Fjala e ministrit Tahiri tek takimi për Komisariatin Dixhital

“Policia, në linjë të parë të frontit të të korruptuarve, edhe në sistemin e kalbur të drejtësisë”
- Komisariati Digjital, rast suksesi, mbi 100 raportime në ditë.
- Gjyqtari Aliaj që pezulloi dje Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka qenë i shkarkuar për korrupsion, ka liruar vrasës e përdhunues, dhe është riemëruar politikisht.
- Reforma në Drejtësi, domosdoshmëri. Policia arreston prokurorë e gjykatës që marrin para, sepse sistemi i kalbur i drejtësisë që nuk lejon mekanizëm tjetër dhe reformohet vetëm përmes një tërmeti në themel.
- ‘Vendet e rezervuara’ janë bunker që do SHQUP-i për gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, që opozita kërkon t’i mbajë në sistemin e drejtësisë për të mbrojtur të korruptuarit. Ne duam të çmontojmë sistemin e kalbur që sot nuk garanton qytetarët po pushtetarët. Jo të ndershmit, por të korruptuarit.
- Ja pse Komisariati Digjital është mjet i pakorruptueshëm. Aq i besueshëm sa lindi dhe “qytetarin digjital”, “fermerin digjital” e gjithfarë gënjeshtrash që ne na bëjnë nder se na tregojnë se kemi nisur e po vijojmë rrugën e duhur për Shqipërinë që duam, që kërkon sakrifica, mund, kurajo. E këto që shihen sot janë veç grahmat e fundit të një sistemi të drejtësisë që po shkërmoqet nga koka.
- Komisariati Digjital ofron informacion për çdo shkelje, dhe jam i bindur se do jetë histori suksesi. Ashti siç ka qenë model për Policitë në disa vende të Europës. Këtë betejë me të Shkuarën do ta fitojmë, të gjithë bashkë me qytetarët e ndershëm.
 
Tiranë – Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, në kuadër të ceremonisë për 1-vjetorin e Komisariatit Digjital, gjatë Panairit “Ditë e Hapur me Policinë e Shtetit” (i cili qëndron i hapur në datat 7-8 qershor):
 
 
Kam dëshirë ta nis me një falënderim për të gjithë ata që sot një vit më parë nisën punën me ne për t’i dhënë rrugë ndoshta projektit tonë më të suksesshëm në kuadër të bashkëpunimit të Policisë me qytetarët, që është Komisariati Digjital.
Sot një vit më parë i dhamë mundësi çdo qytetari në çdo cep të Republikës, që vetëm nëpërmjet telefonit të tij të ketë mundësi të angazhojë një strukturë të tërë, që është Policia e Shtetit, për të luftuar paligjshmërinë, informalitetin, kriminalitetin. E për të garantuar, Policia bashkë me qytetarët, që Shqipëria dhe shoqëria të jetojnë në një mjedis më të drejtë, ku ligji të jetë i barabartë për të gjithë.
Dhe sot një vit më parë nisëm një punë që shumëkujt i dukej e vështirë, disave gati e pamundur, për të ndërtuar një instrument fare të vogël në dorën e çdo qytetari, i cili përmes një kliku fare të vogël në telefonin personal të secilit mund të bënte ty në gjendje të njoftoje Policinë, duke angazhuar forcën e saj për të ndëshkuar çdo lloj paligjshmërie e për të vënë në vend të drejtën.
Kjo ishte përpjekja jonë për të bërë gjithçka të mundur për të përfshirë qytetarët në një betejë të madhe të Policisë së Shtetit dhe institucioneve në tërësi për të garantuar drejtësi. E për t’iu dhënë qytetarëve mundësinë të shohin se realisht Shqipëria mund të jetë më e drejtë. Se realisht ata që shkelin ligjin nuk kanë mbrojtjen e askujt. Dhe ata që shkelin ligjin vihen para drejtësisë – pavarësisht faktit se kush është kush, pavarësisht xhepit, muskujve, tarafit. Dhe të gjitha këto i bëmë me vetëdijen tonë të madhe se një reformë themelore duhet të zerë vend në mënyrë që Shqipëria të jetë më e drejtë. Në mënyrë që gjenerata e të ardhmes të jetojë në një Shqipëri më të drejtë.
