Fjala e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në takimin e organizuar me rastin e prezantimit të Raportit Publik për 300 Ditët e Para të Qeverisjes: "Shqipëria Europiane, Destinacion Brenda Nesh".

300 ditët e qeverisjes kanë qenë tepër intensive për Ministrinë e Shëndetësisë, në përpjekje për të arritur, fillimisht, brenda kufizimeve rregullative, stabilizimin e gjendjes së rrënuar që trashëguam, dhe veçanërisht, plotësimin e nevojave për furnizimin ritmik të spitaleve me barna, si dhe sigurimin e gatishmërisë dhe funksionimit në vijimësi të aparaturave bio-mjekësore.

Sot, në farmaci ka më shumë barna dhe me çmime më të ulta. Hoqëm TVSH-në prej 10%, ndërkohë që shtuam 55 barna të reja në listën e barnave të rimbursueshme për këtë vit, më tepër se katër vitet e fundit të marra së bashku.

Sot, në spitale kemi siguruar furnizimin në vijimësi, më të plotë dhe më të gjerë me barna. Listës së barnave esenciale spitalore, pas rritjes së fondit me 15% në krahasim me vitin paraardhës, i’u shtuan 198 barna të reja, duke rritur numrin në 525 barna për këtë vit.

Fondet për barna citostatikë janë dyfishuar në krahasim me vitin 2013; fondet e materialeve mjekësore për kardiologjinë dhe kardiokirurgjinë janë rritur me 50%; fondet për kite e reagentë për laboratorët e QSUT-së janë rritur me 40%.

Filluam zbatimin e veprimit konkret në kuadrin e planit të përgjithshëm të qeverisë për të shlyer edhe borxhet e prapambetura, sepse vetëm në Shëndetësi, ne gjetëm rreth 40 milionë dollarë borxhe. Janë shlyer 60% e borxheve.

Përveç përballimit të gjendjes së emergjencës ku e gjetëm shëndetësinë, kjo ishte një periudhë që përkoi me përgatitjet e ndryshimeve të nevojshme rregullative dhe ligjore, që i kanë hapur rrugë edhe nismave që kemi realizuar deri më sot dhe do të vazhdojmë të përmbushim edhe në vazhdim.

E tillë është paketa e kontrollit bazë shëndetësor 40-65 vjeç që miratuam javën e parë të prillit.

Ky është hapi i parë konkret drejt mbulimit universal, teksa të gjithë njerëzit që janë në Shqipëri do të jenë të gjithë të barabartë për përfitimin e kësaj pakete.

Po ashtu, edhe miratimi i 10 paketave të shërbimeve shëndetësore të dializës dhe transplantit të veshkës, ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjike, transplantit koklear, të financuara 100% nga qeveria, si në shërbimin publik spitalor, ashtu edhe në atë jo-publik, ishte një arritje e shkëlqyer e punës së palodhur disamujore e specialistëve tanë.

Kemi hapur tashmë kantierin e shëndetësisë, me qëllim modernizimin infrastrukturor dhe rritjen e sigurisë në spitale.

I'a arritëm të fuqizojmë kapacitetet diagnostikuese dhe përmirësojmë bazën e pajisjeve mjekësore të shërbimeve spitalore me krijimin e kabineteve të reja të specializuara, rivënien në punë të pajisjeve biomjekësore jashtëpune në QSUT, Spitalin Universitar të Traumës, SU “Shefqet Ndroqi”, spitalet e Durrësit, Kukësit, Lezhës e Korçës.

Përfunduam, rikonstruksionin e plotë të bllokut operator dhe infrastrukturës ndihmëse në Shërbimin e Djegie-Plastikës, një investim prej 1 milion euro.

Po ashtu, përfunduam instalimin e pajisjes radioterapeutike të akseleratorit linear në shërbimin e neurologjisë në QSUT, që rrit cilësisht trajtimin dhe kurimin e çdo pacienti me kancer.

Për herë të parë pas 23 vitesh, nisi zbatimi i një programi të plotë dezinsektimi i bregdetit me agjentë tërësisht biologjikë, me fokus ndërhyrjet për kontrollin mushkonjave, duke ruajtur biodiversitetin dhe shmangur ndotjen kimike të mjedisit.

Nuk mund të lija pa përmendur këtu, edhe transferimin e fondit prej 50,000 euro Komunës së Preshevës për nevojat e funksionimit normal të maternitetit që i shërben nevojave të këtij komuniteti.

Jam tepër krenar, gjithashtu, edhe për nisjen e bashkëpunimit të shumëpritur me Kosovën ku në muajin Maj ja arritëm të realizojmë, për herë të parë, me sukses dy ndërhyrjet e para kardiokirurgjikale në Prishtinë, në vijim të vendimeve që u morrën në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Prizren.

Faleminderit qytetarëve shqiptarë për mirëkuptimin se sistemi i kujdesit shëndetësor që meritojnë nuk mund të realizohet brenda ditës.

Faleminderit!

Redaksia Online

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Kupa e Botës/ Lara Colturi grumbullon pikë të tjera për Shqipërinë, renditet e 13-ta në Austri