Dua ta nis këtë fjalë me 3 hamendësime të ditës; i pari ‘’Pasqyrë Albania’’ është një portal tjetër. i dyti, ‘’Prania Besnike’’ është një tjetër kalendar organizativ i Partisë Socialiste dhe i treti, “Besa” është propagandë e Rilindjes.
Në fakt, nga një anë më vjen mirë që çfarë kemi bërë në këtë fazë përgatitore të sezonit të ri politik, ka ngjallur interes dhe kundërshtitë apo etiketimet janë një nga shenjat e interesit, por shqiptarët nuk kanë nevojë për një aplikacion tjetër që i shtohet “xhunglës” digjitale.
Partisë Socialiste nuk i duhet një kalendar tjetër që prodhon takime me vetveten dhe materiale propagandistike; hendeku i hapur mes nesh dhe njerëzve të Shqipërisë së rilindur nuk mbushet me një fjalë sado të madhe si “Besa” dhe mbi të gjitha, hendeku real për të cilin kemi folur mjaftueshëm dhe të cilin tani është koha të fillojmë të punojmë të gjithë së bashku që ta mbushim mes nesh dhe njerëzve, nuk mbushet me thjesht dhe vetëm një fushatë komunikimi.
“Besa”, ‘’Prania Besnike’’, “Pasqyrë Albania’’ dhe “Shkalla e meritës” për të cilën do të flasim pak më gjatë sot sepse për të tjerat kemi folur, si dhe i tërë ekosistemi i ri i komunikimit të shtetit, jo të partisë me qytetarin, nuk janë portale, as slogane por janë komponentët e një reforme të domosdoshme të marrëdhënies qytetar-shtet. Një reformë që rikoncepton katër pika kyçe; si e sheh shteti problemin, si e dëgjon shumica qeverisëse njeriun, si mbahet fjala e dhënë me ligj dhe me zakon pastaj dhe si hapet dera e shërbimit publik për meritën.
Ne, në një dekadë kemi kryer një operacion të gjerë dhe të thellë jo uniform në të gjithë komponentët e vet, diku me gjerë dhe më thellë, diku më cekët, të organizimit shtetëror të Shqipërisë, por sot, ne ndeshemi me 3 plagë që ushqejnë njëra tjetrën: Njëra plagë është plaga e shtetit “labirinth”, ku qytetari nuk di kur dhe kush duhet t’i përgjigjet.
Plaga e dytë është mungesa e memories institucionale. Premtohet, fitet, vendoset, por nuk mbahet një regjistër i plotë llogarish të shkruara për atë që u bë, për atë që nuk u bë, për atë që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës. Memoria institucionale nuk është protokolli i institucionit, është shumë më tepër sesa kaq dhe mungesa e kësaj memorie i kushton pastaj shtetit dhe qytetarit shumë herë më tepër sesa mund të imagjinohet.
E treta është plaga e derës që nuk duket, të cilën e sheh dhe mund ta prekësh tek ndjenja shpeshherë e drejtë, e çdo njeriu në Shqipëri që për një shërbim, për një vend pune apo për një mundësi, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji.
“Pasqyrë Albania”, “Prania Besnike’’, “Besa” dhe “Shkalla e meritës’’ janë pjesë të pandashme të përpjekjes për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve dhe për të kuruar këto plagë.
“Pasqyrë Albania’’ nuk është një superportal, por është një hapësirë e re ku falë teknologjisë dhe mundësisë së jashtëzakonshme që na jep në këtë fazë të zhvillimit tonë Inteligjenca Artificiale, mund të bashkëjetojnë e gjithë qenia publike e shtetit dhe e drejta e plotë e çdo qytetari për të kontrolluar shtetin e vet, për ta pyetur shtetin e vet dhe për të kërkuar mbështetje nga shteti i vet.
Që të jemi të qartë, për të mos krijuar konfuzion tek askush që mund ta perceptojë këtë që po them si një ngatërresë mes qeverisë, shumicës qeverisëse dhe shtetit. Hëpërhë, “Pasqyrë Albania” do të jetë një hapësirë ku qeveria, pushteti ekzekutiv do të jetë tërësisht aty ,por patjetër e mira e do që tek ‘’Pasqyrë Albania” te jenë edhe dy pushtetet e tjera; pushteti legjislativ dhe pushteti gjyqësor, por kjo është një vendimmarrje e tyre.
Me fjalë të tjera, për t’u kthyer tek portali dhe portalet dhe kam parasysh këtu jo portalet mediatike por portalet institucionale, ato sot janë rafte, vendosin informacion dhe e lënë qytetarin të gjejë çfarë të mundet dhe t’i kuptojë si të mundet. “Pasqyrë Albania” është kontratë. Është një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin, ku qytetari nuk gjen thjesht çfarë tha qeveria sot, madje nuk e gjen fare ça tha qeveria sot, por gjen çfarë po bën qeveria në emrin tim, gjen pse qeveria po bën këtë apo atë, duke marrë këtë apo atë vendim; gjen kush e ka në dorë këtë apo atë çështje që mua më intereson; mbi cilin ligj dhe me cilin dokument unë mund të provoj apo mund të konsultoj këtë që më thuhet se po bëhet; ku gjendet sot ecuria e procesit dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për procesin e tij individual në ndjekjen e një halli që po e po, po bëhet fjalë për çdo proces. Një qytetar sot nuk mund të fajësohet pse bie pre’ e dezinformimit lidhur me punët publike të Republikës së Shqipërisë, lidhur me shërbimet publike të Republikës së Shqipërisë, sepse nuk e ka mundësinë që t’i referohet drejtpërdrejtë vet kantierit përkatës, shërbimit përkatës.
Që do të thotë që “Pasqyrë Albania” do jetë vendi ky qytetari të mund t’i referohet vet çdo gjëje që po bëhet me taksat e tij. Nëse një portal mediatik i thotë që rruga u shemb sepse u gërrye baza përtej asaj që duhej dhe këtu u bë një krim, qytetari nuk mund të fajësohet për këtë dhe as nuk mund të pritet që qytetari të ndryshojë mendim, duke bërë nga ana e vet institucioni apo qeveria thjesht dhe vetëm një komunikatë apo një konferencë për shtyp.
Qytetari duhet të ketë mundësinë që të gjejë me dokumente, jo me muhabete, me proces verbale jo me komunikata për shtyp çfarë ndodhi realisht dhe çfarë po ndodh realisht.