Komisariati Digjital sot ka mbi 100 klikime në ditë.
Janë mbi 100 raportime të cilat na mundësojnë të bëhemi bashkë me qytetarët. Pra janë më shumë se 100 qytetarë në ditë të cilët ndihmojnë Policinë për ndëshkimin e paligjshmërisë, raportojnë në Polici për diçka që nuk shkon e duhet ndëshkuar nga punonjësit e saj. Nga ana tjetër ndërkohë, Komisariati Digjital mundëson përgjigjen nga punonjësi i policisë kthyer qytetarit me ndëshkimin e dhënë atij që ka shkelur ligjin.
Janë mbi 70 mijë qytetarët që sot përdorin Komisariatin Digjital, një instrument kaq të fuqishëm që i lejon çdo qytetari që ketë forcën e ligjit në dorën e tij për ta bërë Shqipërinë më të drejtë. E kjo “për ta bërë Shqipërinë më të drejtë’ nuk është vetëm një frazë. Pavarësisht se ndër vite, gjatë këtyre dy dekadave, politika ka akuzuar pa fund, ndonjëherë duke ndërtuar padrejtësi e paligjshmëri pikërisht mbi slogane të tipit “Drejtësi!”, “Reformë në drejtësi!” e kështu me radhë.
Sot ka ardhur dita kur jemi të gjithë bashkë në një test historik për t’u ndarë përfundimisht nga e shkuara e për të punuar të gjithë bashkë për të ardhmen. Sot jemi në një test si shoqëri, jo partitë më shumë se Shqipëria e qytetarët, nëse duam të ecim përpara për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, apo duam të mbetemi penge  të kaluarës që nuk mjafton me atë që i shkaktoi Shqipërisë duke e lënë në këtë derexhe por që sot mundohet me çdo fuqi e forcë për të na mbajtur peng të së shkuarës.
Sot jemi në një provim madhor për të ardhmen e fëmijëve tanë nëse duam realisht të ndërtojmë mjedisin ku fëmijët tanë të ngrenë jetën e tyre bazuar mbi meritokraci, sistem arsimor që funksionon siç duhet, duke pasur mundësinë të parashikojnë të ardhmen.
Sot duhet të ndajmë nëse duam një komunitet sipërmarrësish bazuar mbi konkurrencën e ndershme e jo korrupsionin.
Sot duhet të ndajmë nëse duam një sistem drejtësie që t’i shërbejë qytetarit, pavarësisht kush ka mundësi tarafi, korrupsioni, bakshishi. Muskujsh, xhepi. Sot duhet të ndajmë nëse në sistemin e drejtësisë na duhen prokurorë e gjyqtarë që vendosin për qytetarin – e jo për më të fortin e më pas majmen me vila, bizhuteri e makina. Sot duhet të ndajmë të kemi të ndershëm aty ku na duhet puna për t’u shërbyer qytetarëve – e jo të korruptuar që t’u shërbejnë pushteteve. Jo të korruptuar në prokurori e gjykata, që janë peng i atyre që i kanë emëruar e mbrojtur kur kanë rënë në kthetrat e korrupsionit.
Dje publiku u bë me dije për një vendim Gjykate, pas kërkesës të Prokurorisë, për pezullim nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Po kush është gjyqtari që vendosi se Drejtori i Policisë, një njeri i ndershëm që ka ushtruar detyrën me ndershmëri e përkushtim, duhet të pezullohet nga detyra? Është një gjyqtar i shkarkuar për korrupsion dhe për mospërmbushje të detyrës. Po për cilin motiv? Ka liruar nga burgu, të paktën 7 herë, njerëz të akuzuar për veprat më të rënda penale. Vrasje të mbetur në tentativë? E ka liruar nga burgu. Marrëdhënie seksuale me dhunë, e ka liruar nga burgu. Vjedhje me armë, e ka liruar nga burgu. E ky gjyqtar u shkarkua. Dhe papritmas, vite më pas kthehet në detyrë. Po i njëjti.
