Fjala e plotë e Bashës në tryezen e rrumbullaket per autonomine vendore

Shoqatat e të zgjedhurve vendorë i janë drejtuar mazhorancës me një rezolutë të përbashkët ku i kërkojnë diskutimin dhe miratimin pa humbur kohë të strategjisë së decentralizimit dhe rishikimin e hartës, në funksion të interesave të qytetarëve dhe përmirësimit të shërbimit ndaj tyre. Kryetari i shoqatës së bashkive, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha ka theksuar se ndarja administrative territoriale rezulton një ndarje elektorale politike, për interesa të mazhorancës qeverisëse.

“Kemi thënë dhe themi se harta territoriale Rama-Meta është hartë pazaresh, nuk është hartë qytetarësh, nuk zgjidh asnjë nga problemet që shtruam për zgjidhje, një lojë kungulleshkash që nisi e përfundoi me interesat politike në mendje dhe me shkelmimin e interesit qytetar. Presim që KQZ të vazhdojë procesin e vlerësimit për referendumet që kanë kërkuar 70 mijë bashkëqytetarë, 125 njësi vendore. Dua ta bëj fare të qartë se 21 qershori është për ne jo vetëm dita e zgjedhjeve vendore por edhe dita e një referendumi të madh popullor kundër hartës dhe asaj që përfaqëson harta, përbuzjes dhe braktisjes së interesit qytetar, interesi vetjak, politik mbi gjithçka, politikës në stratosferë dhe problemeve në tokë që nuk i sheh dot, nuk i dëgjon dot, nuk i ndjek dhe nuk u jep dot zgjidhje” - deklaroi z. Basha.

Në tryezën e rrumballakët, drejtues të bashkive dhe komunave të vendit kanë shprehur shqetesimin se cënimi i autonomisë vendore ka sjellë ndikimin e saj negativ në cilësinë e shërbimit të qytetarëve, transparencën, mënyrën e llogaridhënies dhe procesin e decentralizimit.

“Kaq e pafytyrë, e pandjeshme është kjo përqasje ndaj interesit qytetar saqë nuk bëhet as përpjekja më e vogël për ta maskuar procesin, për të dhënë të paktën ndjesinë se: ”Ok, hartën e bëmë, për kompetencat do të flasim pas një viti”. “Prit gomar, të mbijë bar!” Prit qytetar! Bëj një herë zgjedhjet, të shohim se kë do të kapë partia ime e kë do ta kapë partia jote e pastaj shohim se çfarë kompetencash do t’u japim. Se në thelb është interesi politik, në thelb është axhenda politike, në thelb është kjo ndasi e tmerrshme midis Shqipërisë së politikës e pushtetit në veçanti dhe realitetit të qytetarëve. Kanë sjellë një ligj të turpshëm, amendime të turpshme në Kuvend, që asgjë nuk zgjidhin. E kanë bërë këtë pasi janë kujdesur që të thithin deri në pikën e fundit çdo kompetencë ligjore të pushtetit vendor. T’ua lidhin duart mirë pushtetarëve të djathtë dhe të majtë, të mos i lënë dot të bëjnë as buxhet. Aty ku kanë qënë në gjendje që të bëjnë buxhetin, t’i nxjerrin 100 bishta që të mos e ekzekutojnë atë” – u shpreh z. Basha.

Sot, në prag të zgjedhjeve lokale, theksuan të zgjedhurit vendorë mungon një reformë e plotë e decentralizimit, një paketë e plotë ligjesh dhe aktesh, që përcaktojnë qartë shtyllat kryesore të konsolidimit të mëtejshëm të autonomisë vendore në të gjitha nivelet e qeverisjes vendore, të mbështetur në parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes financiare për funksionet dhe kompetencat e njësive vendore, mbështetur në parimin e transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.

“Jemi këtu për të propozuar zgjidhje nga kjo situatë e papranueshme për qytetarin shqiptar. Jemi këtu për ti thënë arbitraritetit dhe arrogancës së verbër së pushtetit qendror, për ti thënë ndal. Pushteti nuk është vetëshërbim. Qytetari është thelbi i kësaj reforme. Ndal dhe reflekto! Duhet të dimë se si do të funksionojë pushteti! Çfarë kompetencash do t’i japim ne kryetarit, këshillit për të qenë më afër qytetarit për ti zgjidhur më mirë problemet e tyre, se këto kompetenca nuk do të bien nga qielli. Nuk do të vijnë as nga Meka as nga Betlehemi. Do t’i japë qeveria qendrore. Nëse nuk do t’i japë, do ti mbajë gjithmonë e më shtrënguar kapistallin, atëherë po paralajmëron një gjëmë të përmasave të papara. Paralizimin total të pushtetit vendor. Largimi dyfish, në krahasim me sot, të politikës si instrument për të qenë pranë qytetarëve nga qytetari.

