Miliona fjalë janë shkruar deri më sot për protestat bulevardore të Tiranës (të mbiquajtura “Revolucioni i Flamingove”) në faqe mediash vendase e të huaja, në portale, dhe në rrjete sociale. Kështu rezultoi nga një analizë internetore që kreva me ndihmën e specialistit IT të sondazheve të mia.

Analiza e fjalëve të lidhura me temat e mësipërme na tregoi se kishte një dendësi të madhe në tri javët e para të qershorit. Por më pas, intensiteti i tyre ra ndjeshëm nga java në javë, duke përfunduar në një rrëke të mekët.

Në mënyrë analoge, edhe kurba e pjesëmarrësve në protestat bulevardore shënoi një rritje deri më 20 qershor (kur u shënua rekordi i pjesëmarrjes me rreth 25 mijë protestues), por ra më pas në mënyrë graduale nga java në javë. Dhe tani në bulevard mblidhen vetëm ca qindra qëndrestarë…

Jo rastësisht, edhe kurba e probabilitetit të rrëzimit të Ramës ka ndjekur të njëjtën trajektore në bursën ndërkombëtare të parashikimeve Polymarket. Probabiliteti i rrëzimit të Ramës brenda këtij viti ishte plot 53% më 11 qershor, dhe ka zbritur në vetëm 15% tani (shihni grafikun e mëposhtëm).