Përshëndetje!

Ishte kënaqësi për mua që të mikprisja sot në Tiranë Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, mikun Miroslav Lajçak. Ishte gjithashtu kënaqësi që, gjatë bisedimeve dypalëshe, konfirmuam nivelin e mirë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe faktin që këto marrëdhënie po thellohen në vijimësi, jo vetëm përmes linjave diplomatike, por edhe nëpërmjet programeve të shkëmbimit në fusha të ndryshme të jetës ekonomike dhe shoqërore.

Gjatë takimit të sotëm i shpreha homologut sllovak falënderimet e mirënjohjen, në emër të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për solidaritetin e treguar nga populli dhe qeveria sllovake me ndihmën bujare të ofruar për përmbytjet në jug të Shqipërisë.

Sllovakia mbetet një mbështetëse e palëkundur e proceseve të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit perëndimor. Një mbështetje të cilën ne si Shqipëri e kemi ndjerë, sidomos gjatë procesit të kandidimit në BE, por edhe në vijim, me diskutimet dhe këshillat e vyera që marrim nga miqtë sllovakë, për sa i përket reformave që duhet të ndërmarrim dhe defekteve që duhet të evitojmë në këtë proces. Ne diskutuam gjithashtu edhe për raportin dypalësh ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovakisë, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Është fakt se ne do të donim që të kishim prezencë të investimeve sllovake në Shqipëri, sikundër do të donim që të mësonim më tej nga eksperienca sllovake gjatë procesit të transformimit ekonomik e shoqëror, gjatë rrugës së anëtarësimit në BE. Eksperienca sllovake dëshmoi të ishte përfituese për ekonominë dhe gjeneruese e vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror. Ne do të donim që këtë eksperiencë të çmuar ta transferonim dhe në Shqipëri. Ne besojmë se, edhe për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në Evropë dhe sfidave me të cilat përballet arkitektura e sigurisë evropiane sot, ka fusha të tilla si energjia dhe infrastruktura, ku dy vendet tona, pavarësisht se gjeografikisht jo shumë afër, mund të kenë një interes të përbashkët.




Ne sot finalizuam gjithashtu një protokoll bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive tona. Besojmë që shkëmbimi i vizitave do të pasohet me vizitën e Kryeministrit Rama në Sllovaki dhe me organizimin e një vizite më të strukturuar, edhe për sa i përket vendosjes së kontakteve dhe dialogut ndërmjet bizneseve sllovake dhe atyre shqiptare, në mënyrë që puna e nisur ndërmjet dy qeverive dhe vendeve tona të konkretizohet, jo thjesht me marrëveshje të mëtejshme bashkëpunimi, por edhe me hapa që do të zgjeronin praninë ekonomike sllovake në Shqipëri.




Gjatë Ministerialit të fundit të vendeve të Vishegradit, nën kryesinë e radhës së Sllovakisë, siç i kemi bërë me dije opinionit publik, u kurorëzua dhe vendimi për krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, një nismë e parë rajonale që mbledh së bashku vendet e Ballkanit perëndimor dhe do të ketë selinë në Tiranë. Falënderoj të gjithë vendet e Vishegradit, por veçanërisht Sllovakinë, si kryesuesja e radhës, si dhe mikun Lajçak, për mbështetjen dhe durimin e treguar për gjenerimin e një konsensusi ndërmjet vendeve të Ballkanit perëndimor për të pasur selinë në Tiranë. Gjithashtu, sot patëm mundësinë të diskutonim për hapat që do të ndërmarrim në mënyrë që selia e Fondit dhe vetë Fondi të bëhen operacionalë, duke pasqyruar në këtë mënyrë modelin e suksesshëm të bashkëpunimit të vendeve të Vishegradit edhe për vendet e Ballkanit perëndimor. Në këtë kontekst, patëm mundësi të diskutonim edhe për zhvillimet e fundit në rajon. Unë e informova kolegun Lajçak për përpjekjet e Shqipërisë për të dinamizuar më tej bashkëpunimin rajonal me një frymë gjithëpërfshirëse, edhe për shkak të faktit që Shqipëria ka kryesinë e SEECP-së, për përpjekjet e përbashkëta që kemi bërë në këtë platformë rajonale, për frymën e angazhimeve përkundrejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kryesisht në fushën e sigurisë, dhe nevojën për një angazhim të përbashkët rajonal për të adresuar sfidat e terrorizmit dhe të të ashtuquajturve luftëtarë të huaj, që përdorin Ballkanin si tranzit për të shkuar në lindje të mesme dhe luftuar.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, ne patëm mundësi të diskutonim në lidhje me çështjen e Kosovës. Natyrisht vlerësojmë hapat e ndërmarrë nga qeveria sllovake, qëndrimin e Ministrit Lajçak dhe të qeverisë sllovake, i cili është një qëndrim fleksibël dhe pragmatik sa i përket masave që janë marrë të njohjes së dokumentacionit të shtetasve të Kosovës, apo mundësisë për hapjen e zyrave të kontaktit që do të rrisnin shkëmbimet ndërmjet Bratislavës dhe Prishtinës. Në këtë kontekst, do të mirëprisnim dhe inkurajonim hapa përpara në drejtim të njohjes së plotë të Kosovës, si kontribut jo thjesht për sigurinë në rajon, por në një kontekst më të gjerë evropian.

Faleminderit dhe do të doja t’ia kaloja fjalën kolegut Lajçak.