Po si mund të kthehet në detyrë një gjyqtar që liron një përdhunues nga burgu?! Si mund të kthehet në detyrë një gjyqtar që liron një vrasës, apo grabitës me armë,  nga burgu?! Si mund të kthehet në detyrë një gjyqtar që ka dhënë prova dhe është shkarkuar pse ka shkelur ligjin me pasoja kaq të rënda?!
Dhe sot ky gjyqtar ka guximin moral, për mos të thënë kurajon institucionale, për të shkelur ligjin me të dyja këmbët e për të dhënë një vendim tërësisht politik. Ky gjyqtar është fytyra e vërtetë e atyre që sot mbrohen nga ata që nuk e duan Reformën në Drejtësi. Ky Aliaj është fytyra e vërtetë e sistemit të drejtësisë që ne nuk pranojmë e nuk duam. Ky gjyqtar është sot përfaqësuesi më evident i korporatës së të korruptuarve dhe shërbëtorëve politikë, të cilët janë të gatshëm të bëjnë gjithçka sepse detyrën e kanë dhuratë nga pushteti. Detyrën e kanë dhuratë nga pushteti edhe në kurriz të viktimave të përdhunimeve apo vrasjeve. Dhe janë të gatshëm të shërbejnë për gjithçka.
Ky gjyqtar, ky Aliaj, që liron vrasësit e përdhunuesit, që është shkarkuar pikërisht për këtë shkak, e që për arsye proceduriale është kthyer në detyrë, është sot përfaqësuesi më evident i frontit të së Keqes. Front i të Keqes që përfshin prokurorë e gjyqtarë të qelbur nga koka, të mbrojtur nga SHQUP-istë të qelbur nga koka, të cilët nuk e duan Reformën në Drejtësi. E të cilët sot duan të mbajnë Shqipërinë peng.
A e keni dëgjuar çfarë thonë? Është qesharake, por dhe dëshpëruese, për ata që deri dje ishin në qeveri e sot i thonë vetes në Opozitë por që mbajnë peng sistemin e drejtësisë, prokurorë e gjyqtarë, e që nuk duan Reformën në Drejtësi pikërisht për këtë shkak. Për të mbajtur peng Reformën në Drejtësi dhe mbi të gjitha Shqipërinë duan “vendet e rezervuara”. Po çfarë janë “vendet e rezervuara”? Për ata që nuk e dinë, e thënë thjesht: janë bunkeri i sigurt ku duan të fusin gjyqtarë alla Aliaj, prokurorë të çdo lloji të qelbur në korrupsion, për t’i mbrojtur e për t’i lënë sërish pjesë e sistemit të drejtësisë. Ky është e thënë më shkoqur “vendi i rezervuar”. Është vend parkimi i rezervuar i të korruptuarve që duan sistemin e drejtësisë. Është bunkeri i të korruptuarve që duan ta mbajnë në sistemin e drejtësisë, për të strehuar të gjithë ata të korruptuar që i kanë shërbyer pushtetit politik. E pikërisht për këtë shkak janë të gatshëm t’i bëjnë qilim që t’u shërbejnë  prapë.
Flasin për drejtësi të pavarur. Duan drejtësi të pakapur. Unë nuk di në ka ironi më të madhe se sa të dëgjosh sot SHQUP-istë të çdo lloji, të flasin për drejtësi të pakapur. Po unë nuk njoh njeri në Shqipëri që sot ta dijë sistemin e drejtësisë të futur “të pakapur”. Unë nuk di nëse një njeri sot ka një përgjigje të ndryshme nëse e pyet: “Po më mirë, më fal, është drejtësia e kapur sot?” dhe sigurisht që është. Është e kapur peng, sepse pushteti politik në kohëra i ka dhuruar imunitet gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar atëherë kur ata janë kapur në flagrancë. E nëpërmjet këtij imuniteti sot i përdor ende. Dhe nuk ka rast më evident se sa ky Aliaj, që na nxori fytyrën dje, i cili ka liruar vrasës, ka liruar përdhunues, e sot i shërben pushtetit politik, mbrojtësve politikë, porositësve politikë.
Kjo nuk është drejtësia që ne duam.