Për të evituar këtë kolaps nuk jemi kurrë vonë, ndaj përsëris thirrjen time ndaj përgjegjësve të situatës pa krye deri tani, z. Rama e Meta, të ndalin këtë ecje të verbër drejt humnerës, greminës, drejt

asgjësimit të pushtetit vendor dhe t’i rikthehemi me konsensus dhe me qytetarët një procesi gjithpërfshirës që në thelb të ketë interesin e tyre, të qytetarëve, të qartësojmë sipas praktikave më të mira se si do i përmbushim sfidat e 25 viteve të ardhshme apo 15 a 10 viteve të ardhshme e pasi ta kemi bërë këtë, vetëm pasi ta kemi bërë këtë, t’i rikthehemi edhe njëherë ndarjes territoriale. Ku ka vullnet, dëshirë, aty ka edhe rrugëzgjidhje. Koha është më se e mjaftueshme” - deklaroi kryebashkiaku Basha.

Për të evituar kolapsin e paevitueshëm para dhe pas zgjedhjeve vendore si dhe dështimin e funksionimit të pushtetit vendor, të zgjedhurit vendorë kërkuan:

1. Të ndalohet menjëherë cënimi flagrant i të drejtave dhe përgjegjësive të pushtetit vendor, si e drejta për zhvillimin urban të territorit, e drejta për të mbledhur dhe administruar taksat brenda territorrit, e drejta për administrimin e pronave në nivel vendor, e drejta për të planifikuar të ardhurat dhe shpenzimet si dhe për të alokuar e përdorur fondet e duhura në shërbim dhe sipas prioriteteve të komunitetit.

2. Nisjen e punës për hartimin e Strategjisë së Decentralizimit për mes një procesi gjithëpërfshirës, konsultues e transparent, bazuar në eksperiencën tonë të deritanishëm, duke vlerësuar me realizëm problemet dhe dështimet, si dhe duke marrë për referencë ekspertizën e huaj dhe praktikat më të mira, ne dobi të zgjerimit e konsolidimit të autonomisë vendore. me një vizion të përbashkët të ekzekutimit të kompetencave dhe mundësive nga kjo paketë ligjore të përshtasim hartën territoriale me transparencë maksimale dhe duke marrë parasysh edhe kerkesat e qytetarëve. Në këtë strategji të përcaktohen qartë vizioni, ndarja e kompetencave dhe funksioneve, harmonizimi apo delegimi i përgjegjësive ndërmjet niveleve të qeverisjes, të përcaktohen mënyrat, mjetet dhe burimet financiare për përmbushjen e kësaj reforme.

3. Të hartohet një paketë e plotë ligjore në mbështetje dhe në zbatim të strategjisë së decetralizimit, përfshirë rishikimin e plotë të ligjit “Për organizimin e funksionimin e njësive të qeverisjes vendore”, hartimin e ligjit për decentralizimin fiskal dhe financat vendore, duke i dhënë zgjidhje ligjore dhe të plotë çështjeve për të cilat u inicua dhe u ndërmorr kjo reformë.

Fjala e kryetarit te shoqatës se bashkive dhe kryetarit të Bashkise së Tiranës, z. Lulzim Basha:

Të zgjedhur vendorë, kryetarë bashkish, komunash, kryetarë të qarqeve këshilltarë e kryetarë këshillash vendore të Shqipërisë, deputetë, ekspertë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave ndërkombëtare që kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre për decentralizimin, sjelljen sa më afër të pushtetit dhe të kompetencave e detyrave të pushtetit tek qytetarët.

