Fjalimi i largimit nga politika/ Gramoz Ruçi: Sa të më punojë mendja dhe zemra mbetem socialist i denjë! Të mos harrojmë, fryma, organizimi e lidershipi, baza e suksesit tonë

Ta marr fjalën pas atyre që tha Megi, sigurisht që është e vështirë, por për të nderuar jetën dhe kontributin e mikut tonë të ngushtë Bashkim Fino, do të ftoja të gjithë të pranishmit për të nderuar, meqë kemi 30-vjetorin e partisë, jo pak por 25 ish-deputetë të këtyre 30 viteve që janë ndarë nga ne. Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.

U prehshin të qetë dhe mirënjohje të pafundme për të gjithë kontributin që ata kanë dhënë për familjen tonë politike. Miqtë e mi, unë nuk jam person që emocionohem kollaj, por me këto që pashë në dokumentarin dhe me fjalën e Megit, të them të drejtën, mund t’ju them me plot bindje që jam shumë i emocionuar. Nuk jam këtu për të mbajtur ndonjë fjalim, nuk jam këtu as të flas për historikun 30-vjeçar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, por dola këtu për të marrë fjalën dhe për të thënë ashtu sikurse kolegët e mi, që unë kam pasur fatin dhe nderin të bashkëpunoj në këto 30 vite, përshkruan emocionet e tyre nëpërmjet këtij dokumentari.

Për efekt komunikimi, 30-vjetorin do ta ndaja në dy periudha, në periudhën e parë 1991-2005 dhe në periudhën e dytë 2005-2021. Nuk do të them asnjë impresion për ato tri net e tri ditë se si u themelua, se si u debatua dhe se si u programua, si u ideua dhe si u miratua familja jonë politike. Por ajo që do të thosha është se menjëherë sa u krijuam, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të parë 1991-2005, ne u identifikuam si forca politike e sistemit që lamë pas. E dyta, megjithëse siç thoshte Dritëroi ynë i madh, që i gjithë spektri politik shqiptar doli nga mitra e përgjakur e PP-së, ne u anatemuam gjatë gjithë kohës si vetë PP-ja. Por nuk mjaftonte kaq. Të ishe socialist nuk ishte e modës. Flitej për liri fjale, por vetëm liri fjale s’kishte për socialistët. Flitej për shtet ligjor, por vetëm ligj për socialistët s’kishte, kishte vetëm Maliq. Flitej në atë kohë për ekonomi tregu, por vetëm ekonomi tregu s’kishte. Flitej për shtet të së drejtës, por vetëm të drejta për socialistët nuk kishte. Rrahje, persekutime, barbarizma, ndëshkime, arrestime, që siç thanë edhe parafolësit në film, kulmoi me burgosjen e liderit tonë të asaj kohe Fatos Nanos. Prandaj kanë qenë ditë dhe vite tepër të vështira. Prandaj unë, meqë jam ende këtu aktiv në jetën politike të familjes sonë politike, do të përshëndesja në këtë 30-vjetor kryesinë, 15 anëtarët e parë të kryesisë së Partisë Socialiste. Do të përshëndesja me mirënjohje 3 nënkryetarët e parë të Partisë Socialiste, Servet Pëllumbin, Ismail Lleshin dhe Spiro Deden. Do të përshëndesja sigurisht shumë figura të spikatura akademike, të cilat në katër vitet e para janë marrë me programin e Partisë Socialiste, duke nisur nga Shkëlqim Cani, Ermelinda Meksi, Sabit Brokaj, Anastas Angjeli, Maqo Lakrori, Et’hem Ruka, Xhevat Lloshi, Fatri Sinani e Vasillaq Kureta, që nën drejtimin e Servet Pëllumbit rinovuan dhe programuan programin e Partisë Socialiste, një program vërtet social demokrat. Do të përshëndesja miqtë e mi, të parët të rinj, katër të rinjtë që trokitën te dera e Partisë Socialiste, Ilir Zelën, Ndre Legisin, Pandeli Majkon dhe Ilir Metën. Por në mënyrë të veçantë, unë kam jetuar me tetë grupe parlamentare deri tani. Ky që do të fillojë në shtator të këtij viti në legjislaturën e re, është i nënti. Por unë do të përshëndesja të 28-të deputetët e grupit të parë të Partisë Socialiste, me në krye Namik Doklen. Do t’i përshëndes të 28-të dhe sigurisht që ende memoria më punon, kanë qenë 36, por 8 prej tyre nuk jetojnë më. Dhe jo për nostalgji, por do të thosha që ky ka qenë grupi më i mirë parlamentar që ne kemi pasur në tetë mandate parlamentare. Dhe së fundi, do të përshëndesja mbi të gjithë Fatos Nanon, që sapo na përshëndeti.

