Të nderuar pjesëmarrës, është kënaqësi e madhe dhe privilegj për herë të tretë në detyrën time si kryetar i Bashkisë së Tiranës bashkohemi gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, sëbashku.

Privilegji është edhe më i madh që ftesën time e keni pranuar në një natë shumë të veçantë, më të veçantën, siç është Nata e Kadrit dhe dua pikë së pari t’ju përcjell nga zemra ime ju dhe përmes jush, të gjithë besimtarëve të kryeqytetit, të gjithë myslimanëve shqiptarë, të gjithë besimtarëve të Zotit, të gjithë shqiptarëve, lutjen, urimin tim “Për një Agjërim të lehtë e të pranuar, e në veçanti në këtë javë të fundit të këtij muaji të shenjtë”. 
 
Muaji i Ramazanit, ka qenë ndër shekuj një rast për reflektim të brendshëm shpirtëror, një rast për të forcuar përmes durimit, sakrificës së trupit, virtytin dhe vlerat dhe për t’i vënë ato në funksion të një familje, të një shoqërie, të një kombi më të mirë.
 
Para se të vija këtu, dhe në fakt gjatë gjithë ditës së sotme më ka shoqëruar një reflektim i veçantë, i cili mori shkak nga të lexuarit e një shkrimi të një miku tim, pak ditë më parë. Ai shkruan për një figurë historike të njohur të shekullit të X në Spanjë, Emirin dhe Kalifin e Kordobës, Abdurrahman III, një prej sundimtarëve më jetëgjatë të Kordobës, i cili sundoi për plot 50 vite, dhe siç e la vetë me dorë, me shkrim, në këto 50 vite e donin vartësit, ia kishin frikën armiqtë, ia vlerësonin miqësinë aleatët, pushteti, paraja dhe kënaqësia ishte në “majën e dorës së tij”,  asgjë mbi këtë tokë nuk i mbeti pa plotësuar. Rrëfim i bukur apo jo?! Por rrëfimi mbaron me një fjali, “ Me gjithë këtë jetë të gjatë mundësish, i numërova”-thotë Emiri i Kalifit të Kordobës,-”ditët e lumturisë së plotë dhe të vërtetë, e më dolën plot 14 ditë”.
 
Problemi i Emirit pra nuk ishte lumturia por ishte mungesë e lumturisë, mungesa e lumturisë e një njeriu që i kishte pasur dhe provuar të gjitha, madje me tepricë do të thonin disa prej historianëve të sotëm.
 
Mungesa e lumturisë nuk është diçka e huaj për jetën njerëzore dhe në përgjithësi njerëzit ia atribuojnë atë rrethanave, varfërisë, papunësisë, pamundësisë për të arritur, apo për të bërë diçka, por siç thotë edhe vetë rrëfimi i Kalifit, “Edhe kur i ke, edhe kur i merr, edhe kur i ke kapur të gjitha, lumturia mesa duket nuk qenka kaq e kollajtë”.
 
Këtë e dimë, e dimë edhe nga sjellja dhe nga veset tona shoqërore, e dimë për shembull kush ka njohur apo njeh alkoolistë, se alkoolin e përdorin për të larguar frikën, apo për të zbutur shkakun e pa lumturisë, por pikërisht kjo i çon në palumturi edhe më të madhe. Edhe në politikë, apo në nivelet e larta të biznesit, kush ka miq dhe shokë e dinë se të kërkuarit e pushtetit, të famës, të parasë, kur kthehet qëllim në vetvete, rrallë herë, asnjëherë në fakt, në përvojën time të deritanishme, i ka bërë të lumtur ata që e kërkojnë atë. Dhe këtu duket qartë një rrethanë misterioze, po në fakt shumë e thjeshtë dhe elegante, që është dhe shkaku i lumturisë apo pa lumturisë, meqë ne politikanët po flasim goxha për lumturinë këto kohë, besoj do më jepni dhe dy minuta ta përmbyll mendimin tim. Shkaku, që ndoshta kishte të bënte edhe me atë ecjen e përhumbur të Emirit dhe Kalifatit të Kordobës 10 shekuj më parë, dhe për fat të keq ecjen e përhumbur të shumëkujt prej nesh në pozita të influencës, pushtetit, parasë, vendimmarrjes, pra, jo të asaj shtrese që është e palumtur për shkak të rrethanave të mospasjes, por për shkak të pasjes me tepricë të gjërave. Ka të bëjë pra me faktin se si arrihen këto, arrihen duke përdorur njerëzit prej dashurisë së sendit apo pushtetit, sepse në qoftë se  është e tillë, nuk na bën asnjëherë të lumtur. Dhe në qoftë se është e tillë, ndoshta e kundërta na bën të lumtur. T’i duam njerëzit, e të përdorim sendin dhe pushtetin në funksion të tyre.
 