Takimi i sotëm është në vazhdën e takimeve të përfaqësuesve të zgjedhur të interesave të komuniteteve vendore, për të diskutuar mbi një çështje shumë të rëndësishme që nuk ka të bëjë siç mundohet ta paraqesë dikush me fatin e të zgjedhurve vendorë por ka të bëjë më fatin e qytetarëve të Shqipërisë, ka të bëjë me dilemën e madhe nëse ky vend, në kuadër të integrimit europian do të shkojë drejt standardit europian të pushtetit sa më pranë qytetarit, të përfaqësimit sa më demokratik të qytetarit tek pushtetari vendor, të jetësimit të parimit të subsidiaritetit që është guri i themelit të BE, një term totalisht i pakuptueshëm edhe për shumicën dërrmuese të qytetarëve europianë por që do të thotë me dy fjalë, që kompetencën për të zgjidhur një problem përmes ushtrimit të pushtetit, ligji duhet t’ia delegojë hallkës më pranë qytetarit, pra që problemi duhet të zgjidhet në radhë të parë nga hallka më afër qytetarit dhe vetëm kur kjo është e pamundur t’i delegohet një hallke më lart.

Mbi këtë bazë është themeluar BE si një projekt paqeje, mirëqenie, demokracie dhe përfaqësimi. Është standardi të cilin duam të gjithë dhe në fakt për 23 vjet, prej vitit 1992, në Shqipëri janë adoptuar vit pas viti, legjislaturë pas legjislature praktika që kanë mundësuar që pushteti vendor në Shqipëri në radhë të parë të bëhet demokratik pra të mos kishim më kryetarë komitetesh ekzekutivë por të kishim të zgjedhur që përfaqësonin drejtpërdrejt, me votën e qytetarëve interesat e tyre; së dyti që këta të zgjedhur të mos kishin vetëm “çelësat e kashtës” apo zinxhirin për të dredhur por të kishin kompetencat dhe bashkë me kompetencat përgjegjësitë për të ndihmuar qytetarët, nga njëra anë çështjesh të ndryshme të jetës së tyre të përditshme, që nga pastrimi, mbledhja e plehrave tek rregullimi i infrastrukturës primare, shërbimet sociale e kështu me radhë, ndryshime që më vonë, pas paketës së 98-ës të vitit 2000 dhe veçanërisht pas vitit 2005 panë zgjerim të kompetencave, të mundësive të pushtetit vendor, të kompetencave nga njëra anë dhe mundësive nga ana tjetër ndonëse duhet të jemi kritikë edhe me veten tonë, mundësitë mund të kishin qenë edhe më të mëdha, kompetencat apo përgjegjësitë që iu dhanë pushtetit vendor ishin të mëdha por mundësitë mbetën të kufizuara. Marrim

shembullin e Tiranës (jo për egoizëm) ku 45% e buxhetit të shtetit vjen nga xhepat e qytetarëve të këtij qyteti por Bashkia destinon vetëm 1.8% të këtyre të ardhurave për punët e këtij qyteti.

Kthemi tek çështja parimore që na mbledhur këtu. A do të vazhdojmë në këtë drejtim, a do të vazhdojmë t’u sjellim qytetarëve më afër pushtetin dhe bashkë me pushtetin përgjegjësinë, transparencën dhe llogaridhënien!? A do të zgjerojmë mundësinë që çdokush që ka një hall a problem për të qarë të dëgjohet, së pari të dëgjohet nga një përfaqësues demokratik, jo nga një zyrtar anonim, nga një burokrat por nga një përfaqësues demokratik i qytetarit, nga kryetari i Bashkisë apo i komunës?!; së dyti a do i japim mundësinë këtij zyrtari të zgjedhur në mënyrë demokratike, këtij përfaqësuesi ta zgjidhë atë problem, kompetencat dhe së treti a do i japim mundësinë ta zgjidhë atë problem se mund t’i japësh kompetencat por nuk i jep mundësinë, nuk i jep fondin apo e detyron të përplaset me 4 apo 5 dyer shurdhe e memece të zyrave qendrore.

Helbete në Tiranë, se jemi në një bulevard të gjithë. Po këta që duhet të komunikojnë me institucionet qendrore në Tiranë nga majat më të larta të vendit. Këta janë dilemat dhe dhe s’kanë të bëjnë me interesa politike, s’kanë të bëjnë me mënyrën se si partitë politike pozicionohen për vota në prag fushatash. Kanë të bëjnë me faktin se si do të funksionojë pushteti vendor pas 21 qershorit. Kjo na ka mbledhur këtu.

