Ky vit ka sjellë një fenomen të rrallë për qytetin e Pogradecit, numrin më të madh të flamingove që kanë vizituar ndonjëherë liqenin.

Para tre javësh, në brigjet e liqenit u pa grupi më i madh prej rreth 80 individësh, ndërsa këtë të premte janë vërejtur 15 flamingo në zonën e Drilonit.

“Flamingot zakonisht vijnë nga pjesa jugore e Europës, nga pjesa e Turqisë, nga jugu i Afrikës. Më pas vizitojnë dhe pjesën mesdhetare të Europës, përfshirë Detin Adriatik, siç është dhe Shqipëria. Në drejtim të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë. Ato vijnë nga një rrugë e largët dhe vendin e përdorin për një periudhë qëndirmi 2-3 javore maksimumi dhe më pas zhvendosen në laguna, ku është dhe habitati i tyre natyral. Flamingot preferojnë lagunat bregdetare dhe kryesisht liqenet e kripura”,- thotë Gani Bego, specialist i zonave të mbrojtura.

Këta shpendë elegantë, me qafë të hollë e të harkuar dhe këmbë të gjata e hijshme, kanë zgjedhur vijën liqenore të Pogradecit që nga Driloni e deri në Tushemisht për të pushuar gjatë ndalesës së tyre migratore.

Pogradeci shërben për to si vend tranzit, përpara se të vazhdojnë rrugëtimin drejt lagunës së Karavastasë dhe lagunës së Nartës, ku kalojnë dimrin.