Kjo e ndryshon tërësisht pozitën e qytetarit dhe kjo i jep qytetarit një nga gjërat, të cilat atij sot i mungojnë shumë, duke e kaluar nga një kërkues në xhungël, në labirinthin e pasqyrave digjitale të informacionit dhe nga një viktimë potenciale e dezinformacionit në një kapacitet të plotë mbikëqyrësi përmes pasqyrës të punëve për të cilat ai mund të informohet nga të gjitha burimet, por tek Pasqyra mund të gjejë të gjithë bazën faktike dokumentare, shifrën, provën, proces verbalin, mendimin e ekspertit, arsyet e vonesës dhe ndërkohë në këtë mënyrë të gjithë personat përgjegjës lidhur me çfarë nuk shkon janë në dritën e diellit ose janë të larë përballë publikut sepse nuk lidhet me përgjegjësinë e tyre të drejtpërdrejtë rrëshqitja e një kodre ose janë aty të pajustifikueshëm me deklarata dhe me postime të rastit.
Qytetari sot duhet të bëjë shumë përpjekje dhe shpesh të pasuksesshme për të ditur se cila zyrë mban çelësin e fatit të një çështje që lidhet me të. Shteti ka detyrimin të ketë një adrese të vetme, publike për faktin, për dokumentin, për statusin dhe për provën e çdo pune të madhe dhe çdo halli të vogël. Një!
Tani në hamendësimet e bëra thuhet që Pasqyra është një tjetër hap që vjen nga përpjekja për të mbuluar dështimin e Platformës së Bashkëqeverisjes, ndërkohë që kjo është e pavërtete, jo vetëm se platforma e bashkëqeverisjes nuk ka dështuar, por sepse platforma e bashkëqeverisjes do të jetë pjesë e pasqyrës, ama çfarë Platforma e Bashkëqeverisjes nuk ka bërë dot më sot, Pasqyra do ta garantoje edhe përmes platformës së bashkëqeverisjes që aktualisht është në një proces transformimi për shkak se përsëri e nënvizoj nuk e kemi pasur instrumentin e jashtëzakonshëm që kemi sot, inteligjencën artificiale. E-Albania do të jetë pjesë përbërëse po ashtu e Pasqyrës dhe dosja personale, dokumentet individual, komunikimi vetjak për çështje shërbimesh apo çështje hallesh të një qytetari mbeten të mbrojtura dhe vazhdojnë të kryhen përmes e-Albania ose në kanalin përkatës ku zgjidhet çështja.
Pra halli individual vazhdon të trajtohet me dinjitet dhe me konfidencialitet, por risia është që halli individual nuk mbetet jetim në mjegullën e padepërtueshme të xhunglës digjitale. Pasqyrë Albania publikon në kohë reale për çdo qytetar, ku ngec një shërbim për të. Pasqyrë Albania informon çdo qytetar të interesuar sa zgjat përgjigja që ai do të presë. Pasqyrë Albania mban në kontakt të vazhdueshëm çdo qytetar që do të jetë në kontakt të vazhdueshëm për çdo ndryshim që bëhet në korpusin legjislativ dhe në korpusin rregullator të Republikës së Shqipërisë dhe Pasqyrë Albania do të fitojë një kapacitet të ri që çdo qytetari që do dëshirojë të jetë i informuar përmes celularit për çfarë ndodh në fushën e tij të jetës, pra një sipërmarrës i vogël do të jetë i informuar çfarë ndryshimesh ndodhin në ligj apo në vendimet e qeverisë për çfarë i takon biznesit të vogël, ndryshimin ai e merr në whatsapp-in e tij në kohë reale, sapo ndodh dhe i thuhet “sot ka hyrë në fuqi ky vendim”, “sot ka hyrë në fuqi ky ligj”; “sot drejtoria e tatimeve të Republikës së Shqipërisë ka nxjerrë këtë urdhëresë” dhe si ky sipërmarrësi i vogël çdokush sipas profesionit dhe fushës së interesit regjistron në Pasqyrë Albania dëshirën për të qenë i lajmëruar.
Që do të thotë që “Pasqyrë Albania” nuk mbledh të dhëna jashtë dijenisë së cilitdo qoftë dhe nuk përdor të dhënat e mbledhura për shkak se dikush ka hyrë te e-Albania për të marrë një shërbim për t’i çuar pastaj atij një njoftim që mund të jetë një njoftim në shërbim të tij, por vetëm nëse individi i thotë shtetit: “unë dua që ti të më njoftosh mua sapo ta nxjerrësh vendimin. Nuk dua ta marr vesh pas një viti kur të më vijë fatura që ke vendosur një tarifë të re apo që ke bërë një ndryshim. Nuk dua fare të dëgjoj nga ndërmjetësit mediatik apo të keq informohem nga pasqyrat meditatike. Dua që ti, shteti im të më japësh mua informacion në kohë reale”.
“Pasqyrë Albania” duhet të informojë në kohë reale çdo qytetar që ndodhet në një zonë ku ka një rrezik zjarri. Çdo qytetar që ndodhet në një zonë ku ka rrezik përmbytjeje. Jo duke pritur konferencën e shtypit të ministrit përkatës apo të drejtorit të Emergjencave Civile apo duke ndjekur nga pasqyrat mediatike se “botës i erdhi fundi”.
Mjeti themelor i “Pasqyrës” është Kartela Publike. Pasqyra nuk ka asnjë tekst propagandistik, nuk ka asnjë deklaratë se çfarë do të bëjmë ne. Pasqyra ka vetëm çfarë bën qeveria sot, çfarë bën me gjasë Parlamenti, çfarë bën pushteti gjyqësor sot dhe Kartela Publike plotëson disa kritere shumë të thjeshta, se cila është puna që po bëhet, që u bë, në interes të kujt është, cili institucion po e ndjek apo e ndoqi, cili përgjigjet për pyetjet që mund të kem unë rreth kësaj pune, ku janë dokumentet, ku janë afatet, statusi, çfarë ka ndryshuar, cila është prova etj.
Faktikisht së shpejti, çështje javësh, shfaqja e parë e “Pasqyrës”, sepse është një punë goxha e madhe që po bëhet për ta ndërtuar gjithë këtë arkitekturë të re bazuar te Inteligjenca Artificiale, por shfaqja e parë e “Pasqyrës” që do të jetë e disponueshme për të gjithë do të jetë një komponent i saj, i cili quhet “Flamingo Mirror”, Pasqyra e Flamingos, ku do të ekspozohen nga A-ja te ZH-ja të gjithë aspektet e mundshme dhe të imagjinueshme që lidhen me një çështje me rëndësi të veçantë dhe në rastin konkret tema e Sazanit dhe e Nartë - Pishë Poros, jo e Nartë - Vjosës, nuk ka Nartë - Vjosë. Ky është një lajm i rremë, Nartë-Vjosa është në anën tjetër, Nartë-Pishë Poros, do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatës, me të dhënat e procesverbaleve, me statusin e negociatave, me referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem dhe pastaj ajo do të pasurohet hap pas hapi me projektin, me studimin mjedisor, me gjithçka.
