Përgjatë vitit 2014, për t’i dalë përballë sfidës së moshës mesatare të punonjësve të Policisë, që është më e larta në Europë, qeveria mori nismën për shtimin e numrit të punonjësve të Policisë dhe rekrutimin e punonjësve në moshë të re me konkurse të hapura, ku morën pjesë mbi 10 mijë kandidatë.

Për t’i dalë përpara sfidës së mungesës së arsimimit të punonjësve të Policisë, qeveria përfundoi dhe miratoi aktin për kualifikimin e Akademisë së Policisë si një institucion i arsimit të lartë, sepse ne besojmë se në këtë mënyrë mund të kemi hetues të mirëfilltë dhe të përgatitur profesionalisht për të ardhmen.

Për t’i dalë përpara sfidës së mungesës së teknologjisë, infrastrukturës, mungesës buxhetore të Policisë së Shtetit, qeveria miratoi në vitin 2014 dhe po kështu  në vitin 2015, një paketë të plotë të mbështetjes buxhetore për Policinë e shtetit, duke filluar nga rrogat e punonjësve të policisë, të atyre që punojnë në terren, dhe pastaj me sigurimin, me pensionet me skemën e pensioneve, me investime themelore në infrastrukturë dhe në teknologji për të forcuar kapacitetin e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjatë vitit 2014 kemi mbyllur reformën më të plotë ligjore në fushën e sigurisë me mbi 11 ligje të miratuara, ndër më të rëndësishmit, ligji për Policinë e Shtetit që është dhe shtylla kurrizore e sektorit të sigurisë, Ligji për armët, Ligji për përdorimin e armëve, Ligji për shërbimin privat të sigurisë fizike dhe një sërë ligjesh të tjera që forcojnë kapacitetin e institucioneve për të luftuar me rezultate solide krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në kuadër të kësaj pakete ligjore është parashikuar dhe ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që sot është thuajse gati të fillojë operimin për nga pikëpamja e strukturës, nga pikëpamjet e kompetencës, nga pikëpamja e burimeve njerëzore dhe nga pikëpamje e mbështetjes buxhetore e parashikuar në ligjin e Policisë së Shtetit.
Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë sektorë të veçantë në mënyrë specifike ndaj luftës kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë të zgjedhur apo të emëruar, dhe një sektor tjetër mjaft të rëndësishëm kundër krimit pasuror, përfshirë dhe pasuritë e pajustifikuara.

Dhe në këtë kuadër, së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm kemi marrë iniciativën për bashkëpunimin, bashkërendimin dhe koordinimin specifik, çështje për çështje të të gjitha agjencive ligjzbatuese në vend, dogana, tatime, pastrimi i parave, ILDKP, në mënyrë që koordinimi institucional ndërmjet agjencive ligjzbatuese në vend të jetë specifik dhe çështje për çështje për të garantuar rezultate të qendrueshme në luftën kundër krimeve financiare dhe korrupsionit.

Është ngritur gjithashtu Drejtoria Anti-terror që sot është operative me thuajse 100 oficerë policia për t’iu përgjigjur më mirë sfidës rajonale dhe globale të luftës kundër terrorizmit. Dhe gjithashtu kemi shënuar së bashku me Prokurorinë një sërë procedimesh efektive dhe me mjaft rezultat kundër luftëtarëve që shkojnë jashtë Shqipërisë për të luftuar një luftë që nuk është lufta e vendit tonë. Kjo së bashku me ndryshimet ligjore të miratuar nga Parlamenti lidhur me luftëtarët e huaj, ka reduktuar në zero nisjet e qytetarëve shqiptarë që nisen jashtë Shqipëria  për të luftuar një luftë, e theksoj, që nuk është lufta tonë.

Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë ka shënuar një nivel shumë më të lartë sesa vitit 2013.

Ju kujtojmë këtu që vetëm me EUROPOL është rritur mbi 50% niveli i informacioneve të shkëmbyera ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Europol.
Dhe gjithashtu në nivelin e informacioneve të shkëmbyera ndërmjet institucioneve ligjzbatuese në vend, por në rrugë 2-palëshe ndërmjet Policisë së Shtetit dhe çdo agjencie ligjzbatuese në rajon.