Kjo nuk është drejtësia që ne duam për fëmijët tanë, për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Kjo nuk është drejtësia për të cilën qytetarët janë munduar duke sakrifikuar me vite e dekada për të bërë të mundur që Shqipëria të jetë realisht më e drejtë, që shoqëria të jetë më e drejtë, që ligji të vlejë njëlloj për të gjithë, që institucionet të bëjnë detyrën – pavarësisht faktit kush është në pushtet, pavarësisht problemeve që koha ka grumbulluar mbi shpatullat e atyre që sot në sistemin e drejtësisë duan të mbeten të paprekshëm. Beteja jonë është kundër frontit të së Keqes të atyre në sistemin e drejtësisë, gjykatave, prokurorive, në pushtetin politik të cilët nuk e duan reformën në sistemin e drejtësisë. Atyre që duan pushtet duke shfrytëzuar padrejtësinë dhe paligjshmërinë. Atyre që nuk e kanë për gjë të shkelin me këmbë mbi qytetarët për të garantuar pushtetin politik. Atyre që nuk e kanë problem t’u japin imunitet gjyqtarëve që lirojnë vrasës dhe përdhunues, vetëm për të garantuar porosi të sigurta, kur e do interesi politik. Atyre që duan “vende të rezervuara” si bunker për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që qelben nga koka e që u del prej hundësh luksi i vilave, makinave, bizhuterive.
Ne nuk duam këtë sistem drejtësie me këta përfaqësues në sistemin e drejtësisë që lirojnë vrasës dhe përdhunues, që shkarkohen për këtë shkak e riemërohen për t’i shërbyer pushtetit politik. Ne duam të trondisim nga themelet sistemin e drejtësisë e mos të lëmë asnjë të korruptuar në këtë sistem, prokurori e gjykata qofshin.
Ne besojmë që ky sistem i kapur nuk duhet të ekzistojë më. Se ne besojmë që të korruptuarit nuk duhet të jenë më në detyrë. Se ne besojmë që në këto detyra duhet të jenë prokurorë e gjyqtarë të ndershëm që t’u shërbejnë qytetarëve me idealizmin e të bërit një botë të ndershme e të drejtë.
Është kjo arsyeja pse ne duam Reformën në Drejtësi: për të çmontuar solidaritetin e korporatës që ka fronti i të keqes. Korporatë të korruptuarish dhe porositësish dhe të të porositurve politik në Prokurori dhe Gjykatë. Ne duam të çmontojmë këtë sistem të kalbur i cili sot nuk garanton qytetarët – garanton  pushtetarët. Nuk garanton njerëzit e thjeshtë – garanton të fortët. Nuk garanton njerëzit e ndershëm – garanton të korruptuarit. I cili nuk jep drejtësi sipas të drejtës – po sipas xhepit.
Ne duam një drejtësi ku gjyqtarë të këtij modeli (si ky Aliaj i djeshëm që liron vrasës, e prokuror që shkarkohet për këtë shkak e riemërohet për t’u porositur politikisht), mos të kenë më vend në sistemin e drejtësisë. E mos të ketë as “vende të rezervuara” si bunkerë që do SHQUP-i për të mbajtur pikërisht këta në sistemin e drejtësisë. Drejtësi e kapur ku nuk ka ku të shkoj më! Ne nuk e kemi fshehur që në ditën e parë qëllimin tonë madhor për të garantuar drejtësi. Objektivi ynë themelor i kësaj qeverisje ka qenë ndërtimi i një Shqipërie më të drejtë. Se ne jemi të bindur që gjithçka ne mund të bëjmë kërkon forcën e kurajës për të reformuar në themel sistemin e kalbur të drejtësisë në Prokurori e Gjykata.
Nëse nga njëra anë në Policinë e Shtetit kemi mbi dymijë punonjës në procedim penal e disiplinor për arsye korruptive të shkeljes së ligjit, e nëse kjo tregon trashëgiminë që na lanë pas ata që deri dje ishin në qeveri dhe vullnetin tonë për të bërë një Polici të ndershme që i shërben qytetarëve, nga ana tjetër numërohen me gishtat e njërës dorë prokurorët e denoncuar nga vetë Prokuroria, gjyqtarë të denoncuar nga vetë kolegët e tyre. Numërohen më pak se gishtat e njërës dorë ata që janë çuar para drejtësisë nga Prokuroria e nga Gjykata. E të gjithë këta që janë kapur gjatë këtyre tre vjetëve, janë për shkak të punës së Policisë. Të kapur të gjithë në flagrancë duke marrë lekë, duke shërbyer para’ në këmbim të vendimeve. Po pse nuk u kapën nga kolegët e tyre në Prokurori? Apo nga kolegët e tyre në Gjykatë?