Cilido qoftë në shqip ose në anglisht, se kjo çështje ka një interes të madh edhe për anglisht folësit mund të futet aty dhe mund të gjejë aty gjithçka që lidhet me temën. Po patjetër që “Flamingo Mirror”, është një pasqyrë aktive që do të thotë është aty e gjallë për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe nëse ka diçka që nuk gjendet sipas dikujt aty, “Flamingo Mirror” ose duhet ta plotësojë ose duhet të japë përgjigje pse ajo nuk mund të kërkohet aty. Në këtë mënyrë do të ecim me të gjitha çështjet dhe me të gjithë projektet që kanë një interes të veçantë. Ndërkohë që për çdo projekt për të cilin shpenzohet një shumë sado e vogël nga taksat e qytetarit do të jetë në Pasqyrë përmes institucioneve dhe autoriteteve kontraktuale shpenzuese.
Statusi i çështjes qoftë kolektive, qoftë individuale, nuk mund të jetë një dekor, nuk mund dot të mbetet vetëm te fjala “në proces”, duhet të japë më shumë të dhëna nëse është me vonesë thuhet “po, jemi me vonesë”. Nëse është ‘i përfunduar’ jepet prova e përfundimit, nëse është ‘i pezulluar’ jepet arsyeja e pezullimit, nëse është ‘ i anuluar’ jepet vendimi i anulimit dhe historia mbetet aty, nuk zhduket. Një shtet që nuk mban mend se çfarë ka thënë dje nuk kërkon dot besim sot.
“Pasqyrë Albania” nuk është një pasqyrë ku qeveria apo të treja pushtetet në rast dhe kur edhe dy pushtetet e tjera do të hyjnë në pasqyrë, shfaqen bukur përpara qytetarit, por është një pasqyrë, ku qytetari e shikon qeverinë siç është dhe një qeveri që nuk i duket bukur qytetarit në pasqyrë duhet të përballet me testin e aftësisë së vet dhe duhet të përballet me sfidën që të përmirësojë pamjen e vetë, jo pasqyrën.
Çfarë ka bërë, çfarë nuk ka bërë akoma, çfarë po ndryshon dhe ku është në gjendje të japë një përgjigje për çfarë pyetet, janë të gjitha barrë e pushtetit, nuk janë barrë as e Pasqyrës, as e qytetarit. Një reformë e tillë ka vlerë vetëm nëse pasqyra nuk fsheh se sa shëmtuar mund të duket qeveria në një moment të caktuar. Një reformë e tillë ka vlerë vetëm nëse qytetari, gazetari, opozitari apo cilido qoftë mund të përdorin Pasqyrën kundër qeverisë. Nëse Pasqyra përdoret kundër qeverisë, Pasqyra funksionon dhe qeveria nuk duhet të zihet me Pasqyrën, por të merret me veten. Nëse nuk është në gjendje të merret me veten duhet të hapë krahun. Kaq e thjeshtë është. Kjo është detyra e Partisë Socialiste të Shqipërisë ndaj popullit shqiptar se përndryshe nuk është Pasqyrë, është “billboard” reklamash qeveritare.
Por, transparenca nuk mjafton!
Transparenca kërkon përgjegjësi dhe pa përgjegjësinë transparenca është kronikë, prandaj arsyeja e Pasqyrës është e pamjaftueshme pa arsyen e “Besës”. Busulla që orienton qasjen e çdo pushtetit, sipas meje, por flasim këtu për shumicën qeverisëse ndaj qytetarit.
“Besa” vërtetë është një fjalë shumë e madhe, shumë e bukur, shumë tërheqëse prandaj tani e përdorin të gjithë, prandaj tani në 90% të mesazheve që unë marr më kërkojnë besën edhe kur s’kanë të drejtë. Përtej impaktit që ka fjala, për ne “Besa” nuk është thjesht fjala besë, por është akronimi: Besim, Empati Shërbim dhe Angazhim.
Çdo i pranishëm në këtë sallë këto katër pjesë të sjelljes duhet t’i bëjë vijë të sjelljes në çdo konkat me këdo qoftë edhe me njëri-tjetrin, besimin, empatinë, shërbimin dhe angazhimin.
Ndërsa “Prania Besnike’’ nuk është kalendar elektoral , nuk është as kalendar organizative madje nuk është në fakt, një kalendar thjesht partie. Është pjesë e një sistemi që e kthen dëgjimin në kusht dhe kushtin në detyrim për tu përgjigjur. Problemi ynë nuk ka qenë kurrë që ne nuk kemi ditur të bëjmë takime, madje ne kemi qenë aq shumë herë kudo në hartën e Shqipërisë për takime sa askush tjetër dhe do të duhen vite që të tjerët t’i mbledhin të gjitha takimet që bëjnë për të arritur në një mase takimesh të përafërta me takimet që ne kemi bërë dhe bëjmë në harkun e një viti.
Ne kemi qenë kudo në hartë, në çdo pikë të hartë, por ne kemi munguar në pikën e hallit të njeriut sepse distanca nga qytetari nuk matet me kilometrat që ti bën për të shkuar atje, por matet me sa të hapur janë veshët e tu kur qytetari flet.
“Prania Besnike” vendos një rregull shumë të thjeshtë; qytetari duhet ta dijë paraprakisht, ku dhe kur mund ta gjejë përfaqësuesin e vet, në të njëjtin vend, në të njëjtën orë, me një kalendar të publikuar përpara dhe e premtja e kësaj jave në orën 5, është fillimi i një procesi të “Pranisë’’ në të gjithë territorin e Republikës që nuk do të ndalet asnjë të premte, nuk do të ndryshojë orë në asnjë të premte derisa unë të jem kryetar i Partisë Socialiste.
Kur unë të mos jem më kryetar i Partisë Socialiste, zgjidhni e merrni si do bëni me ‘’Praninë Besnike’’ dhe me vendin dhe orën. Po çdo të premte në orën 5, të gjithë ne që jemi këtu do të jemi aty ku e kërkon “Prania Besnike’’, por jo për të bërë mbledhje. “Prania Besnike’’ nuk është një mbledhje, nuk është një takim ku vijnë disa njerëz dhe rrinë përballë tyre dhe ata fillojnë flasin dhe ne pastaj, fillojmë flasim. Jo. “Prania Besnike’’ është dëgjim me rradhë. Ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët, që do të thotë që kush do të qajë hallin e tij, vjen në atë orë në atë vend dhe rri dhe pret momentin kur do të ulet në tryezë përballë përfaqësuesve të tij, të cilët do të mbajnë shënim.
