Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në takimin përkujtimor për 15-vjetorin e 21 janarit 2011.
* * *
15 vjet më parë këtu në këtë godinë ishte barrikaduar një hordhi e armatosur, përzierje e trupës së rregullt të Gardës së Republikës dhe çetës së paramilitarëve famëkëqij të kryeministrit.
Godina ishte përforcuar me tela me gjemba, shtrirë gjithandej pas atij gardhit të shëmtuar dhe hekurave që rrethonin Kryeministrinë qysh pas sulmit të armatosur të 14 shtatorit 1998, pjesë e të cilit ishin dhe disa nga të barrikaduarit brenda Kryeministrisë në 21 janar 2011.
Njeriu i futur nga populli në zyrën e kryeministrit për të udhëhequr Shqipërinë kishte lëshuar kushtrimin e një përgjigjeje me plumb ballit ndaj protestës së opozitës së bashkuar të kohës. Kujtoj se kur së bashku me Pandeli Majkon dhe disa shokë të tjerë po kalonim urën e bulevardit për të ardhur këtu përpara godinës, një autoblindë u shfaq në horizont dhe një valë gazi lotsjellës u lëshua mbi kokat e njerëzve pa nisur akoma protesta duke na zmbrapsur nga parku Rinia dhe rrëmuja e provokuar nga ajo mësymje qorre e policisë mbi protestuesit që po mblidheshin e ktheu protestën në një lëmsh kaotik mes protestuesve dhe forcave të rendit duke na detyruar pastaj të ktheheshim në selinë e partisë.
Protesta doli jashtë kontrollit, por përtej reagimit të turmës ndaj policisë dhe ca vatrave zjarri të ndezura në atë revoltë e sipër në atë kazan në ndonjë makinë apo mbi faqet e piramidës, për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcejnë gardhin e godinës së Kryeministrisë. Përveç një veture e cila u filmua duke hyrë në portën anësore të hekurit hapur çuditshëm nga brenda si një ftesë në një kurth, askush nga protestuesit nuk bëri asnjë përçapje për ta shkelur perimetrin e ashtuquajtur të sigurisë dhe synuar futjen në godinë.
Asnjë dëshmitar në vend dhe më pas asnjë material filmik i ngjarjes nuk nxori askund në pah praninë e asnjë arme të vetme në radhët e protestuesve.
Ndërkohë mijëra fishekë luftarak u shkrehën në ajër nga forcat e sigurisë për të frenuar një turmë e cila u godit dhe u përfshi në konflikt fizik me to vetëm si pasojë e përpjekjes së këtyre të fundit për ta shpërndarë protestën ende pa u mbledhur gjithë masa e jashtëzakonshme e protestuesve, por gjithsesi gjithçka u zhvillua jashtë rrezes së çdo rreziku të imagjinueshëm për këtë godinë dhe lëre pastaj për vip-in e vetngujuar brenda saj me hordhinë e vet dhe me gjithë karafilin e tij ambulant lartë në tarracë.
Dhe pikërisht kur pas disa orësh turma e zvogëluar ndjeshëm në bulevard nisi të shpërndahej krejt paqësisht tytat e pushkëve u ulën drejt trupave të protestuesve dhe morën 4 jetë të pafajshme duke plagosur dhe disa protestues të tjerë, pasojë fatale e mendjes kriminale e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin pa iu treguar kundërshtarëve politik dhe krejt shqiptareve se të vriste me të vërtetë.
Dreqi e di se çfarë i tha dhe çfarë u tha mendja atij që e urdhëroi dhe atyre që e kryen atë krim shtetëror të pashembullt për Europën demokratike duke përvëluar shpirtin e prindërve, bashkëshortëve, fëmijëve, mortave e vëllezërve të katër burrave të rinj që nuk u kthyen më në shtëpi, por vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh dhe që më tregon përmes një sëkëlldie të madhe se sa më i madh bëhet në çdo 21 janar zhgënjimi juaj të dashur familjar të 4 dëshmorëve, hidhërimi juaj, pengu juaj për mos ardhjen e drejtësisë.
15 vite pa drejtësi për 21 janarin janë 15 vitet e një padrejtësie të madhe, jo thjesht për disa por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar. Ndërsa për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vitet e këtij boshllëku të pangushëllueshëm janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dëshpërim dhe poshtërim.
Atyre ndër ju që ishin gjyshër iu ka ardhur koha për tu bërë stërgjyshër. Atyre që ishin fëmijë iu ka ardhur koha për tu bërë prindër. Ndërsa atyre katër pjesëve të shpirtit tuaj të cilave u janë tretur trupat nën dhe, nuk u ka ardhur koha ende të prehen të qetë sepse as përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë, as pavarësimi i pushtetit gjyqësor dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë së individëve të veshur me pushtet politik nuk kanë mjaftuar gjer më sot për ta zhdukur hijen e padrejtësisë mbi 21 janarin.