Janë nënshkruar dhe nën rrugë nënshkrimi një sërë protokollesh operacionale dhe marrëveshje strategjike me vendet e rajonit që mundësojnë shtimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese.

Lufta kundër trafikimit të personave është prioritet absolut i qeverisë shqiptare dhe i Ministri së Punëve të Brendshme. Koordinatori Kombëtar kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore ka ri-vitalizuar mekanizmin kombëtar të referimit nëpërmjet ngritjes për herë të parë në nëntor të vitit 2013, Task Forcën për mekanizmin kombëtar të referimit.
Vetë Koordinatori Kombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore, për herë të parë në 20 vjet, ka buxhetin e vet autonom, duke bërë të mundur funksionimin e kësaj Agjencie në mënyrë të pavarur.

Është për këtë arsye që në vitin 2015 DASH i SHBA e klasifikoi një nivel më lart Republikën e Shqipërisë, nga niveli i vitit 2013 në kategorinë 2, “vend në vëzhgim”, në një vend më sipër në kategorinë 2.

Janë thuajse 6-fishuar procedimet penale lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore dhe është përmirësuar mekanizmi i identifikimit të viktimave potenciale të trafikimit.
Lufta kundër korrupsionit, besojmë ne, fillon me luftën kundër korrupsionit dhe kundër abuzimit me detyrën brenda Policisë së Shtetit. dhe është në këtë kuadër që 1219 punonjës policie janë ndëshkuar nëpërmjet procedimeve penale dhe procedimeve disiplinore.

Kjo shifër është rreth 12% e numrit total të Policisë së Shtetit, mbi bazën e korrupsionit dhe abuzimit me detyrën dhe shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ndërkohë që janë 1116 autorë të proceduar penalisht, ndërmjet tyre edhe zyrtarë të zgjedhur apo të emëruar, të proceduar penalisht për veprën penale të korrupsionit. Kjo është rreth 56% më shumë sesa e njëjta periudhë e 1 viti më parë.

Sa i takon trafiqeve të paligjshme janë organizuar 41 operacione policore kundër trafiqeve të paligjshme dhe 8 grupe kriminale janë shkatërruar.

Sa i takon drogës, është hera e parë që Republika e Shqipërisë nuk është më vend origjine për trafikun e lëndëve narkotike.

Sasia e drogës e shkatërruar në vitin 2014 është më shumë sesa sasia e drogës e shkatërruar dhe e sekuestruar gjatë 9 viteve të fundit të mbledhura bashkë.

Janë 89 operacione policore, janë shkatërruar 57 grupe kriminale që merreshin me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, mbi 220 persona të arrestuar që merreshin me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Sa i takon sekuestrimit të aseteve kriminale janë verifikuar mbi 5240 subjekte dhe familjarët e tyre dhe asetet e sekuestruara dhe konfiskuara kapin shifrën e 19 milion Eurove. Kjo është 18 milion euro më shumë sesa 1 vit më parë, dhe kjo është gjithsej 21% e gjithë buxhetit të Policisë së Shtetit.

Sa i takon armëve dhe municioneve, po përfundojmë me listën dixhitale, siç parashikohet dhe në ligjin për armët dhe në ligjin për përdorimin e armëve.

Dhe ndërkohë, sa i takon luftës kundër kontrabandimit të armëve të zjarrit, janë evidentuar, vetëm gjatë vitit 2014, 41 raste dhe arrestuar 87 autorë dhe 13 operacione policore për trafikimin e armëve dhe të municioneve.

Nuk po zgjatem më tej në shifra, por dua t’ju siguroj se bashkëpunimi ynë me PAMECA-n, partnerët ndërkombëtare, me agjencitë ligjzbatuese në vend dhe me agjencitë ligjzbatuese në rajon dhe më gjerë, kanë bërë të mundur rezultatet që kemi arritur deri më sot dhe sigurisht ato që presim në të ardhmen.
Faleminderit!