Duhet të qartësojmë se çështja kryesore në vëmendjen e qytetarëve, ajo e hartës është një çështje për të cilën pozicionet tashmë janë fare të qarta. Ne kërkuam, të zgjedhurit vendorë me shumicë dërrmuese kërkuan që së pari të kishim një koncept decentralizimi. Sa më shumë halle do u zgjidhim qytetarëve me këtë koncept të vitit 2014 apo 2015, se ç’u zgjidhnin këto 20 vjet?! Si do ua zgjidhim këto halle e probleme? Si do kemi mundësi t’u vijmë në ndihmë për problemin e përditshëm, si do kemi mundësi të planifikojmë më qartë dhe më shumë që mos t’i bëjmë nga një rrugë në vit, lagjes, komunës apo bashkisë por t’i vijmë në ndihmë duke bërë një bllok të tërë banimi, bashkë me infrastrukturën mbështetëse? Si do kemi mundësi t’i mbështesim nevojat e tyre për ujë të pijshëm pa kaluar në labirintet komplekse të bordeve dhe lejeve qeveritare? Si do kemi mundësi të rregullojmë parimet bazë të llogaridhënies ndaj tyre? Si do kemi mundësinë të realizojmë standardet bazë të të qënit europian, ujësjellës, kanalizim 100% funksional?!

Të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje sepse njëra palë në debat e kishte mendjen vetëm tek harta dhe sot vetëm hartën kemi, “hartën e mysybetit”. Nisi si një proces ku duhet të përfshiheshin të gjitha palët dhe duhet të konsultoheshin qytetarët, përfundoi si kompromis midis Ramës e Metës. Kompromis për çfarë? Jo për atë që duan qytetarët. Kompromis i pastër politik, kompromis për të emëruar kandidatët e për t’i dhënë shanse të kenë zona sa më të përshtatshme për kandidimin e tyre. Kur panë që kjo u ngeci, na bënë thirrje edhe neve të ulemi në këtë sofër pazari të pistë. Nuk jemi ulur e nuk do ulemi kurrë në këtë sofër, sepse kjo është sofra e korrupsionit politik që qytetarin e trajton si bagëti dhe mbi të gjitha vendos interesin politik. Kjo është sofra e shpërfilljes dhe braktisjes së interesit qytetar, është sofra që e ka larguar e po e largon me shpejtësi drite politikën nga hallet e problemet e qytetarëve. Është sofra e dy Shqipërive, njërës që përpëlitet për bukën e gojës përballë arrogancës, shpërfilljes, braktisjes, mosdëgjimit nga pushteti dhe tjetrës që kridhet në lukse të papara e të padëgjuara, pikërisht për shkak të favoreve të pushtetit. Kjo është një sofër që i kemi rënë me shkelm dhe nuk do e pranojmë kurrë.

Kemi thënë dhe themi se harta territoriale Rama-Meta është hartë pazaresh, nuk është hartë qytetarësh, nuk zgjidh asnjë nga problemet që shtruam për zgjidhje, një lojë kungulleshkash që nisi e përfundoi me interesat politike në mendje dhe me shkelmimin e interesit qytetar. Presim që KQZ të vazhdojë procesin e vlerësimit për referendumet që kanë kërkuar 70 mijë bashkëqytetarë, 125 njësi vendore. Dua ta bëj fare të qartë se 21 qershori është për ne jo vetëm dita e zgjedhjeve vendore por edhe dita e një referendumi të madh popullor kundër hartës dhe asaj që përfaqëson harta, përbuzjes dhe braktisjes së interesit qytetar, interesi vetjak, politik mbi gjithçka, politikës në stratosferë dhe problemeve në tokë që nuk i sheh dot, nuk i dëgjon dot, nuk i ndjek dhe nuk u jep dot zgjidhje.

