‘Flamingo Mirror’, platforma e sapo prezantuar nga kryeministri Rama që tashmë ka hyrë në funksion, është pasqyrë propagande për opozitën. Deputetja Ina Zhupa thotë se qeveria nuk ka publikuar dokumentet e plota për investimet në Sazan e Zvërnec, duke renditur disa dokumente që mungojnë.
Ajo shkruan se duhet transparencë për ndërhyrjet në Zvërnec dhe rrethimin e zonës, aplikimi për leje ndërtimi, vendimi i KKT si dhe për çdo procedurë e vendimmarrje tjetër.
Sipas Zhupës, shqiptarët duan vetëm shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Postimi i plotë:
Qytetarët kërkojnë shfuqizimin e ligjit 21/2024. Edi Rama u ofron një pasqyrë propagandistike si Flamingo Mirror!
Edi Rama tenton t’i bëjë qytetarët për budallenj me receta të gatshme propagande.
Ndërkohë që kërkesat për shfuqizimin e ligjit 21/2024 janë bërë nga qytetarët dhe institucionet europiane, dhe janë depozituar në kuvend nga unë që në 14 Maj, Rama zgjedh të na shesë si “transparencë” publikimin e vetë ligjit në një tjetër faqe.
Pastaj, për ta plotësuar recetën, publikon edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e la në fuqi ligjin 21/2024, një vendim i turpshëm që e rrëzoi vetë rezoluta e Parlamentit Europian.
Transparenca vazhdon VKM nr. 596, për Pishë Poro–Nartë, për të cilin kemi depozituar ankim në Gjykatën Kushtetuese. Kjo VKM ndryshoi regjimin e mbrojtjes së zonës, kaloi statusin nga kategoria IV në kategorinë V dhe eliminoi nënzonimin e mëparshëm. Pikërisht këto ndryshime janë sot objekt kundërshtimi por për Ramën çelësi i ndërtimit.
Kjo është tallje e madhe!
Po edhe dokumentat nuk janë të plota, nëse qëllimi është thjesht transparenca, pse nuk publikohen të gjitha?!
Pse nuk publikohen dokumentet që tregojnë çfarë ndodhi realisht në Zvërnec, që u rrethua, hynë kamionë dhe fadroma?
Pse nuk publikohen Aplikimi nr. 3218 Prot., datë 28.04.2026, për Leje Ndërtimi Infrastrukture për rrethimin dhe punimet përgatitore në funksion të rrugëve të aksesit?
Pse nuk publikohet Vendimi nr. 05, datë 29.04.2026, i Këshillit Kombëtar të Territorit, me të cilin është miratuar kjo leje?
Pse nuk publikohen të gjitha dokumentet e procedurave, lejeve, vlerësimeve dhe vendimmarrjeve që lidhen me ndërhyrjet në këtë zonë?
Dhe pse nuk publikohet gjithçka që lidhet me projektet e Zvërnecit të paraqitura në “The Albanian Files”?
Kjo është transparencë me regji. Flamingo Mirror është pasqyra e propagandës, jo transparenca që kërkojnë qytetarët.
Qytetarët e dinë shumë mirë gjendjen. Nuk kanë nevojë për një pasqyrë që t’u tregojë gjendjen e mjerueshme. Kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës si e vetmja rrugë për të ndryshuar gjendjen dhe për mbrojtur vendin.
Lajmi kryesor:
Prezantohet ‘Pasqyra e Flamingove’, qeveria publikon dokumentet e investimeve në Sazan dhe Zvërnec! Rama: Së shpejti ‘dosja’ e Kayos