Nuk ka mjaftuar as vendimi rrëqethës i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg më shumë sesa dy vjet më parë që prokurorët special të kësaj Republike t’ia kishin kërkuar deri tani Gjykatës Speciale drejtësinë për 4 vrasjet shtetërore të 21 janarit, ndërkohë që në emër të drejtësisë dhe vetëm të drejtësisë, të drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe barazisë të secilit përpara ligjit, prej plot 6 vitesh ne u bëmë atyre veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetes dhe vetë Presidentit të Republikës pa llogaritur justifikimin me durim dhe me heshtje nga ana jonë të gabimeve të tyre ndonjëherë tejet shqetësuese si gabime të rritjes së një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e se drejtës.
Por halli është që sa herë vjen kjo ditë kujtimesh tragjike për ju, familjaret e 4 dëshmorëve të 21 janarit dhe për ne miqtë dhe dashamirët tuaj vijnë mbi kurrizin tonë dhe gurët e mllefit dhe të mërzisë së shumëkujt në këtë vend që me plot të drejtë ndihet i tradhtuar në pritjen e vet të pafundme për drejtësi, ndihet i përdorur në besimin e vet tek drejtësia e re dhe ndihet i përbuzur në nevojën e vet që drejtësia për 21 janarin të vihet në vend.
Unë i mirëkuptoj plotësisht dhe nuk e pretendoj mirëkuptimin reciprok prej atyre që ç‘nuk komentojnë dhe akuzojnë me gishtin e ngritur në drejtimin tonë dhe drejtimin tim posaçërisht kur vjen fjala për pandëshkueshmërinë që mban peng 21 janarin.
Po u them se unë ndihëm po njësoj i zbrazët në shpirt dhe i dobët në pozitë kur shoh se si kaloi dhe një vit tjetër dhe 21 janari ri erdhi përsëri me hijen përqeshëse të padrejtësisë së madhe mbi shpinën e vet.
Sot burgjet e Shqipërisë mbajnë me taksat e shqiptarëve më shumë të paraburgosur, domethënë njerëz të plasur nëpër qeli pa gjyq, sesa njerëz të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë dhe një pjesë e madhe e të paraburgosurve janë viktima të karshillëkut të hatashëm të lirive dhe të drejtave të njeriut nga ana e prokurove të çdo niveli dhe gjykatësve që shpesh i vënë nga mbrapa prokurorëve si “delja dashit përçorë”.
Një panoramë e trishtë e një drejtësie të dhunuar, ku 21 janari është ana tjetër e medaljes, ajo e drejtësisë së vonuar. Me përgjegjësit kryesor të tragjedisë që mezi u thirrën për t’u pyetur për herë të parë muajt e fundit, pas thuajse 15 vjetësh, se 15 vjet bëhen sot.
Unë e kam ditur dhe e kam thënë, është në shumë kronika apo intervista që në krye të herës që 21 janari, si një krim shtetëror hyn te ajo kategori krimesh për të cilat historia na mëson se drejtësia vonon shumë, por ama nuk harron kurrë. Është shumë interesante historia e krimeve shtetërore, sepse nuk rezulton asnjë krim shtetëror i pandëshkuar, por nga ana tjetër është shumë evidente në analet e asaj historie se sa shumë vonon ndëshkimi për një krim shtetëror, por ama edhe me orvatjen për të gjetur ngushëllim te historia e botës demokratike ndaj krimeve shtetërore, nuk e kam menduar të them të vërtetën se reforma në drejtësi për të cilën 21 janari si nevojë prioritare e jona për drejtësi ka qenë njëri prej burimeve të energjisë dhe vendosmërisë sonë për ta çuar përpara atë reformë dhe pastaj strukturat e reja speciale, krejtësisht të pavarura që u krijuan në kuadrin e reformës në drejtësi nuk do të ngrinin, e paimagjinueshme për mua, asnjë akuzë të vërtetë për 21 janarin, as pas 15 vjetësh nga vrasjet mizore në bulevardin kryesor të Shqipërisë.
Fatkeqësisht për vite me radhë edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekziston, pavarësisht se bëhet fjalë për krye çështjen mes çështjeve të lidhura me abuzimet e pushtetit politik në Shqipëri, me të cilat SPAK-u merret drejtpërdrejt. Ndërkohë që kur i është dashur, ka hetuar dhe ka ngritur akuza pa humbur asnjë vit për çështje të hapura edhe me një letër anonime apo ka konsumuar kohë dhe energji me vite, duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës të shtetit, me çështje të cilat janë aq të sforcuara sa mund të shkruhen romane satirike, jo vendime gjyqësore të formës së prerë fajësie.