Megjithatë tema e diskutimit sot ka të bëjë me diçka tjetër, ka të bëjë me faktin se kaq e pafytyrë e pandjeshme është kjo përqasje ndaj interesit qytetar saqë nuk bëhet as përpjekja më e vogël për ta maskuar procesin, për të dhënë të paktën ndjesinë se :”Ok, hartën e bëmë, për kompetencat do të flasim pas një viti”. “Prit gomar, të mbijë bar!” Prit qytetar! Bëj një herë zgjedhjet, të shohim se kë do të kapi partia ime e kë do ta kapi partia jote, e pastaj shohim se çfarë kompetencash do t’u japim. Se në thelb është interesi politik, në thelb është axhenda politike, në thelb është kjo ndasi e tmerrshme midis Shqipërisë së politikës e pushtetit në veçanti dhe realitetit të qytetarëve. Kanë sjellë një ligj të turpshëm, amendime të turpshme në Kuvend, që asgjë nuk zgjidhin. E kanë bërë këtë pasi janë kujdesur që të thithin deri në pikën e fundit çdo kompetencë ligjore të pushtetit vendor. T’ja lidhin duart mirë

pushtetarëve të djathtë dhe të majtë, të mos i lënë dot të bëjnë as buxhet. Aty ku kanë qënë në gjendje që të bëjnë buxhetin, t’i nxjerrin 100 bishta që të mos e ekzekutojnë atë. Aty ku projekte madhore janë në ekzekutim, siç është rasti i Tiranës të veprojnë jo vetëm në kundërshtim me ligjin por si banditë, edhe në kundërshtim me vendimet e gjykatave për të bllokuar këto projekte. Ky është koncepti i konkurrencës së pushtetarëve qendrorë. Bënë Bashkia investimet për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës, mazallah se do të bëjnë këta Unazën që të konkurrojnë- ”Ju bëtë këtë, ne bëjmë Unazën.” Jo!” –bllokon bulevardin. “S’e kanë ndërmend të bëjnë golin e tyre por t’i presin këmbët kundërshtarit”. E kur ndodh kjo në mes të Shqipërisë, këtu ku janë sytë dhe veshët e mediave, institucionet ndërkombëtare, merre me mend se çfarë bëjnë qendra të tjera me pushtetin vendor në Shqipëri. Rezultati është kaos dhe amulli totale. Rezultati është frenim deri në vdekje klinike të shërbimeve bazike ndaj qytetarit. Deri sa të dalin disa prej përfaqësuesve politikë,: “Bile unë them ta bëjmë Shqipërinë një Bashki të gjithën”, -siç tha gjyshi i dashur i Edit para disa ditësh në televizor. “Ta bëjmë një mer jahu, ç’na duhen gjithë këto bashki e komuna!” Se në fund pastaj vjen edhe banalizimi primitiv :”S’na duhet pushteti vendor?!” Në fakt nuk na duhet as Parlamenti!Të sigurt që po ta hedhim në votë :“Kë doni më shumë Parlamentin apo pushtetin vendor?!”Rezultati do të ishte interesant. Po qeveria për çfarë na duhet?! Po policia, po gjykatat për çfarë na duhen?! Aaaa, na duhen kur jemi në pushtet! Kur jemi ne! Por nuk na duhen kur ndajmë me ta kompetencat. Ky proces është një proces primitiv, antiqytetar. Faturën në fund të fundit po e paguajnë dhe do ta paguajnë qytetarët. 61 lordët, baronët që kanë ndërmend këta me këtë hartë do të jenë lord dhe baronë për interesat e tyre, se nuk do të kenë asnjë mundësi të jenë më afër qytetarit. Çfarë mundësie do të ketë kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës afër qytetarit të Shëngjergjit me 1.8% të të ardhurave ?! Apo i lidhin shumë problemet e Shëngjergjit me problemet e minibashkisë nr.10 apo qoftë nr.11 ?! Sa herë në javë do të shkojë kryetari i Bashkisë së Kirit nga Aplet në Velipojë?! Sa ditë në javë do të jetë në Velipojë?! Sa ditë në javë do të jetë në Kelmend?! Apo do të vejë kukullat atje! Do të vejë Liza Tafajn dhe sekretaren e Koços të merret me atë punë.