I dashur Fatos! Ne jemi krenar për ty për shumë gjëra, pasi shumëkush nga ne dhe nga kundërshtarët e tu i thotë vetes politikan. Por askush, as nga ne dhe as nga kundërshtarët e tu nuk thotë dot që ti Fatos Nano s’je politikan.

I dashur Fatos! Ne jemi krenarë që të kemi pasur kryetar për 14 vite, pasi kushdo nga ne dhe nga kundërshtarët e tu i thotë vetes intelektual. Por askush, as nga ne dhe as nga kundërshtarët e tu nuk thotë dot që ti Fatos Nano s’je intelektual.

I dashur Fatos! Siç thashë në fillim të fjalës, shumë socialistë nga viti 1991 deri më 1997 u persekutuan, por 4 vite burg i bëre vetëm ti i dashur, për të vetmin faj se ishte kryetari ynë. Mirënjohje, mirënjohje, mirënjohje, Fatos Nano!

Nuk do të vazhdoj më gjatë. Më 1997, siç dihet, ne morëm pushtetin. Por ç’e do, s’kishte, kishte rënë shteti dhe brenda dy mandatesh ne ngritëm shtetin, vumë në binarë ekonominë e tregut, shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, pranuam Partinë Socialiste të Shqipërisë në Internacionalen Socialiste, e mbi të gjitha përballuam luftën e Kosovës, që sot ajo gëzon statusin Republika e Kosovës. E mbi të gjitha, për herë të parë, në mënyrë tejet të civilizuar, në 2005-n u pranua humbja dhe u dha dorëheqja e Fatos Nanos. Këtë e bën vetëm një lidership dhe një parti e civilizuar dhe e emancipuar. Për të ardhur në periudhën e dytë, 2005 e deri më sot.

I dashur Edi! Të kujtohet viti 2003 kur shprehe dëshirën dhe ambicien tënde për t’u bërë kryetari ynë? Shumë dyer degësh të Partisë Socialiste t’u mbyllën, shumë delegatë dhe anëtarë të komitetit të përgjithshëm drejtues nuk vinin firmën për të mbështetur kandidaturën për konkurim. E megjithatë, ti qëndrove stoik pasi ti e dije mirë që të bëhesh lider i familjes politike nuk mjafton vetëm ambicia jote dhe dëshira jote, por duhet patjetër edhe dëshira e dashuria e atyre për të cilët ti pate ambicie për t’u bërë kryetar i tyre. Dhe ajo erdhi fare natyrshëm në 2005-n. Dhe ja ku jemi sot.

Jemi sot kaq krenarë, si asnjë parti e majtë në të gjithë Evropën Lindore, me tre mandate rresht fitimtarë. Dhe për të përfunduar, pa dashur t’ju mbaj gjatë me të gjitha arritjet deri te vendimi i djeshëm që për herë të parë, Shqipëria jo vetëm që s’është importuese sigurie, por është eksportuese e saj dhe ulet në Këshillin e Sigurimit mes pesë më të mëdhenjve të botës. Natyrshëm ne jemi krenarë për të gjitha këto, por baza e këtij suksesi është pikërisht kjo familje e madhe politike, e cila në këtë periudhë të dytë jo vetëm që s’u vyshk, jo vetëm që s’u rrudh, por u rrit, u shtua, u emancipua. Sot kemi jo pak por 112.000 mijë anëtarë. Dhe kur themi që u emancipua, unë sjell vetëm dy-tre tregues. Një shoqe vetëm kishim më 1991 në kryesinë e parë socialiste, 35% e kryesisë së sotme janë shoqe. Një shoqe kemi pasur në grupin e parë socialist, 37% e grupit të sotëm socialist janë shoqe. Dy shoqe kemi pasur më 1997 anëtare të kabinetit qeveritar, 53% e kabinetit aktual qeveritar janë shoqe. Prandaj vetëm në vitet e qeverisjes së Partisë Socialiste, organizatat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e kanë renditur Shqipërinë në 10 vendet më të mira të botës për sa i përket barazisë gjinore. Dhe ky është një sukses tjetër.

Por veç këtyre, bazat e këtyre sukseseve tona, unë gjithmonë i kam përzemër t’i them, janë tri: fryma, organizimi dhe lidershipi. Kur flasim për liderin, baza e suksesit tonë ka qenë me Edi Ramën se Edi Rama ka ndier me socialistët dhe ne socialistët kemi ndier dhe ndiejmë lidershipin e Edi Ramës. Kur flasim për organizimin, kjo përsosmëri e jona i bën të tërbuar kundërshtarët tanë që sulmojnë me aq patos të ashtuquajturin patronazhues, që fakti si në formë dhe në përmbajtje është organizim partiak. Kur flasim për lider, ne jemi me fat që kemi një lider me vizion. Ne jemi me fat që kemi një lider me ambicie. Ne jemi me fat që kemi një lider tërë energji. Ne jemi me fat që kemi një lider tepër këmbëngulës, tepër të vendosur, tepër të përkushtuar dhe gjithmonë i maturuar. Prandaj, tre mesazhe do të kisha, ta ruajmë vëllezër dhe motra këtë frymë në këtë 30-vjetor, ta ruajmë, ta forcojmë dhe ta konsolidojmë këtë organizim si forcë dhe familje politike dhe të mbështesim pa kursim lidershipin e kryetarit tonë Edi Rama.

