Prilli dhe maji janë zakonisht dy muaj që i bëjnë kompanitë ajrore të buzëqeshin. Njerëzit udhëtojnë gjithnjë e më shumë pas “gjumit” të gjatë dimëror, shtohen fluturimet, rriten çmimet mesatare të biletave, të ardhurat po ashtu dhe fillojnë të duken fitimet.
Është një parapërgatitje për atë që zakonisht ndodh në korrik dhe gusht, kur dhjetëra miliona njerëz udhëtojnë drejt destinacioneve turistike, duke sjellë likuiditetin që më pas i ndihmon kompanitë të përballojnë humbjet — shpesh të mëdha — të muajve nëntor, janar dhe shkurt.
Pasojat e konfliktit
Por lufta në Lindjen e Mesme — e shpërthyer në fund të shkurtit —, bllokimi i Ngushticës së Hormuzit prej dy muajsh e gjysmë, dyfishimi i çmimit të karburantit për avionët krahasuar me pak javë më parë, rritja e fortë e tarifave ajrore dhe hezitimi i njerëzve për të planifikuar pushimet verore (edhe për shkak të çmimeve të larta të biletave), kanë ngrirë një sektor që pritej të siguronte edhe 41 miliardë dollarë fitime, por që tani ka hyrë në “modalitet mbijetese”.
Nisjet e anuluara
Nëse muaji i parë i konfliktit — marsi — pati ndikim kryesisht në operacionet në Lindjen e Mesme, ku disa kompani lokale ndaluan aktivitetin për ditë të tëra për arsye sigurie, që nga prilli anulimet e fluturimeve të planifikuara janë përhapur në mënyrë masive. Ndërkohë, kompanitë ajrore kanë filluar edhe të reduktojnë ofertën e fluturimeve. Muajin e kaluar u anuluan mbi 52 mijë nisje, sipas platformës së specializuar Cirium, rreth 50% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Fluturohet më pak
Lindja e Mesme regjistroi një rritje prej 263% të anulimeve — edhe për shkak të mbylljes së hapësirave ajrore pas raketave të lëshuara nga Irani drejt vendeve të tjera të Gjirit Persik. Por edhe Evropa nuk mbeti pas me +114%, ndërsa Azia-Paqësori shënoi +27% dhe Amerika e Veriut +16%. Paralelisht, ka rënë edhe numri i fluturimeve komerciale — kryesisht ato të pasagjerëve — që nga 1 prilli deri më 12 maj rezultojnë rreth 1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Flota të tëra avionësh në tokë
Rezultati nuk është vetëm ulja e të ardhurave dhe e lëvizjeve. Kriza po sjell edhe një numër avionësh të parkuar jashtë çdo norme. Sipas Cirium Ascend Consultancy, aktualisht numërohen 2.395 avionë pasagjerësh të mbajtur në tokë prej të paktën një jave — 45% më shumë se një vit më parë. Sigurisht, ndikim kanë edhe kontrollet teknike të motorëve Pratt&Whitney që vazhdojnë prej vitesh, falimentimi i kompanisë low cost Spirit, si dhe fakti që linjat ajrore të Lindjes së Mesme nuk janë rikthyer ende plotësisht në normalitet.
Katër “valët” e krizës
Por kjo shpjegon vetëm pjesërisht rritjen e numrit të avionëve të parkuar. Nuk mjafton as fakti që kompanitë kanë nxjerrë para kohe nga përdorimi avionët më të vjetër, sepse konsumojnë më shumë karburant dhe preferohen modelet më të reja e më efikase. “Vlerësojmë se ndodhemi mes valës së tretë dhe të katërt të këtij fenomeni”, shkruajnë analistët e Cirium Ascend Consultancy në një raport dërguar operatorëve të sektorit.
Pas “reduktimit të menjëhershëm të ofertës për shkak të faktorëve të jashtëm” (vala e parë) dhe “racionalizimit të qëllimshëm të ofertës përmes optimizimit të frekuencave” (vala e dytë), tani kompanitë po kalojnë në “përshtatjen e madhësisë dhe tipologjisë së avionëve me kërkesën e re” (vala e tretë) dhe në “daljen nga rrjeti i linjave” (vala e katërt), që sjell eliminimin e shumë fluturimeve.
Efektet tek çmimet
Kjo krizë po ndikon edhe në çmimin e biletave ajrore. Sipas të dhënave të Oag, pas kulmit të arritur në javën e 13-të të vitit (23-29 mars), kur tarifat u rritën me 34,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, çmimet kanë nisur gradualisht të afrohen me nivelet e mëparshme, megjithëse në fillim të majit biletat mbeten 8-10% më të shtrenjta.
Frika për mungesë karburanti
Në këtë situatë, kompanitë paralajmërojnë se ekziston një tjetër rrezik: mungesa e karburantit për avionët në disa rajone, gjë që mund të paralizojë operacionet teksa kriza përkeqësohet dhe Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur. Evropa importon rreth 40% të vajgurit për avionë, dhe gjysma e tij vjen pikërisht nga Gjiri Persik, i cili që prej fundit të shkurtit pothuajse nuk eksporton më asgjë.
Masat e kursimit
Për të ulur kostot në këtë klimë pasigurie, dhjetëra kompani ajrore konfirmojnë se kanë ngrirë planet e zgjerimit, kanë ndalur punësimet, ndërsa disa prej tyre u kanë kërkuar pilotëve dhe stjuardesave të marrin pushime pa pagesë. Gjithashtu, janë reduktuar në minimum ose janë anuluar plotësisht udhëtimet e drejtuesve të kompanive nëpër botë.
“Nuk është një situatë si pandemia, nuk është as një periudhë pas 11 Shtatorit dhe as një krizë financiare globale”, thotë më shumë se një drejtues i sektorit. “Është pak nga të tria bashkë.”/CorrieredellaSera
Komente