Nuk do t’i flasin se ai e ka gabim. Nuk do t’i thonë sesa shumë punë janë bërë, por thjesht dhe vetëm do mbajnë shënim çfarë robi i Zotit po flet, me respekt dhe “Prania Besnike’’ nuk pranon kamera. “Prania Besnike’’ pranon fotografi në fillim të takimit vetëm me miratimin e atyre që janë të pranishëm dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre. ‘’Prania Besnike’’ refuzon përkatësinë partiake. Nuk ka asnjë rëndësi se i kujt parti je, nuk ka pikë rëndësie për kë ke votuar, nuk ka asnjë lloj problemi nëse ke qenë prototip kundër Partisë Socialiste në fushatë. Nëse ti do veshët tanë, veshët tanë janë aty në orën 5, ditën e premte dhe “Prania Besnike’’ nuk pranon dhënien e numrit të telefonit për të mos e hapur më pastaj telefonin dhe dhënien e shpresës se dikush do të ndihmojë jashtë rregullave.
“Prania Besnike’’ është një sistem që duhet të disiplinojë institucionet, jo t’i kthejë deputetët në sekserë të halleve të njerëzve.
‘’Prania Besnike’’ kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por që përmes rrugës së “Pranisë’’ me shkrim, të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacionin institucional. Me ligj dhe me zakon dhe në “Praninë Besnike’’ nuk shkohet për të thënë sa bukur po punon qeveria po shkohet për të parë se ku qeveria po dështon të dëgjojë dhe të kuptojë.
Në “Praninë Besnike’’ nuk shkohet për të treguar sa janë rritur të ardhurat dhe sa është rritur ekonomia, po shkohet për të dalluar çfarë nuk na thonë shifrat dhe të ardhurat dhe çfarë nuk na thotë rritja ekonomike dhe në “Praninë Besnike’’ nuk shkohet për të marrë vota, as për të punësuar njerëz, as për të rekrutuar patronazhistët e ardhshëm, por shkohet për të marrë hallin dhe për ta referuar tek institucionet dhe ndërkohë merret përsipër të ndiqet edhe në emër të qytetarit, përveçse ai vetë do të bëjë ndjekjen e vet, rruga e hallit dhe këtu ka një vijë të panegociueshme nëse duam që “Prania Besnike’’ të ketë sukses, nëse duam që “Besa’’ të mos mbetet fjala e madhe e grabitur nga përmbajtja; nëse duam që “Pasqyra’’ të funksionojë, jo si shfaqja e fundit e Partisë Socialiste në hapësirën publike përpara zhdukjes së saj, por që të gjitha këto së bashku t’i japin një fuqi të re shumicës sonë.
Vija e panegociueshme është: partia nuk bën shtetin, deputeti nuk ndërmjetëson favore, kryetari i partisë nuk është sportel punësimi, militanti nuk është rruga e qytetarit për të marrë të drejtën që i jep ligji dhe të gjithë së bashku nuk janë ‘’kalaja dibrane’’ për të kapërcyer ‘’shkallën e meritës’’.
Suksesi i “Pranisë besnike’’ do të jetë kur qytetarët të kenë nevojë gjithmonë e më pak për të, sepse sistemi do të përgjigjet vetë dhe politika do të jetë antenë për shtetin që dëgjon, jo kanal paralel i shtetit që nuk funksionon. Çdo çështje dëgjohet, sqarohet dhe shkon në kanalin e duhur, rasti individual mbrohet, sinjali i përsëritur që vjen nga territori trajtohet si një problem sistemik.
Kur i njëjti hall del në disa njësi, nuk kemi 10 halle të ndara, por kemi një detyrim për një zgjidhje më të gjerë. Për këtë arsye, “Prania Besnike’’ do të duhet të ketë sekretariatet e saj. Pra, duhet të jetë një prani e kombinuar me sekretariatet e saj lidhur me temat kryesore.
Tema e ekonomisë nuk është një temë thjesht dhe vetëm e trajtueshme individualisht në rrugën e hallit personal, por është një temë që duhet të trajtohet me komunikimin.
“Prania Besnike” në orën 5 të çdo të premteje nuk mund të pretendojë që aty të vijë i gjithë komuniteti i biznesit të vogël të zonës, as që aty të vijë gjithë komuniteti i fermerëve të zonës. As që aty të vijë gjithë komuniteti i invalidëve të zonës. Prandaj Prania Besnike duhet të ketë sekretariatet e veta të ekonomisë, të bujqësisë dhe të çështjeve sociale dhe duhet të ketë orët e veta për këto komunitete. Përsëri orë fikse, përsëri në të njëjtin vend dhe të gjitha këto për një njësi apo për një komunitet të paktën një herë në muaj. Ne kemi bërë një punë goxha voluminoze me drejtuesit politik dhe sot çdonjëri prej tyre ka kalendarin e zbërthyer të pranisë bazuar në madhësinë e qarqeve, bazuar në numrin e njësive, bazuar në mënyrën si prania do të rrotullohet për të qenë një herë në muaj dhe në të njëjtin vend, në të njëjtën orë kur banorët e X njësie duhet të jenë aty. Pra çdo njësi dhe çdo komunitet i veçantë sipas zonave të interesit do duhet të ketë orën e Pranisë Besnike një herë në muaj.
Sekretariatet duhet ta kthejnë zërin e territorit në propozim për një përgjigje sektoriale. Duhet të masin nëse përgjigja po bëhet gati. Duhet të jenë aktiv në periudhën e përgjigjes nga institucioni përkatës qoftë qendror, qoftë vendor. Edhe roli i deputetit duhet të ndryshojë. Deputeti duhet sjellë dhe përcjellë. Deputeti është me ligj dhe me zakon, njeriu më i duhur për të sjellë çdo sinjal real të territorit, te institucioni që duhet të përgjigjet, jo në instagram dhe pastaj është njeriu i duhur me ligj dhe me zakon për të përcjellë vendimin e shumicës në territor me fakte dhe me garancitë përkatëse. Deputetet nuk duhet të improvizojnë fakte teknike, nuk duhet të bëjnë Arqile Botin ndjesë pastë, mjekun popullor që shëronte kancerin me qumësht dhelpre. Kur çështja kërkon mjekun, duhet të flasë mjekun. Kur çështja kërkon inxhinierin, duhet të flasë inxhinieri. Kur çështja kërkon juristin, duhet të flasë juristi. Kur çështja kërkon agjencinë, duhet të flasë agjencia.
