Sapo kemi finalizuar një marrëveshje për të ecur në rrugën e partneritetit politik me partinë e drejtuar nga zoti Idrizi. Sigurisht që, diskutimi është përqendruar në radhë të parë tek vija kryesore e këtij partneriteti politik, çka do të thotë se së bashku me PDIU ne do të jemi në bashkëqeverisje.

Natyrshëm, kemi diskutuar edhe për stacionin e parë të këtij rrugëtimi, që është stacioni i zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ku do të dalim së bashku me 61 kandidatë të koalicionit qeverisës. Më konkretisht, do të shkëmbejmë opinionet dhe vendosim për këto kandidatura me një vëmendje të veçantë ndaj opinionit të PDIU në disa qarqe ku edhe influenca politike e kësaj partie është më e qenësishme, sesa në qarqe të tjera ku sidoqoftë, ne e konsiderojmë PDIU një partner mjaft të rëndësishëm.

E di që do të pyesni për emra konkret njësish, por nuk kemi emra konkret. Sepse, kemi vendosur ta ndërtojmë këtë partneritet duke u bazuar tek domosdoshmëria që të gjithë kandidatët të jenë të miratuar së bashku. E, në rastin konkret të PDIU-së që në disa prej qarqeve të kemi dhe kontributin e drejtpërdrejtë të PDIU.

Së fundmi, dua të sqaroj, që gabimisht por edhe për shkak besoj të mënyrës si është proceduar në të shkuarën, ju raportoni se iu dhanë 15 bashki Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërkohë që ne nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë ndarje mes bashkisë dhe partive. Por, do të bashkojmë të gjitha partitë e koalicionit tonë në mbështetje të një kandidati në çdo njërën nga 61 bashkitë. E drejta për të propozuar nuk është një ndarje sinorësh, sepse thirrja jonë për qytetarët në 21 qershor do të jetë të votojnë kandidatin tonë, apo kandidaten tonë. Kandidati apo kandidatja jonë janë kandidatë të përbashkët të koalicionit tonë. Do të marrin përsipër të çojnë përpara punën e koalicionit tonë në nivel vendor. Do të marrin përsipër të realizojnë programin e koalicionit tonë në nivel vendor. Do të marrin përsipër të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve në nivel vendor.

Siç kemi vepruar në nivelin qendror pas fitores së 23 qershorit, ku nuk kemi ndarë sinore të qeverisjes, por kemi ndarë përgjegjësi, do të vazhdojmë të ndajmë përgjegjësi së bashku. Kjo është një qasje e re. Ne jemi të vendosur që të ecim më tutje me këtë qasje sepse besojmë tek bashkimi i kontributeve dhe jo tek ndarja e sinoreve.

Besoj se për sot mjafton. Këtu nuk kemi të bëjmë me kalim majtas apo djathtas. Këtu kemi të bëjmë me rritjen e forcës politike të këtij vendi për të ecur drejt. Për të ecur drejt dhe për të shkuar më tutje në rrugën pakthim të një rilindje ku pa as më të voglin ndryshim, të gjitha forcat, përjashto forcën që humbet çdo ditë fuqinë e saj, fatkeqësisht Partinë Demokratike, mund të japin kontributin e tyre duke ruajtur identitetin e tyre, duke ruajtur zërin e tyre dhe duke pasuruar kompleksitetin e një koalicioni, që i duhet sot Shqipërisë.  E cila, kam kënaqësinë të them, se bazuar në të gjitha anketimet tona të kohëve të fundit konsiderohet nga shumica dërrmuese e shqiptare se po ecën në drejtimin e duhur.