Së fundi, dua të bëj dhe një komunikim me ju. Kur unë nisa rrugëtimin tim të kësaj maratone të gjatë prej tri dekadash politike, 30-vjeçarët që janë në këtë kongres s’kishin lindur akoma. Kur unë nisa këtë rrugëtim, 5-vjeçarët e vitit 1991 sot janë 35 vjeç dhe janë këtu. Kur unë nisa këtë rrugëtim, 10-vjeçarët e vitit 1991 sot janë 40 vjeç dhe ata janë me shumicë këtu. Kur unë nisa rrugëtimin tim, adoleshentët 15-vjeçarë sot janë 45 vjeç dhe ata janë bërthama e Partisë Socialiste. Dhe natyrshëm, gjatë këtij mandati që po përfundojmë, me mua ka bashkëjetuar një pyetje: kur dhe ku, unë Gramoz Ruçi do të deklaroj fundin e kësaj maratone time politike? Pasi çdo maratonë ka startin e nisjes, ka edhe finishin e mbërritjes. Prandaj miqtë e mi, unë kam zgjedhur sot, se s’ka më mirë sesa 30-vjetori i Partisë Socialiste të Shqipërisë, s’ka më mirë se sot që ne kemi fituar mandatin e tretë të qeverisjes, s’ka më mirë se pas disa muajsh unë kam edhe një përvjetor tjetër personal, 70-vjetorin e datëlindjes sime, që të deklaroj këtu para jush se më 9 shtator kur fillon legjislatura e re, nuk do të ushtroj më mandatin që më ka dhënë Partia Socialiste dhe socialistët shqiptarë të qarkut të Fierit dhe se nuk do të kem ambicie për të qenë në asnjë organ të zgjedhur ekzekutiv të familjes sime politike, që më ka dhënë kaq shumë në këto 30 vite.

Prandaj, për ta mbyllur, më lejoni të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi që unë kam pasur fatin në këto 30 vite, të falënderoj edhe njëherë Fatos Nanon dhe Edi Ramën      që unë e kam pasur privilegj të jem bashkëpunëtori i tyre i krahut të djathtë, të falënderoj me gjithë zemër çdo socialist, nga Velipoja deri në Konispol se ata kanë qenë suporti i vërtetë dhe mbështetja e vërtetë për mua dhe t’i kërkoj njëherësh ndjesë kujtdo që mendon se unë gjatë këtyre 30 viteve s’kam plotësuar pritshmëritë që ai ka pasur ndaj meje. Të falënderoj, për herë të parë dhe të fundit e bëj këtë, bashkëshorten time, vajzën time, djalin tim, të cilëve si çdo politikan por unë më shumë, u kam krijuar shumë shqetësime në këto 30 vite të jetës sime politike. Ju garantoj të gjithëve se, aq sa të më punojë mendja dhe zemra, do të jem dhe do të mbetem një socialist i denjë, do të jem një familjar dhe mbi të gjitha, një gjysh i përkryer për Mian time, për Herën time dhe për Roin tim se jam tri herë gjysh.

Rrofshin socialistët shqiptarë! Gëzuar 30-vjetorin socialistë shqiptarë në të gjithë territorin e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria!

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • foni: 14/06/2021 05:11

    KU KA ME BUKUR TE IKESH KUR KE FITUAR..TREGON QE KE VLERA JO INTERESA.

    Përgjigju
  • so fair, so good: 13/06/2021 20:06

    Pse "Klani Ruci" nuk ka futur thonjte e djemve e mbesave ne PS, sic po ben prej 30 vjetesh "Klani Pellumbi"? Patriarku Servet Pellumbi, "gjithologu" i PS, ia ka kaluar me mijera here "thonjve" te "Klanit Kapo" ne partine e partive, PPSH.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Nënkryetarja e PE e pranon: BE gaboi me masat ndaj Kosovës, ishin të njëanshme! Serbia nuk ndëshkohet nga frika e Rusisë

Nënkryetarja e PE e pranon: BE gaboi me masat ndaj Kosovës, ishin të njëanshme! Serbia nuk ndëshkohet nga frika e Rusisë