Zonja dhe Zotërinj Deputetë,
Së pari, dua të falënderoj deputeten Vokshi (znj. Albana Vokshi, Deputete e Partisë Demokratike), meqënëse më ftoi të ballafaqojmë ngjyrat e ndërgjegjes.
Së dyti, për ta nisur tek shqetësimi i parë, që lidhet dhe me ligjin që po diskutohet me mbetjet spitalore.
Sigurisht që, pasi u përpoqët të shpiknit ngjarje të rreme dhe insistuat se përse s’ka informacion nga ministria, pasi doli informacioni, sot, publikisht, thatë një gjë, fillimisht të pasaktë, por besoj se të pavërtetë, se e thatë qëllimisht, që mbetjet nuk hidroklavohen.
Është e pavërtetë!
Në spitalet tona, sigurisht mbetjet spitalore i nënshtrohen proçesit të hidroklavimit, dhe mbas këtij moment kthehen në mbeturina urbane dhe sigurisht trajtohen si gjithë mbeturinat urbane të tjera.
Pra, mund të ketë sot në një kazan mbeturinash një shiringë, por e cila ka kaluar në hidroklavë dhe pas hidroklavës, sigurisht që kthehet në një mbetje urbane. Mbetjet, fillimisht administrohen brenda institucioneve shëndetësore, me një proçes të rregulluar dhe të mirëfilltë, mbledhje të diferencuar dhe pastaj, sipas natyrës së tyre, hidroklavohen dhe i jepen subjekteve që janë të liçensuar për t’u marrë me këtë çështje, për t’i çuar nga spitalet në vendet e depozitimit.
Edhe pse nuk është detyrë e drejpërdrejtë e shëndetësisë të merret me këtë proçes, sigurisht, për nga rëndësia që ka trajtimi i mbetjeve në shëndetin e popullatës, me rreziqet që ka, edhe Inspektorati (Shtetëror) Shëndetësor, që nga shtatori, bashkë me Inspektoratin Mjedisor, është bashkërisht pjesë e monitorimit të këtij proçesi.
Së dyti, për të folur për çështjen e burimeve njerëzore në shëndetësi, dhe më konkretisht, atë të testimit. Sigurisht, që ka një vendim të djeshëm të Gjykatës (Gjykata Administrative e Apelit, Tiranë), që thotë, derisa të shprehemi në themel për të gjithë proçesin, nuk mund të vazhdojë. Padyshim, do të zbatojmë vendimin e Gjykatës.
Por, unë besoj, sidomos pas lajmeve, informacioneve që janë bërë publike, se tani erdhi momenti.
Ne kemi në shëndetësi, aktualisht, me burimet njerëzore, një situatë, - që unë do ta quaja emergjencë kombëtare.
Në përfundim të ciklit të parë 5-vjeçar të edukimit në vazhdim, na rezulton se 36% e mjekëve, 28% e farmacistëve dhe 52% e mjekëve, nuk kanë arritur t’i marrin në 5 vjet kreditet e caktuara që kur filloi ky proçes.
Blvd. “Bajram Curri“ Nr. 1 Tiranë Shqipëri T: +355-4-2376178 ext. 72165 shendetesia.gov.al
Dhe normalisht, nuk mund ta ushtrojnë më profesionin e tyre, nëse brenda 6 muajsh, nuk do t’i nënshtrohen një proçesi riçertifikimi.
Pra, zonja dhe zotërinj deputetë, kemi aktualisht 1/3 e trupës mjekësore në Shqipëri, - nuk përfshihen infermierët, se nuk kanë qenë pjesë e këtij proçesi, të cilët kemi këto dilemë: t’i lejojmë të japin kujdes shëndetësor me pasigurinë në njohuritë e tyre, apo mos t’i lejojmë dhe të krijojmë përnjëherë një boshllëk me 1/3 e trupës mjekësore.