Deputeti duhet t’i hapë rrugë zërit të ngarkuar për të thënë atë që di, jo të tregojë se ç’duhet të bëjë kush di, kur deputeti nuk e di sepse përfaqësimi nuk është një skenë dhe kjo bota e marrë digjitale që ka krijuar një skenë për këdo dhe për të cilën legjendari Umberto Eco thoshte “sa pa u krijuar kjo botë, budallain e lagjes e njihte vetëm lagja”, nuk duhet të jetë vendi ku deputetet tanë krijojnë skenën e tyre, por duhet të jetë vendi ku skena jonë është e shpërndarë përmes të gjithë deputetëve në përpjekjen për t’i dhënë zë kësaj shumice dhe për t’i dhënë zë kësaj partie në një botë ku zëri ynë mbytet.
Nëse Partia Socialiste në hartën fizike të Shqipërisë ka 5500 organizata sepse 5500 janë qendrat e votimit dhe ka një makineri elektorale të aftë që ta pikturojë gjithë hartën me ngjyrën e vet, në hartën e botës së pasqyrave Partia Socialiste është si Finiqi ose si Konispoli, që mos të them si Këlcyra. Një pikë e vogël në hartën e madhe. Dhe rrathët koncentrik që përhapen nga qendra e asaj bote në Tiranë janë një vorbull e marrë në të cilën Partia Socialiste ka një zë të mbytur. Këtë duhet të mendoj çdo deputet që e përdor atë botë, që përdor pasqyrat e asaj bote dhe çdo anëtar i kësaj partie.
“Prania Besnike” nuk na mat me sa video bëjmë se në Praninë Besnike nuk bëhen video, s’ka kamera, nuk na mat as sa fotografi bëjmë se në rastin më të mirë duhet bërë vetëm një fotografi, jo për të treguar se çfarë po bëjmë, por për t’i thënë të tjerëve kjo gjëja që ndodh dhe ndodh në filan vend dhe pas një muaji hajde këtu nëse ke interes të vish këtu.
“Prania Besnike” nuk jep premtime. Nuk jep numrin e telefonit “na telefonin, më merr”. “Prania Besnike” është kompjuter që mban shënime. Ata që ne vetëm i dëgjojmë. Dhe për këtë arsye do duhet të miratojmë një modul matjeje të performancës së deputetit në kushtet e kësaj bote të re. Kjo është një botë e re.
Është një botë ku ne jetojmë midis në fakt dy botësh. Botës së gjithhershme prej mijëra vjetësh të realitetit fizik dhe botës së pasqyrave dhe po të shikoni bilancin në fund të ditës të orëve të kaluara përpara pasqyrës tuaj do shikoni që ato orë janë gjithmonë e më dominante të ditës suaj dhe problemi gjithmonë e më i madh i kësaj shoqërie njerëzore sot është jo vetëm që ne harxhojmë gjithmonë e më shumë kohë në pasqyra, por ne gjithmonë e më shumë e perceptojmë këtë realitetin tjetër përmes konteksteve që na krijojnë pasqyrat dhe në këtë botë pasqyrash humbja e kontaktit njerëzor është një problem global, por humbja e kontaktit me njerëzit e një shumice qeverisëse është një problem fatal, kështu që moduli i matjes së performaces së deputetit me 100 pikë të ndara sipas këtyre dy botëve, jo si ritual ndëshkimi apo marrje masash se kjo s’ka asnjë interes, është disiplinë e mandatit të katërt dhe është disiplinë e domosdoshme për të mos dalë me shkelma, jo nga qeveria, por nga historia në fund të këtij mandati. Është disiplinë mandati që duhet të lidhë punën parlamentare, duhet të lidhë praninë në territor, duhet të lidhi cilësinë e dëgjimit dhe të përgjigjes për atë që dëgjojmë. Punën me strukturat dhe vlerësimin nga njerëzit, së bashku me gjithë atë hartën ku Finiqi apo Konispoli i sotëm duhet të bëhet Partia Socialiste e Shqipërisë edhe aty!
Beteja jonë kryesore është beteja me justifikimet, beteja me justifikimet e ministrive, beteja me justifikimet e agjencive, beteja me justifikimet e drejtorive, beteja me justifikimet e inspektorateve, beteja me justifikimet e bashkive, beteja me justifikimet e njësive administrative, beteja me justifikimet e deputetëve, beteja me justifikimet e kryetarëve të partisë. Në jetojmë në një mjedis justifikimesh, ku duket sikur të gjithë kanë të drejtë, por në fakt nuk ka të drejtë asnjëri.
Përgjigjet justifikuese të institucioneve janë shënjestra jonë, duhet t’i trajtojmë si të tilla dhe duhet t’i refuzojmë. Kjo nuk do të thotë që çdo përgjigje të na pëlqejë, do të thotë që çdo përgjigje të jetë e qartë, jo përgjigje pa përgjigje. Nëse në fund të ditës ne do të jemi të paaftë për t’u ngritur në lartësinë e kësaj sfide të Shqipërisë së pritshmërive pasi e kemi nxjerrë Shqipërinë nga kalvari i mungesave, ky është problemi më i vogël. Problemi më i madh është që qytetarët nuk mund t’i mbijetojë psikologjikisht justifikimeve dhe përgjegjësia jonë fillon aty ku mbaron justifikimi.
Prandaj “Besa” është reforma që duhet të na ndalojë të kalojmë nga fjala, te fjala tjetër, te tjetra e te tjetra duke e bërë një zotim apo një detyrim të mbulohet nga një zotim apo një detyrim i ri dhe duhet të ndryshojmë rendin e gjërave.
Për shumë kohë rendi ynë ka qenë vendosim, komunikojmë dhe pastaj përhiqemi të shpjegojmë pse qytetari nuk e kuptoi apo pse qytetari nuk e kapi menjëherë sesa të mençur ishim ne, në një rend tjetër, rendin e dëgjimit, e qartësisë për problemin, e alternativave, e kostove përpara marrjes së vendimeve.
Dua të them diçka, e kuptoj ironinë, e kuptoj përqeshjen që na bëjnë për “Besën”, por “Besa” jonë, akronimi ynë nuk është “aman më beso’. Ky do të ishte kulmi. Është ‘të lutem më kontrollo”. Janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Për këtë arsye gjithësekush nga ju, them nga ju se unë për vetë jam i qartë në këtë pikë, duhet të kuptojë që nuk është një njeri i mirëseardhur aty ku shkon, është një njeri i paragjykuar vetvetiu. Të qenurit i paragjykuar nuk duhet të të bëjë agresiv, nuk duhet të të bëjë joempatik, nuk duhet të të bëjë të harrosh pse je aty.