Megjithatë detyra jonë sot është përtej denoncimit të problemit. Kemi denoncuar dhe do të denoncojmë me zë të lartë por nuk do të mjaftohemi me kaq. Nuk jemi thjeshtë dhe vetëm në detyrën tonë ëp rtë than ëtë vërtetën. Nuk jemi në detyrën tonë për të shprehur indinjatën e qytetarëve se kemi edhe OJQ që e bëjnë atë. Megjithëse në këtë rast shumica prej tyre kanë heshtur. Jemi këtu për të propozuar zgjidhje nga kjo situatë e papranueshme për qytetarin shqiptar. Jemi këtu për ti thënë arbitraritetin dhe arrogancës së verbër së pushtetit qendror për ti thënë : Ndal! Pushteti nuk është vetësherbim. Qytetari është thelbi i kësaj reforme. Ndal dhe reflekto! Siç të thamë para një viti, decentralizim, një koncept i ri i

cili të mësoi nga gabimet, mangësitë dhe të metat e 24 viteve decentralizim dhe ti përmirësojë ato. Dhe një prapaktheu me një formulë “Sui generis”-“alla sojshe” , alla Rama-Meta, pa asnjë paralele në praktikën botërore, me përjashtim të praktikës së makutërisë të pushtetit. Të denja jo për shtet ligjor, jo për demokraci europiane. Gjithmonë e më pak të denja për Afrikën Ekuatoriale. Pa asnjë paragjykim racial.

Kemi thënë pra se decentralizimi duhet t’i prijë hartës. Duhet të dimë se si do të funksionojë pushteti! Çfarë kompetencash do t’i japim ne kryetarit, këshillit për të qenë më afër qytetarit për ti zgjidhur më mirë. Se këto kompetenca nuk do të bijnë nga qielli. Nuk do të vijnë as nga Meka as nga Betlehemi. Do t’i japë qeveria qendrore. Nëse nuk do t’i japë, do ti mbajë gjithmonë e më shtrënguar kapistallin, atëherë po paralajmëron një gjëmë të përmasave të papara. Paralizimin total të pushtetit vendor. Largimi dyfish, në krahasim me sot, të politikës si instrument për të qenë pranë qytetarëve nga qytetari.

S’po flasim për faktin se kanë mbajtur Qarkun si “lëkurë qingji të rrjepur”. Tani i hoqën edhe nëpunësit. E kanë mbajtur se s’e hiqnin dot koncepti shtetar. E mbajmë Qarkun se nuk e heqim dot. Zero koncept. Zero koncepte për shtet-formim. Ky është anti-shtet i veshur me kostume të shtrenjta të shtetarësh të korruptuar. Ne kërkojmë që ky diskutim së pari, të jetë një diskutim shterues i problematikës konkrete. Kërkojmë që qëndrimet tona sot të shikohen jo si një kacafytje politike, për të cilën jemi në të drejtën tonë në emër të qytetarëve por si një ofertë të fundit për t’ju rikthyer së drejtës së arsyes. Për të marrë në dorë procesin dhe për ta trajtuar atë si një instrument për qytetarët dhe jo për politikanët. Duke dhënë koncepte të qarta se si do të ofrojmë pushtetin vendor më afër qytetarit?! Si do ta pajisim me kompetenca, që pas 21 qershorit qytetarët të shërbehen më mirë, më shumë, më shpejt, të dëgjohen dhe zëri i tyre të jetë baza e vendimmarrjes politike, të respektohen e të kërkojnë llogari jo me formula lejifemiste që na i ka rikthyer në modë kjo shumicë por siç kërkon llogari një vend europian, në mënyrë demokratike, me votë, me transparencë, me këshilla funksionale, me të zgjedhur vendorë dhe jo anonimë të emëruar pranë qytetarëve dhe me qytetarët.

Për të evituar këtë kolaps nuk jemi kurrë vonë, ndaj në nisje të këtij takimi përsëris thirrjen time ndaj përgjegjësve të situatës pa krye deri tani, z. Rama e Meta, të ndalin këtë ecje të verbër drejt humnerës, greminës, drejt asgjësimit të pushtetit vendor dhe t’i rikthehemi me konsensus dhe me qytetarët një procesi gjithpërfshirës që në thelb të ketë interesin e tyre, të qytetarëve, të qartësojmë sipas praktikave më të mira se si do i përmbushim sfidat e 25 viteve të ardhshme apo 15 a 10 viteve të ardhshme e pasi

ta kemi bërë këtë, vetëm pasi ta kemi bërë këtë, t’i rikthehemi edhe njëherë ndarjes territoriale. Ku ka vullnet, dëshirë, aty ka edhe rrugëzgjidhje. Koha është më se e mjaftueshme.

Me këtë ftesë pozitiviteti, më lejoni ta deklaroj të hapur takimin e të procedojmë sipas rendit të ditës.”

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Bie nga kati i dytë i banesës, ndërron jetë fëmija 8-vjeç në Bathore