Sigurisht, duhet të merremi seriozisht, në radhë të parë ministria, qeveria, urdhërat, fakultetet dhe universitetet, për të bërë përpjekjet maksimale, që deri në mes të prillit, të shpallim programet që ata do të duhet të fillojnë të mësojnë. Dhe brenda tetorit, brenda 15 tetorit ta mbarojmë këtë proçes, me sa më pak kosto.
Nga ana tjetër, për t’u kthyer dhe tek testimi, po e ripërsëris:
Ai testim, në gjykimin tonë është i domosdoshëm, por minimalisht 3 gjëra nuk i prek, dhe - dua ta përsëris këtu, - nuk prek në përfundim të testimit marrëdhëniet e punës, që janë një nga gjërat më të rëndësishme, përfshirë edhe pagën, si një element i rëndësishëm i marrëdhënies së punës, dhe nuk prek as të drejtën e vijimit të ushtrimit të profesionit.
Kush ka patur mundësi apo mundimin ta lexojë rregulloren, aty nuk ka nivele pikësh, që me kaq kalon dhe me kaq nuk kalon.
Së dyti, sigurisht që në fazë të parë, testimi ishte i përgjithshëm dhe në rregullore e keni shumë qartë, që në fazën e dytë për infermierët, - se për ata ka një rregullore, - do të bënin pjesën e dytë, sipas profilit të shërbimeve ku ata punojnë.
Por, dua të kthehem përsëri tek një çështje, që ka nja tre javë që e keni shumë përzemër, çështjen e barnave:
Jua kam thënë, po e përsëris! Është shumë e qartë pse merrem me këtë çështje.
16 Dhjetor 2010, seanca e Kuvendit të Shqipërisë, ministri i atëhershëm i financave shprehet:
“E ndodhur përballë një shqetësimi të tillë, Ministria e Financave në vitet 2006 dhe 2007, ka bërë një investigim të çmimeve në tregun e brendshëm shqiptar, krahasuar me ato të tregjeve anëtare të Bashkimit Europian, ku, normalisht, çmimet e tjera të mallrave të krahasueshme janë shumë herë më të larta nga çmimet e tregut shqiptar. Ka rezultuar që, mesatarisht, sipas llojit të medikamenteve, dhe sipas vendeve të ndryshme me të cilët ne komunikuam dhe morëm verifikim faturash, jo thjesht testim çmimesh, dhe i çuam në vendin e origjinës për të pyetur se sa është çmimi respektivisht në këto vende me faturat që kishim në dispozicion, doli që, mesatarisht, çmimet e ilaçeve në Shqipëri ishin nga 25% deri në 60% më të larta sesa vendet anëtare të BE-së, për t’iu thënë se çmimi në diferencën më të madhe e krijonim pikërisht me vendet me standarde më të larta, me Suedinë, se Flori është marrë gjatë me këtë investigim.”.
Pra, në 2006, 2007, e dinit që në Shqipëri, barnat vijnë 25-60% më shumë.
Dokumenti i dytë, 11 Shtator 2013, Edi Rama ishte dekretuar Kryeministër. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë, ku i thotë:
“Zoti Ministër,
Me këtë informacion dëshiroj t’ju bëj me dije se, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe autoriteteve doganore italiane, gjatë kontrollit të tyre 2010, 2011, 2012, është konstatuar se në
fq. 2
praktikat doganore të zhdoganimit të subjekteve shqiptare, kanë deklaruar medikamente të ndryshme me një vlerë më të lartë se vlera e mallit të deklaruar dhe miliardat i shkonin italianëve”.
Dhe vazhdon, për të përfunduar:
“Dogana shqiptare në llogari të detyrimit doganor nuk është bazuar tek vlera e mbetur, për shkak se skontoja varion në shifra relativisht të larta 20-70%”.
Pra, 2006, 2007, 2008, 2010, 2011, 2012 me dokumenta zyrtare, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e keni ditur që në Shqipëri barnat vijnë shumë më shpejt dhe s’keni bërë asgjë.
Dhe më e pakta, kjo është kapje e shtetit.