Je aty për të ndërtuar besimin, je aty për të dhënë empati edhe me atë që thotë “o legen, o hajdut”. Ai është në të drejtën e tij sepse ai e ka paragjykimin shumë të fortë. Nëse ai vjen te ti, ti do ta dëgjosh, do t’i japësh mundësinë që ai të shikojë te ty njeriun. Është shumë interesant sepse të gjithë anëtarët e Grupit Parlamentar, të gjithë anëtarët e qeverisë jo sot, por rregullisht, por sot më shumë sesa më parë janë individualisht njerëz me goxha aftësi të veçanta individuale në gjerat që kanë bërë përpara se të vinin këtu, por kur vjen këtu dhe kur përfaqëson një pjesë të shoqërisë, jo të gjithën, në një territor psikologjik kaq shumë të ngarkuar me urrejtje, me inat me mllef, botërisht jo vetëm në Shqipëri, duhet të mos mendosh për veten që ti mund të kesh para pasqyrës në mëngjes përpara se të dalësh, por të mendosh si të shikon ai tjetri. Ai nuk të shikon si shikon ti veten, ai të paragjykon fort dhe ky paragjykim nuk luftohet në një debat ‘kush jam unë e kush je ti’ me qytetarin me njeriun që është pjesë e komunitetit tënd. “Besa”, siç nuk thotë aman më beso, por të lutem më kontrollo nuk thotë “kemi ndërmend” por thotë “ky është hapi, ky është personi përgjegjës, kjo është prova dhe ky është afati”.
Kur pengesa nuk kapërcehet, ajo nuk zhduket në heshtje siç zhduken mesazhet tuaja që i çoni drejtorëve, që i çoni kryetarëve të bashkive, që i çoni nga stresi, nga halli, nga nevoja për të ndihmuar, nga dëshira për të lehtësuar një njeri po dhe nga zakon i vjetër i sekserit. Është për t’u shkruar, pengesa e pa kapërcyer mbetet e shkuar prandaj gjithçka merret shënim te ‘Prania Besnike” dhe shkon pastaj nëpërmjet deputetëve te institucioni është diçka e shkruar, nuk është “WhatsApp”, nuk është “delete messages”, dhe nuk është akumulim i natyrshëm mllefi që pastaj vjen dhe shpërthen nëpër pasqyrat virtuale ose në hapësirën e Grupit Parlamentar ku në fakt duhet të ketë vetëm një imazh në kokë për të gjithë ata që duan të kontribuojnë që ky mandat të jetë suksesi më i madh i Partisë Socialiste dhe të jetë mbyllja me nder e një epoke dhe pastaj kalimi i stafetës në një epokë tjetër. Vetëm një imazh, tifozët e Norvegjisë në stadium.
Në arkitekturën e këtij sistemi të ri ne po ndërtojmë dhe një radar digjital, i cili do të jetë radari i qeverisë për të detektuar sinjalet e botës digjitale dhe radari dallon sinjalin, ashtu sikundër radari krijon kapacitet për të parë se si janë dinamikat në territore të ndryshme, por gjykon njeriu, nuk diskutohet; institucioni reagon; “Besa’’ e merr në dorë dhe “Pasqyra’’ e bën pastaj të verifikueshëm një proces. Radari nuk merret me njerëzit, nuk ndjek njerëz por ndjek dinamika, ndjek lëvizjen e çështjeve në sferën e interesit publik. Ne nuk mund të jemi një elefant që e marrin për hunde të gjithë llojet e specieve të botës digjitale, të pasqyrave virtuale. Një elefant që e marrin për hunde lloj-lloj aventurierësh, lloj-lloj gjobaxhinjsh, lloj-lloj kriminelësh që fshihen mbas portaleve që hapen si kërpudhat pas shiut çdo mëngjes dhe që vënë gjoba; gjoba mbi biznesin, gjoba mbi ju se mua nuk ka shans të më vërë dot gjobë askush, por gjoba mbi ju në formë presionesh. Prandaj ne duhet të kemi zotërim në këtë botë për të kuptuar, për të ndarë me qytetarin dhe shqetësimin për të cilin ne përgjigjemi, nga gjoba, nga lajmi i rremë, nga qumështi që kthen në shterpë vajzat që e pinë, nga buka që kush e ha, lind fëmijë me sy të bardhë, apo nga ilaçi që kush e pi, kthehet nga mashkull në femër dhe anasjelltas, ose të dyja bashkë.
Ne nuk mund të jemi pre e gjithë kësaj histerie ku nuk di më kush është prapa dhe çfarë po të thotë dhe çfarë të besosh.
Dhe në fund dua ta mbyll me një element tjetër të munguar të këtij sistemi që është elementi që do të duhet të bëjë të prekshme “Besën’’ edhe ne raportin e qytetarit me administratën si interes për t’u përfshirë dhe si kufij mospërfshirjeje. Për këtë, ne po ndërtojmë së bashku me Adean dhe ekipin, dua ta falënderoj sepse Adea dhe ekipi i saj janë një nga zonat më kompetente të qeverisë sonë, një “shkallë të meritës” që nuk është një portal tjetër i administratës publike apo një portal punësimi, por është një hapësirë për një marrëveshje të shtetit me qytetarët lidhur me karrierën.
Me karrierën në shtet, e cila fitohet, nuk dhurohet; e cila mbahet dhe ngrihet mbi bazën e meritës dhe nëse një i ri beson se për të hyrë në administratë duhet njohur dikë, ky është problem, por nëse të gjithë besojnë që sot në administratë hyjnë vetëm ata që kanë një akses politik apo klientelist, kjo është një tragjedi. E vërteta është shumë më e larmishme dhe shumë më larg të dyjave këtyre ekstremeve, është diku në mes.
