Të nderuar punonjës të kësaj sipërmarrjeje të mrekullueshme “Rea’s”,

Të nderuar z. Eduard Bregu dhe z. Muim Zeqaj,

Është kënaqësi e veçantë që unë të jem sot këtu sëbashku me Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Profesor Panaritin për të dorëzuar vulën e cilësisë që Ministria i jep kësaj sipërmarrjeje për shkak të standardeve të jashtëzakonshme të niveleve evropiane, që ju garantoni, për shkak të sigurisë, për shkak të cilësisë. Kjo teknologji kaq e zhvilluar që ju përdorni për zhvillimin shpendarisë, si në drejtim të prodhimit të vezëve, ashtu edhe  për prodhimin për mish, padyshim që meriton mbështetjen më të madhe nga ana e Ministrisë, nga ana e shtetit dhe nga të gjithë.

Dhe sidomos do të thosha dhe nga vetë konsumatorët të cilët kërkojnë prodhime të sigurta, prodhime të vendit, prodhime të cilat në radhë të parë garantojnë kushte higjeno-sanitare dhe mbrojnë shëndetin e tyre.

Unë dua të shpreh vlerësimin më të madh për punën e mrekullueshme që ju keni bërë për këtë investim të standardeve evropiane, ashtu sikurse dua të përgëzoj edhe Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për punën shumë të mirë që ka bërë, për të rikthyer besimin tek partnerët tanë, sidomos evropianë, në mënyrë që së shpejti të fillojë edhe eksporti i vezëve në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, gjë që do të bëjë të mundur dyfishim e kapacitetit prodhues në një kohë të shpejtë të vezëve në vendin tonë, siç e tha edhe Ministri Panariti nga 300 milionë në 600 milionë kokrra vezë. Por jo vetëm do të sigurojë plotësisht nevojat e vendit, por njëkohësisht do të sigurojë një mundësi të shkëlqyer për të fituar nga eksporti për këto kompani, por edhe për ekonominë tonë kombëtare sepse një nga sfidat tona kryesore padyshim është përmbysja e raporteve midis importit dhe eksporteve. Prandaj e meriton kompania “Rea’s” këtë mbështetje, këtë vlerësim, prandaj e meritojnë të gjithë sipërmarrësit në këtë fushë, në fushën e ushqimit këtë përkrahje, sidomos ata në fushën e sektorit të shpendarisë. Ne i kemi të gjitha mundësitë, i kemi të gjitha resurset. Me më shumë mbështetje nga ana e shtetit, nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, jam i bindur që shumë shpejt Shqipëria do të ketë një burim shumë të mirë të të ardhurave nga eksporti në drejtim të vezëve dhe të shpendarisë, ashtu sikurse edhe në shumë fusha të tjera.
Vizioni i qeverisë “Rama” dhe njëkohësisht vizioni i Ministrit Panariti besoj se është shumë i qartë, për ta shndërruar bujqësinë në një motor kryesor dhe të sigurtë të rritjes ekonomike në vend dhe njëkohësisht në rritjen e punësimit.

Unë jam i bindur se jemi në rrugën më të drejtë. Është një kënaqësi e veçantë për mua që t’i dorëzoj sot dy aksionerëve të kompanisë “Rea’s”, z. Eduard Bregu dhe z. Muim Zeqaj vulën e cilësisë së Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe do të jap mbështetjen time maksimale  për këtë sektor të shpendarisë. Padyshim edhe si Kryetar Kuvendi, edhe si politikan, edhe si një mik i bujqësisë dhe i ushqimit, por edhe si një konsumator. Dua të them se një nga sekretet e suksesit tim për rënien nga pesha dhe i dietës sime është se e filloj mëngjesin me një vezë të zier dhe përfundoj me pak mish pule të bardhë në darkë dhe është një kontribut i rëndësishëm për të pasur një dietë të suksesshme. Aq më tepër kur janë produkte të sigurta, bio, të garantuara , të certifikuara dhe jo vetëm kaq, por edhe të gatshme për eksport, për të qenë një prodhim “Made in Albania”, gjë që është shumë e rëndësishme.

Sepse në rast se nuk do të prodhojmë vezë, nuk do të eksportojmë vezë. Sigurisht që nuk e kemi kaq të thjeshtë që të prodhojmë makina dhe të eksportojmë makina. Këto janë punë që i kanë bërë edhe të parët tanë, i kanë bërë edhe prindërit tanë, edhe gjyshërit tanë dhe përse të mos i bëjmë me kaq sukses?! Kompania “Reas” është një model suksesi në këtë drejtim, meriton mirënjohjen tonë më të thellë dhe jo vetëm ajo, por të gjithë kompanitë në këtë fushë do të kenë mbështetjen tonë në mënyrë që zhvillimi i shpendarisë të jetë një burim i rëndësishëm i rritjes ekonomike të vendit, i rritjes së eksporteve dhe i rritjes së punësimit . Dhe jo vetëm kaq, por edhe një garanci e plotë në ndihmë të konsumatorëve, të shëndetit të tyre, gjë që është kryesore. Prandaj do të doja t’ia dorëzoja Edit vulën e cilësisë, t’i uroj suksese. Sikurse tha Ministri Panariti, kjo kompani tashmë i ka lidhur kontratat apo parakontratat me partnerët e saj evropianë. Ministria tashmë pothuajse i ka zgjidhur të gjitha pengesat e deritanishme për të hapur tregjet evropiane dhe sigurisht që do të jetë e shpejtë dita kur këto produkte, këto vezë do të shkojnë edhe në tregun gjerman dhe në të gjithë tregun e Bashkimit Evropian dhe do të ndjehemi mirë kur të shikojmë atje vezë të tilla, vezë “Made in Albania”. Urime dhe suksese!