Pse duhet patjetër që Policia t’i arrestojë në flagrancë prokurorë e gjyqtarë që marrin para’? Sepse nuk arrestohen dot ndryshe. Sepse po të regjistrosh një procedim penal, ai dekonspirohet dhe ata njoftojnë njëri-tjetrin. Sepse sistemi është i kalbur. Është aq i kalbur sa është e pamundur të veprosh me mekanizma të tjerë, përveçse një “tërmeti” në themelet e sistemit të drejtësisë. Kjo është themelore. Për mos të pasur asnjë xhep apo asnjë bunker ku Aliaj-t e fytyrat e tjera si Aliaj të fshihen e të marrin garanci apo imunitet politik atëherë kur lirojnë vrasës dhe përdhunues. Apo të tjerët që i shërbejnë pushtetit politik për të fshehur nga ana tjetër pazaret e përditshme që bëjnë me para’ e korrupsion sepse kanë imunitet. I shërbejnë pushtetit politik, e pse i shërbejnë pushtetit politik është legjitime dhe të vjedhin, se “nuk thotë gjë njeri”. Ne kjo nuk na duhet.
Prandaj jemi të bindur që gjithçka po bëjmë në Policinë e Shtetit është një mekanizëm efektiv për të garantuar që puna e punonjësve të Policisë të jetë larg së qeni vulnerabël ndaj praktikave korruptuese, duke ndërtuar reforma të sistemit që ndalon çdo individ të korruptohet apo të korruptojë duke mos i shërbyer qytetarëve. Është kjo arsyeja pse Komisariati Dixhital nuk jep asnjë mundësi që punonjësi i Policisë të korruptohet. Nuk jep asnjë mundësi që punonjësi i Policisë të mos veprojë.
Kemi fatin e madh që pas Komisariatit Dixhital, aq shumë sukses garantoi kjo nismë sa lindi dhe “qytetari dixhital”, dhe  “oficeri dixhital”, dhe “fermeri dixhital”. Lindën të gjithë “dixhitalët” e tjerë të SHQUP-it që e çojnë gojën me lloj-lloj gënjeshtrash pa fund, por që ne na bëjnë mirë. Na tregojnë se jemi në rrugën e duhur. Na tregojnë se reformat që kemi nisur janë në rrugën e duhur. E ne nuk kemi bërë gjithçka, jemi larg  të së qenit gjithçka, por jemi në rrugën e duhur. Kemi nisur në rrugën e duhur dhe po vazhdojmë me reforma në rrugën e duhur. Sepse të bësh Shqipërinë vendin dhe shoqërinë e drejtë  që duam kërkon punë dhe sakrifica, idealizëm, forcë kurajo. Kërkon mund për të përballur sakrificat dhe pengesat që na vejnë rrugës. Po këto që shihni sot janë veçse grahmat e fundit, thirrjet e fundit, lebetitjet e fundit të një sistemi që po shkërmoqet nga koka dhe duhet t’i durojmë.
T’i mirëkuptojmë me dashamirësi çdo prokuror apo gjyqtar që sot përpiqet të bëjë diçka për të na penguar në rrugën tonë të reformimin e këtij sistemi të drejtësisë që është në frymëmarrjet e fundit, të këtij sistemi të kalbur dhe të qelbur nga koka. Dhe duhet t’i mirëkuptojmë. Kaq kanë mundësinë të bëjnë. S’kanë mundësi më shumë. Dhe kaq sa kanë mundësi do i përballim. Aty na kanë, ditë për ditë, duke luftuar krimin dhe korrupsionin. Dhe nuk do ndalemi pavarësisht të gjithave. Beteja jonë për reformimin e sistemit të drejtësisë sapo ka filluar.