Se për shembull, procesi ynë i rekrutimit në administratën publike sot është ku e ku më i strukturuar sesa deri dje. Dhe nuk është e rastit që Shqipëria klasifikohet jo nga ne, po nga struktura më e mirënjohur botërisht e vlerësimit të administratave publike, OECD Sigma, si e para në rajon dhe është interesant fakti që në shumë, jo në të gjitha, por në shumë nga klasifikimet e rajonit përsa i përket reformave, nuk flas për të tjerat, por për reformat, ne jemi dukshëm në vendin e parë nga të tjerët jo sipas nesh; ne jemi dukshëm në vendin e parë për prokurimet publike, për transparencën e prokurimeve publike, për konkurrueshmërinë. Ne jemi dukshëm në vendin e parë në rajon për menaxhimin e financave publike, për sistemin e taksimit në kuptimin e administrimit; ne jemi dukshëm të parët në rajon në këto rezultate të reformave por problemi ynë është që kjo nuk ka asnjë vlerë sot për situatën ku jemi, kur shqiptarët na kanë thënë, “ça keni bërë, shkruajeni nëpër libra”. Për historinë e partisë suaj apo për historitë tuaja personale, ne nuk na intereson. Ne duam tani. I duam të gjitha. Tani. E duam Shqipërinë, Gjermani, Francë, Angli dhe Norvegji, tani.
Pra duan shumë më tepër sesa këto klasifikime, raportet etj dhe ne nuk mund t’i themi atyre që, “shiko, ndjesia jote është e gabuar se statistika thotë kështu;’’, ose ‘’mërzia jote është gabim se shifra thotë kështu” ose ‘’pakënaqësia jote është mëkat sepse faktet thonë kështu”. Ndjesia, mërzia, pakënaqësia e tyre nuk është problemi i tyre, është problemi ynë. Dhe për këtë arsye, ne duhet të krijojmë një sistem që të jetë në gjendje ta komunikoje shtetin, jo të komunikojë në sensin e mbushjes së mendjes po ta komunikojë shtetin në të gjitha këto dimensione dhe ta komunikojë shtetin tek besimi ne karrierë për njerëzit që duan të punojnë në shtet dhe për këtë, unë do të propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti me telefon për të futur njeri në punë, të konsiderohet vepër penale dhe do ta propozoj këtë dhe do t’ju shoh të gjithëve në sy, dhe do t’ju kërkoj ta votoni.
Çdo mesazh i çuar, “fut këtë në punë’’, “shihe një çikë atë’’, të konsiderohet vepër penale sepse një deputet që bën ketë, nuk është i denjë për të qenë përfaqësues i atyre mijëra të tjerëve që nuk kanë akses tek WhatsApp-i i tij, që nuk janë pjesë e trungut familjes së tij, që nuk janë pjesë e rrënjëve të tarafit të tij dhe që nuk janë shokë fëmijërie të tij dhe që fëmijët e tyre i kanë rritur me një mijë e një mundime dhe që e kanë votuar dhe këtë deputetin, kanë votuar dhe të gjithë deputetët me radhë në atë zonë për Partinë Socialiste, dhe në fund, e shikojnë fëmijën e tyre të parakalohet nga WhatsApp i deputetit. Vepër penale! Dhe “Shkalla e meritës” duhet të krijojë një arkitekturë shumë të qartë ku grada të bëhet pasuri profesionale e njeriut, jo pronë e postit që mban sot apo e qeverisë që vjen nesër.
Në anketimin e administratës publike, të cilin ne e kemi bërë çdo vit përmes ekipit të Adeas, ka një të dhënë që duhet t’ju mbetet të gjithëve sot nga ky takim. Është anketimi i pestë, mos gabohem dhe është anketimi më i madh në numër i punonjësve të administratës sepse në fillim kishte mosbesim dhe pastaj ato teoritë, “jo po na kuptojnë’’, sepse është anketim sekret, i fshehtë. Jepen fletët, mbushen dhe nuk ka aty asnjë shenjë se kush e ka mbushur dhe nuk analizohet nga eprorët.
Analizohet nga ekipi i Ministrisë së Shtetit dhe paga kuptohet që është gjithmonë e pamjaftueshme për të gjithë. Kur është e pamjaftueshme për KLP dhe për KLGJ, paga, përfytyroni për të tjerët. Domethënë kur KLP, KLGJ, dy struktura që janë fytyra e dështimit të reformës në drejtësi, nëse SPAK-u, Gjykata Speciale apo disa komponentë të tjerë janë fytyra e suksesit, KLP dhe KLGJ janë fytyra e dështimit të reformës në drejtësi dhe kur këtyre dy trupave, që janë qeverisja e gjyqësorit dhe që në fakt, qeverisin gjyqësorin më pak sesa ç’qeveriset gjyqësori nga zakonet e vjetra dhe nga njerëzit prapa perdeve, i kanë të pamjaftueshme pagat disa herë më të larta se pagat tona këtu, parafytyro se si mund të thotë një nëpunës i administratës publike që paga është e mjaftueshme. Është rritur, është rritur numri i atyre që thonë paga është e mjaftueshme por është më pak se numri atyre që thonë është e pamjaftueshme, por ka një element tjetër që është bërë njësoj si paga. Pra, tek gjerat që punonjësit tanë të administratës publike thonë se nuk shkojnë është një tjetër, mos ndëshkimi i performances negative.
Pra punonjësit e administratës, në pjesën më të madhe janë ndër njerëzit më të mirë të Republikës së Shqipërisë, ndër njerëzit më të zotë të Republikës së Shqipërisë dhe këtë mua ma ka bërë të qartë si drita e diellit fakti që jo 10 se 10 i gjen në çdo vend, 20 tamam i gjen dhe në PS të Vlorës, por 1000 vetë, 1000 punonjës të këtij shteti kanë shkëlqyer në përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në Bruksel në procesin më sfidues për çdo shtet që do të hyjë në Bashkimin Europian që është procesi i diagnostikimit të të gjithë problematikës së organizmit shtetëror të atij vendi.
Kaq e vërtete është kjo, saqë kur ne luftonim për të hapur negociatat kush ishte më pranë asaj problematike, Taulanti e di mirë dhe disa të tjerë këtu, unë gjithmonë thosha, e di mirë Majlinda, e di mirë Igli apo kush përpara tij, unë thosha “po mirë do hapim negociatat po pastaj çfarë do bëjmë ne? Aty pastaj do turpërohemi se aty do shkojë administrata jonë të përballet me administratën e tyre që është administrata më neurotike e planetit”. Ajo nuk është administratë, ajo është makineri njerëzish që funksionon më mirë se një veturë, por ja që ndodhi komplet e kundërta. Dhe për dijeninë e të gjithëve ka qenë performanca e asaj administrate një nga arsyet pse Franca, Danimarka, Holanda i kanë dhënë më shumë pikë Shqipërisë në pasqyrën e tyre të respektit. Dhe për mua s’kishte befasi më të madhe. Vinte kryeministrja e Danimarkës “dëgjoj fjalë të jashtëzakonshme për atë ekipin tuaj të negociatave”. Lëre pastaj Mark Rutte që ishte bota e kthyer përmbys. Mirëpo ka njerëz na thonë një gjë, “në administratën që ne punojmë se punove se s’punove njësoj është”. Sepse në administratën tonë ka plot njerëz që janë aty me meritë dhe në administratën tonë ka njerëz që janë aty me Whatsapp.
