Gazetari Flogert Muça është shprehur se ditën e sotme PD me vendimin për të marrë pjesë në Komisionin për Reformën Territoriale dhe për t’u ulur në bisedime me PS-në, ka vrarë protestën e 10 shkurtit.
Komentet Muça i bëri teksa ishte i ftuar në ‘RePolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se është e palogjikshme të organizosh protestë për rrëzimin e regjimit dhe të ulesh në tavolinë më pas me ‘regjimin’ për të negociuar.
Ai shtoi gjithashtu se sot në Shqipëri ka një lloj bashkëqeverisje mes PD-së e PS-së, pasi sipas tij, ata nuk e hedhin në erë sistemin për të mundur njëri-tjetrin.
“Kur vjen puna për të qenë i pari dhe i dyti, këta janë bashkë. Këtu ka një bashkëqeverisje dhe është në kurriz të Redit dhe partive simotra të Redit. Simotra të reja dhe të vogla, jo ideologjikisht, sepse janë unik, s’ka të majtë tjetër veç këtyre në Shqipëri.
Në këtë kuptim, nuk ka asnjë dilemë edhe sikur PD të mos shkonte në komision, sërish ka diçka që nuk do ndryshojë, as tani që është Rama, as kur ishte doktori. Vija e kuqe është që ‘ne jemi të mëdhenjtë’. Pastaj bërryla do ketë, sepse ata nuk po qeverisin me ministra të përbashkët. Doktori do që të jetë në vendin e Ramës dhe Rama nuk do t’ja lëshojë vendin doktorit, por ata nuk e hedhin asnjëherë në erë sistemin, për të mundur njëri-tjetrin.
Sot është tërhequr PD nga bojkoti. PS ka bërë një presion dhe PD ka rënë pre e këtij presioni. Kjo është gafë për medimin tim. Sepse në datën 10 ata kanë një protestë. Protestën e kanë për të rrëzuar një regjim. Por një javë para ditës së rrëzimit të regjimit, ulesh me regjimin në tavolinë. Ky është presioni që kanë bërë socialistët dhe ja kanë arritur. Pra kanë vrarë protestën”, tha mes të tjerash Muça.
Kujtojmë pak minuta më parë në Kuvend Partia Socialiste pranoi të heqë nga rendi i ditës propozimin e tyre për zhbërjen e formulës së barazisë mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin e Reformës Territoriale, pasi nga PD deklaruan se do të merrnin pjesë në Komision.
Komente