Ishte i paepuri Mark Nika, ungji i të ndjerit Aleks Nika që e çoi krye çështjen e 21 janarit deri në Strasburg dhe e riktheu kësisoj gurin mbi varrin, ku drejtësia e kishte kyçur 21 janarin, pas një farëse të shëmtuar kriminale, si ai gjyqi që me demek u bë lidhur me vrasjet. Vetëm ashtu dhe vetëm falë këmbënguljes së familjeve të viktimave, përmes Markut, dosja e krimit më të egër të historisë së demokracisë shqiptare u rivendos me detyrim përcaktim në tryezën e SPAK-ut, ku Marku dorëzoi dhe një material autentik zërash të regjistruar në vendngjarje nga kanalet e komunikimit të forcave së sigurisë, të cilin prej vitesh e mbante fshehur nga mosbesimi total ndaj institucioneve të drejtësisë dhe natyrisht nga ndroja se mos ai material “humbte” në thonjëza, siç në thonjëza janë humbur plotë gjurmë.
Po ndërkohë 21 janari ka një specifikë, ndërkohë që gjurmë të shumta janë humbur, “ujku është krejtësisht i dukshëm në sytë e të gjithëve”.
Gjykata e Strasburgut i nënvizoi shumë qartë si shkelje të Konventës Europiane qoftë përdorimin e pajustifikuar të forcës vdekjeprurëse, qoftë mungesën e bazës legjitime për të mbrojtur zyrën e kryeministrit me forcë vdekjeprurëse, duke kërkuar nga autoritetet të zbardhin ngjarjen. Në rrjedhën e vendimit të Strasburgut, Gjykata e Lartë ka formuluar një ndër dokumentet më të plotë, më të pakontestueshëm, profesionalisht dhe moralisht dhe ka vënë faktikisht në lëvizje hetimet që kanë rinisur.
Ndërkohë që shpresa vdes e fundit, ndërsa nevoja për drejtësi nuk vdes kurrë edhe kur vdes shpresa. Dhe megjithëse unë nuk e di dot edhe sa vite do të kërkojë fundi i padrejtësisë ulëritëse mbi 21 janarin, mbi familjet tuaja, mbi këdo që do drejtësi për Aleksin, Ziverin, Hekuranin dhe Faikun di me siguri që ulërima e kësaj padrejtësie nuk do të shuhet asnjëherë dhe nevoja për drejtësinë e munguar për këtë tragjedi të madhe do triumfojë, me se s'bën.
Më lejoni ta mbyll duke ndarë me ju sinqerisht të vërtetën time lidhur me përgjegjësinë tonë ndaj jetëve të sakrifikuara të katër dëshmorëve tanë dhe me zotimin tonë për të bërë drejtësi për 21 janarin. Ne e kemi mbajtur me dinjitet të lartë atë përgjegjësi dhe nuk e kemi tradhtuar asesi zotimin solemn, përderisa, duke pavarësuar drejtësinë nga pushteti politik dhe duke ngritur SPAK-un dhe Gjykatën Speciale, kemi krijuar, për herë të parë qysh nga krijimi i shtetit shqiptar, kushtet për fundin e pandëshkueshmërisë me ligj, jo me zakon, përmes organeve të drejtësisë; jo përmes partisë dhe qeverisë.
Ky është fakti, këtë s’e luan topi dhe kush kërkon nga ne pse nuk është bërë drejtësi për 21 janarin, të shikojë te Stacioni i Trenit, jo te kjo godinë, sepse nga kjo godinë ka dalë bërthama e reformës në drejtësi dhe, në godinën përballë, është çelur ajo bërthamë, ndërsa në godinën e Parlamentit është “bekuar” ajo farë e drejtësisë së pavarur nga pushteti politik. Dhe nuk është pushteti politik, as i qeverisë, as i shumicës së parlamentit apo i gjithë parlamentit, po të doni, as i partisë apo i të gjitha partive, po të doni, që duhet të bëjë punën në kanalet e hetimeve dhe në sallat e gjyqeve. Është një pushtet tjetër që duhet t’i bëjë këto.
Dhe ky është një fakt që s’e luan topi, ashtu sikundër topi nuk luan edhe një fakt tjetër: që, deri kur drejtësia e re nuk do të ketë bërë gjyqin e 21 janarit, ajo do të jetë një drejtësi gjithmonë e më e vjetër. Por drejtësinë për vetë 21 janarin, asnjë vjetërsirë, e vjetër apo e re, nuk do të mund ta mohojë dot pafundësisht. Dhe këtu do të jemi, dhe këtu do ta mirëpresim vendosjen e këtij guri themeli, sepse 21 janari, si çështje e hapur, është “gropë e hapur në themelet e drejtësisë së re”, është një “gropë e hapur” që vë fort në dyshim moralin e drejtësisë së vet, ashtu sikundër drejtësia për 21 janarin është themel moral për drejtësinë e re dhe për shtetin e së drejtës. Të tjerat, përpara 21 janarit, siç e tha Marku kur po pinim kafenë së bashku dhe po e shtoj në fund të fjalimit, “janë si hetimet dhe gjyqi i kafesë së Nexhmijes”.
Shumë faleminderit!
Komente