Ata e konsiderojnë atë shkesin e Whatsapp-it edhe Bruskel, edhe Paris, edhe Berlin, edhe Parlament, edhe qeveri edhe çdo gjë tjetër. Për ata është vetëm ai dhe kjo duhet të ndryshojë. Duhet të ndryshoje dhe duhet të ndryshojë mbi bazën që ne kemi ngritur. Ashtu sikundër edhe këtu është inteligjenca artificiale që na vjen në ndihmë për gjëra që pa atë ne do ta kishim shumë të vështirë që të kalonim nga ato fjalë tek veprat.
Pse ne nuk e dimë akoma sa inxhinierë ka Republika e Shqipërisë. S’po flas sa inxhinierë ka Shqipëria dhe nëna Shqipëri në të gjithë botën, por sa inxhinierë ka Republika e Shqipërisë, sa inxhinierë mekanik ka Vlora për shembull? Dhe pse në drejtimin e institucioneve që duan inxhinierë, nuk kemi inxhinierë? S’ka fare asnjë inxhinier në Vlorë? Po sa inxhinierë mjedisi ka? Po sa inxhinierë të tillë ka, po sa profesionistë etj ka? Ne nuk e dimë.
Dhe shkalla e meritës do të hapë një derë që do të rrijë hapur publikisht përsëri përmes “Pasqyrë Albania” ku qytetari që do, i riu që do, në Tiranë, në Shqipëri apo në Australi gjithmonë nënshtetas i Republikës së Shqipërisë megjithëse është koha që ne ta hapim edhe për nënshtetasit e BE siç e kanë vendet e BE, po përpara se të shkojmë aty, të paraqitet dhe të regjistrohet me një pasaportë merite të tijën. Dhe të thotë “unë jam ky, arsimi im është ky, përvoja ime është kjo, portofoli im është ky, këto janë aftësitë dhe rezultatet e mia. Ju lutem sa herë të ketë një vend të hapur që mund të jetë në interesin tim, më njoftoni”. Dhe sistemi, jo deputeti, “oh shiko se është hapur një vend atje, shihe pak këtë se ky kur ishte ajo lufta e Mezhgoranit është ai që ju kujtohet, i binte borisë dhe mbante fytin dhe i dilte gjak? Ai është gjyshi i këtij “. Jo, sistemi vet pa urdhër, pa u marrë njeri fare lajmëron të gjithë inxhinierët mekanik që është hapur një vend për inxhinier mekanik dhe ky nuk është emërim, kuptohet, por kjo është një hapje e rrugës për të gjithë ata që duan të hyjnë.
Tani vijmë tek hyrja se këtu njerëzit do thonë po mirë dakord, edhe më keq, do t’ja bëni dhe këtë dhe pastaj do vijë ai ose ai tjetri që i ka pasur të gjithë në burg, vëllai, se ishte i persekutuar por është me ne tani se e kthyem dhe ka shtatë vëllezër vëllai. “Ma fut pak inspektor aty te AKU-ja se aty është mirë se kapin dhe ndonjë akullore se vëllezërit kanë dhe kalamaj dhe ju pëlqejnë akulloret me pistakio”. Jo! Provimi bëhet digjital ti nuk nevojë të njohësh, ti nuk ke nevojë të vish. Po qesh një aty, por erdhën kohë të këqija i dashur, nuk ke çfarë bën! Kush mendon se mund ta shtyjë akoma siç e ka shtyrë deri tani, kur do ta hajë atë të shtyrën në fund që do i lutet Zotit vetëm ku është fundi që do bie se që rashë, rashë. Kështu që, nuk shtyhet më kështu. Provimi nuk është vetëm një ekran, por është një sistem. Ne kemi sot sisteme provimesh digjitale që nuk kontestohen më, i kemi prej vitesh, i bën Ministria e Arsimit, nuk kontestohen!
Dhe banka e pyetjeve trajtohet nga sistemi, nuk mund t’i marrësh dot pyetjet përpara. Duhet të shohësh çfarë do të japë sistemi. Vlerësuesit janë të verbër fare sepse nuk kanë fare lidhje, nuk dinë kë po vlerësojnë. Ata që hyjnë në shkallën e meritës për pasqyrën janë vetëm një kod, nuk janë një emër. Janë një kod. Në bazën e pasaportës kodi merr sinjalin, kodi futet në konkurs dhe s’ka fare, tani s’e di unë, çdo gjë mund të shpiket por të paktën me sa kuptojmë nuk ka mundësi që kjo gjë të penetrohet dhe të kthehet përmbys. Natyrisht që në fund vendimi certifikohet nga komisioni përkatës, por bëhet absolutisht shumë e vështire që të përmbyset.
Pra nëse duam të shkojmë përtej fjalimeve, përtej dokumenteve strategjikë, përtej koncepteve të reja na duhet ta fillojmë hap pas hapi me modesti dhe jo duke pretenduar se do i bëjmë të gjitha menjëherë. Pasqyra do kërkojë kohën e vet të ndërtimit, por do fillojë ndërkohë të hyjë pjesë - pjesë në proces.
“Besa” po ndërtohet si sistem në Kryeministri edhe do të shtrihet edhe në ministritë e tjera si sistem kontratual.
“Prania Besnike” do fillojë të premten, këtë të premte në orën 5 në gjithë Shqipërinë dhe kjo rrugë do të na mësojë se çfarë duhet të përmirësojmë, se çfarë duhet të bëjmë ndryshe. Natyrisht që kjo punë e bërë dhe dua t’i falënderoj ata që më kanë ndihmuar, Adean të parën, e gjithë kjo punë e bërë bazohet në kërkim të thelluar praktikash të tjera, këtu nuk ka shpikje, thjesht ka praktika të ndryshme ndërkombëtare që funksionojnë në vende të ndryshme, por si i thonë këta intelektualët që kemi me gjuhë të huaja këtu, të “kastumizuara”, pra të përshtatura me realitetin tonë dhe me problematikat tona dhe standardi ynë i ri duhet të jetë shumë i thjeshtë, besim duke filluar nga këtu, empati duke filluar nga këtu, shërbim duke filluar nga këtu për këdo që na sheh si njerëzit që mund të ndihmojmë dhe në fund angazhim duke filluar nga këtu!




Komente
Komento