Thonë që Nënë Tereza ka qenë një person tërësisht në paqe me veten, dhe shpeshherë e lumtur. E shembuj të tjerë pozitiv po kështu ka plot. Njerëz të besimit në Zot, njerëz me dashuri të madhe për njeriun, për Zotin, për jetën që fal Zoti, por edhe me një bindje të fuqishme shpirtërore, me një bindje kolosale në një besim kolosal se vetëm duke i shërbyer Zotit, vetëm duke i shërbyer vëllait apo motrës, vetëm duke i shërbyer shoqe-shoqit, vetëm duke i shërbyer bashkëqytetarit e në veçanti atyre në nevojë mundet të sigurojmë më shumë ditë të lumtura në jetën tonë mbi këtë tokë.
 
E mbyll këtë reflektim, duke uruar dhe shpresuar se lumturinë që gjithsecili prej nesh me të drejtë e kërkon, e në veçanti prej nesh vendimmarrësve politikanëve që kemi dhe të gjitha mundësitë ta sigurojmë, ta kërkojmë pra në rrugën e duhur, në rrugën e virtytit, në rrugën e punës, në rrugën e shërbimit ndaj qytetarëve, në rrugën e shërbimit ndaj njerëzve, dhe shpresoj dhe besoj se po ta bëjmë këtë siç duhet, nga thellësia e shpirtit tonë, e me më shumë vepra e me më pak fjalë, ndoshta edhe ne politikanët do të jemi më pak të palumtur, e më shumë të lumtur. Por lumturia e politikanëve nuk është qëllim në vetvete. Në fakt arsyeja e ekzistencës së tyre është lumturia e njerëzve.
 
Ndaj përfitoj nga fjala, në këtë natë të shenjtë, nata më e mirë se 1 mijë muaj, siç thotë Kurani, nata kur zbresin engjëjt dhe shpirti i  Gjebraili, dhe marrin vendime të rëndësishme deri natën tjetër të Kadrit, nata ku paqja mbretëron deri në  agim, që t’i lutem Zotit që të zbresë sa më shumë mençuri, sa më shumë vendosmëri e sa më shumë dashuri në shpirtrat e gjithë shqiptarëve, e në veçanti të vendimmarrësve, e të na udhëheqë në rrugën e vendimeve të duhura e drejta, të na heqë nga rruga e vendimeve të gabuara, e të na mundësojë në këtë mënyrë të jemi të vërtetë dhe të dobishëm në punën tonë dhe betimit tonë për t’i shërbyer njerëzve dhe këtij vendi. Të lutem po kështu që vendime të mëdha të rëndësishme që i kemi marrë dhe që i kanë testuar durimin dhe zemërgjerësinë e besimtarëve të kryeqytetit, është ai për xhaminë e madhe, të marri rrugën e duhur, dhe të lutem mbi të gjitha, që gjithë shqiptarët, pa përjashtim, pa dallim, kjo natë t’i bekojë në të gjitha pikëpamjet, shpirtërore, njerëzore, ata më të vobektit e më në nevojë edhe mirësi materiale, e të gjithë ne të na bekojë duke na dhënë forcën dhe kurajën për të ecur në rrugën e drejtë.