zyrat e punës në Shqipëri.

Sigurisht, që për të rritur punësimin në vend, nuk do hapim vetëm zyra pune. Premtimi jonë tjetër i madh ishte kthimi i vëmendjes drejt arsimit profesional si një sistem edukimi që të jep aftësi që garantojnë punësim. Për këtë qëllim, lançuam Strategjinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020, e cila përmes orientimit të Arsimit Profesional drejt sistemit dual gjerman, ka rritur me 10% numrin e pjesëmarrësve në programet e punësimit dhe ka shtuar me 40% punësimin e personave të dalë nga arsimi professional, nga të cilët 25% janë vajza.

Gjithashtu, ne ngritëm Fondin Kombëtar të Punësimit, trefishuam fondin e nxitjes së punësimit dhe lançuam 6 programe të reja të nxitjes së punësimit, nga të cilat do të punësohen rreth 3 mijë qytetarë.

Të gjitha këto masa, sapo kanë nisur të japin rezultatet e para. Në 3mujorin e parë të vitit 2014 janë 43mijë shqiptarë më shumë të punësuar se në 3mujorin e parë të vitit 2013.

Gjetëm një skemë pensione në prag të falimentit, e cila jep përfitime shumë të ulëta për qytetarët, vuan nga një defiçit i thellë dhe ka një numër shumë të ulët kontribuesish, çka nënkupton se një pjesë e madhe e shqiptarëve rrezikojnë të mbeten pa pension pleqërie.

Ne u angazhuam ta reformonim sistemin e pensioneve, për të ndërtuar një skemë të re e cila do japë pensione më të larta për qytetarët dhe do ketë një defiçit më të ulët, duke u kushtuar më pak taksapaguesve. Brenda këtyre 300 ditëve, ne thuajse e kemi përfunduar këtë reformë, me ligjin e ri që do të votohet në parlament brenda këtij muaji.

Për të kaluar tek shërbimet publike, sot skema e Ndihmës Ekonomike vuan më pak nga abuzimet, atë e përfitojnë vetëm gratë dhe në 3 qarqet pilot – Tiranë, Durrës, Elbasan – funksionon skema e dixhitalizuar, e cila brenda këtij mandati qeverisës do të shtrihet në gjithë Shqipërinë, duke bërë të mundur që ndihma ekonomike të shkojë vetëm tek ata që janë realisht të varfër.

Për të përndjekurit politikë kemi miratuar fondin prej 18 milionë dollarësh që është më i larti ndonjëherë. Gjithashtu, për këtë kategori miratuam ligjin e ri i cili u jep prioritet për dëmshpërblimet ata që janë ende gjallë.

Sa u përket shërbimeve sociale, gjatë këtyre 300 ditëve, u ngrit dhe tashmë është funksional një sistem online për raportimin e dhunës në familje si edhe u hartua e ka nisur të zbatohet një plan veprimi për trajtimin e fëmijëve në situatë rruge.

Këto janë vetëm disa nga arritjet e MMSR-së gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes, dhe kjo është hera e parë që po japim llogari publikisht. Sigurisht që do të pasohen nga të tjera. Por, unë dua t’i kërkoj çdo qytetari të këtij vendi që t’i kërkojë llogari të zgjedhurve të vet. Kur qytetarët bëhen pjesë e qeverisë së tyre, qeveria bëhet më llogaridhënëse dhe shoqëria bëhët më e fortë e më e përgatitur për sfidat e së ardhmes.

Redaksia Online