Futbollisti shqiptar Altin Hoxha në një lidhje telefonike për Report Tv nga komuna e Montegranaro, 15 km larg epiqendrës ku u regjistrua tërmeti në Itali, i traumatizuar nga lëkundjet e forta sizmike u shpreh se situata është katastrofike, pasi shumë banesa janë shembur, por nuk ka viktima.
 
Altin Hoxha thotë se në momentin që ra tërmeti ishin në gjumë dhe se lëkundjet zgjatën 5-6 sekonda.
 
"Ishim në gjumë kur ndodhën lëkundjet, dolëm me vrap nga dhomat, ishim shumë të traumatizuar, mendonim se nuk do të mbaronin kurrë dridhjet, pasi zgjati gati 5-6 sekonda.
 
Edhe tani ndodhemi në panik, nuk e dimë se cfarë do të ndodhë. Edhe këtë natë do të flemë jashtë, pasi banesat janë dëmtuar.
 
Jemi 15 km larg epiqendrës ku u regjistrua tërmeti. Lëkundet e mëngjesit ishin katastrofë, shyqyr që nuk ndodhi në darkë.
 
Shyqyr Zotit ka vetëm dëme materiale. Shpresojmë që të mos ketë më dridhje në orët në vazhdim
" shprehet Hoxha.
 
Lojtari shqiptar thekson se janë këshilluar nga ekipet e emergjencës që të mos qëndrojnë në shtëpi, pasi rrezikojnë nëse do të ketë tërmete të tjera në vazhdim duke qenë se Italia ditët e fundit është lëkundur disa herë.
 
"Nuk flemë në darkë, maksimumi 4-5 orë këto 3-4 ditë, pasi rrimë zgjuar nga frika e lëkundjeve ditët e fundit".
 
Altin Hoxha është pjesë e ekipit të komunës ku banon dhe sot pavarësisht tërmetit do të zbresin në fushë për të zhvilluar ndeshjen e radhës.
 
"Klubi ka thënë që duhet të luajmë ndeshjen sot, pasi do të largojmë mendjen, pasi është situatë e vështirë psikologjike.
 
Shpresojmë që të mos ndodhin më këto tërmete, pasi është e tmerrshme
" përfundoi ai për Report Tv.



d.b/shqiptarja.com