Ne u angazhuam në Programin e Qeverisë, që nuk do të pranojmë barna më të shtrenjta se në vendet e origjinës. Sigurisht, miratuam Ligjin e ri të barnave në datën 31 korrik, vendimet e Qeverisë në vijim; është e njohur se jo vetëm në Shqipëri, barnat kanë një regjim çmimi të rregulluar, që do të thotë, çdo vit prodhuesit negociojnë me autoritetet e vendit përkatës, - në rastin konkret Ministrinë e Shëndetësisë, - për çmimet me të cilat vitin e ardhshëm do t’i vendosin barnat në treg, aplikohen marzhe që caktohen po nga qeveria dhe barnat janë në treg.
E kishit 70%, nuk e bëtë, aty ishte ligji.
Ne u angazhuam dhe po e bëjmë gradualisht dhe ja ku janë rezultatet. Para 2 javësh unë ju paraqita ilustrime grafike. Dikush nga ju nuk donte t’i merrte për bazë, tha që lidhen me TVSH-në, nuk lidhen me TVSH-në, ja ku i keni!
Pullë e dhjetorit 2014, pullë e shkurtit 2015, nuk ka TVSH. Ja ku është, “VERMOX”, i njëjti prodhues, emër i njohur, 409 ALL ishte, u bë 122.
Përsëri, dhjetor 2014, shkurt 2015, nuk ka TVSH, nuk ka ndryshim marzhesh, përsëri prodhues shumë i njohur, ishte 912 ALL, u bë 628 ALL (bari “ROCHEPHIN).
Përsëri, dhjetor 2014, shkurt 2015, “FRAXIPARINE” ishte 7945 ALL, bëhet 3249ALL. Pra, shifrat besoj se flasin vetë. Ja ku është prodhuesi, unë s’e përmend emrin dot, flasim për të njëjtët prodhues.
Por, sigurisht, është e drejtë që, edhe siguria e barit është shumë e ndjeshme, padyshim dhe edhe me ligjin e ri, Kuvendi na ka dhënë mundësinë, po miratojmë të gjithë aktet nënligjore, që Agjensia (AKBPM – Agjencia Kombëtare e Barnave dhe e Pajisjeve Mjekësore) të forcohet dhe të rrisë sigurinë e barit.
Sigurisht që, ka shumë për të bërë, për të ndryshuar radikalisht sistemin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri.
Por, që ka shumë më tepër barna në spitale, ky është një fakt i pamohueshëm;
Që ka shumë më tepër materiale mjekësore, është një fakt i pamohueshëm;
Të paktën nga verifikimi i djeshëm, edhe bari që normalisht me të drejtë u kërkua nga qytetari para Kryeministrisë, është në spital.
Sigurisht, që ka nevojë për investime. Por, pajisjet mjekësore, edhe kur prishen, rregullohen pas 2 ditësh, nuk rrinë më me muaj, që njerëzit të pilotohen në klinikat private. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë në rrugën e angazhimit madhor që kemi marrë: Mbulim Universal për këdo që është rezident në Shqipëri, që financohet nga taksimi i përgjithshëm dhe deri më sot, të gjitha angazhimet:
fq. 3
Për barnat, po vazhdojmë t’i ndërmarrim, - ua thamë që në fillim, do ta heqim TVSH-në e barnave, e hoqëm. Nuk u rrit çmimi, përkundrazi vazhdon të bjerë. Më shumë barna ka në treg, më shumë barna ka në Listën e Rimbursimit të vitit 2014 dhe më shumë do të ketë në listën e re të vitit 2015.
Dhe po ju them publikut sot, zyrtarisht, që për herë të parë, në vitin 2015, do fillojmë të rimbursojmë edhe materialet mjekësore, do të rimbursojmë lentet e syrit për pensionistët, do të rimbursojmë strishat e matjes së glicemisë për fëmijët e sëmurë me diabet, do rimbursojmë pajisje të rëndësishme të kardiokirurgjisë, do rimbursojmë edhe pajisje të tjera mjekësore për herë të parë.
Është një sfidë e madhe, por jemi të prirur ta vazhdojmë, por sigurisht të bindur që nuk ka reforma pa dhimbje.
Faleminderit!