Por edhe beteja jonë për turpërimin publik të  gjithë atyre në prokurori apo gjykatë për gjithçka kanë bërë sapo ka filluar. Ne jemi shumë të vendosur t’i tregojmë publikut gjithçka. Sepse jemi të bindur se publiku duhet të dijë kë ka prokuror, kë ka gjyqtar, ç’pasuri kanë, si e fitojnë jetesën, çfarë vendimesh marrin në detyrë, si jetojnë, çfarë bëjnë për të kuptuar se cili është i korruptuar dhe kush është i ndershëm. Publiku duhet të dijë kush nga këta meriton të jetë funksionar publik që i shërben qytetarëve dhe kush nga këta meriton të turpërohet publikisht si shërbëtor politik që shkarkohet, si ai Aliaj i djeshëm pse liron vrasës dhe prokurorë dhe riemërohet për t’i shërbyer politikisht tutorëve politikë.
Ne këtë sistem nuk e pranojmë. Ne këtë sistem e refuzojmë, duke u përpjekur të bëjmë gjithçka është e mundur për ta reformuar në themel. Policia është në linjën e parë të frontit që lufton të korruptuarit që kanë mbetur ende dhe për pak kohë në sistemin e drejtësisë. Dhe çdo goditje që i bëhet Policisë është e kuptueshme, tërësisht e kuptueshme. Por kemi mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Mbështetjen dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Ndaj jepini forca, të bëjmë gjithçka është e domosdoshme për të përmbushur detyrën dhe misionin e Policisë së Shtetit për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të luftuar të korruptuarit dhe kriminelët.
Dhe në këtë betejë nuk na ndal dot askush. Sepse ne këtë betejë do ta fitojmë me çdo çmim. Me çdo kosto. Duke i treguar vendin cilitdo që përpiqet të na pengojë në rrugën tonë për të garantuar Shqipërinë e të ardhmes, për fëmijët e të ardhmes.
Unë dua të falënderoj dhe një herë ekipin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit që është angazhuar për të bërë të mundur që Komisariati Dixhital të funksionojë ashtu siç duhet. Për të bërë të mundur që Komisariati Dixhital të japë një nivel të tillë shërbimi ndaj qytetarëve të cilët sot besojnë, duke ofruar informacionin e tyre për çdo shkelje. Jam shumë i bindur që Komisariati Dixhital do jetë një histori suksesi, këtu dhe vite më pas. Ashtu siç ka qenë një model i denjë për t’u ndjekur nga policitë e vendeve të Bashkimit Europian. Janë rreth 5 agjenci, polici të vendeve partnere të cilat kanë marrë këtë model, duke treguar se me vullnet pozitiv, idealizëm dhe kurajo mund të bëjmë gjëra që askush nuk i ka imagjinuar, dhe jo më t’i bëjë më parë.
Ashtu siç jam i bindur që një ftesë duhet t’i shkojë edhe “Qytetarit Dixhital”. Të na ndihmojë edhe me informacionin për Komisariatin Dixhital sepse përtej thashethemeve, përtej rrëmujës, përtej errësirës, përtej pengmarrjes që kërkojnë të bëjnë duke i imponuar qytetarëve të kaluarën, ne do dalim në sipërfaqe duke luftuar të gjithë bashkë, për të garantuar të ardhmen. Ne do ia dalim me reformën në sistemin e drejtësisë. Sepse këtë e duan 99% e qytetarëve shqiptarë.
Ashtu si nuk ka asnjë arsye në botë të pranojmë këto “vende të rezervuara”, këto bunkerë të korrupsionit që kërkojnë të mbajnë në sistemin e drejtësisë si vendstrehime për ata që janë të korruptuar, duke liruar vrasës dhe përdhunues dhe që sot janë akoma aty duke ofruar fytyrën e tyre dhe të rënën e çekiçit sa herë pushteti politik ia kërkon.
Kjo është një betejë me të shkuarën dhe ne këtë betejë do ta fitojmë patjetër. Të gjithë bashkë dhe me qytetarët që reformën në sistemin e drejtësisë.
Faleminderit!
 
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë