Pas 13 vitesh diskutimesh dhe 22 vjet pas hyrjes në fuqi të paketës së parë, Bashkimi Europian po përgatitet të rishkruajë një pjesë të rregullave që mbrojnë pasagjerët ajrorë, nga vonesat dhe kompensimet deri te detyrimet e kompanive. Megjithatë, paketa e re, e cila duhet të marrë dritën jeshile përfundimtare në korrik, nuk po kënaq askënd. Ndryshimet nuk pritet të përmbysin rregullat aktuale, por sjellin disa risi që do të ndikojnë në mënyrën se si udhëtarët rezervojnë fluturimet dhe kërkojnë kompensime. Ja çfarë parashikohet të ndryshojë nga gjysma e dytë e vitit 2027.
1) Cili është ndryshimi më i rëndësishëm?
Transparenca e tarifave. Marrëveshja parashikon që çmimi përfundimtar i biletës, i shfaqur nga platformat e rezervimeve dhe kompanitë ajrore, të jetë i qartë që në fillim dhe të përfshijë edhe bagazhin e dorës.
2) A do të thotë kjo se kompanitë low cost nuk do të mund të kërkojnë më pagesë shtesë për të marrë në bord një valixhe dore, përveç një sendi personal më të vogël si çanta e shpinës apo çanta e dorës që vendoset poshtë sediljes përpara?
Aspak. Rregullat e reja të BE-së do t’i detyrojnë kompanitë ajrore dhe agjencitë online të udhëtimit që të tregojnë gjithmonë edhe çmimin e biletës që përfshin bagazhin e dorës. Por në momentin e rezervimit, udhëtari do të mund të zgjedhë ende tarifën bazë, pa valixhen e dorës, e cila do të kushtojë më pak.
Pra, në thelb nuk ndryshon asgjë: te kompanitë low cost, bagazhi i dorës do të vazhdojë të paguhet veçmas.
3) Nëse nuk ndryshon asgjë, pse BE-ja ka vendosur ta ndërmarrë këtë hap?
Masa synon të luftojë praktikën e njohur si “drip pricing”, pra rastet kur çmimi i një bilete rritet gradualisht gjatë procesit të blerjes për shkak të tarifave shtesë të detyrueshme ose shërbimeve thelbësore që shtohen më vonë.
Po ashtu, ajo unifikon kriteret sipas të cilave algoritmet e rezervimeve shfaqin çmimet. Në praktikë, kjo do të thotë se kur udhëtarët kërkojnë fluturime në motorët e specializuar të kërkimit, krahasimi mes kompanive low cost dhe linjave të tjera tradicionale do të jetë më i saktë, pasi do të bazohet në të njëjtin nivel shërbimi të ofruar.
4) A përcaktojnë rregullat e reja edhe përmasat maksimale të bagazhit të dorës ose të sendit personal?
Jo. Në këtë rast, kompanive ajrore u lihet e drejta të vendosin vetë përmasat dhe peshën e bagazhit. Kjo do të thotë se mbetet e pazgjidhur çështja e vjetër e kritereve të ndryshme që zbatohen nga një kompani ajrore te tjetra.
5) A do të mund të vazhdojnë kompanitë ajrore të aplikojnë tarifa shtesë që fëmijët të ulen pranë prindërve?
Jo. Kjo praktikë ndalohet. Marrëveshja heq çdo kosto shtesë për caktimin e vendeve të fëmijëve nën 14 vjeç pranë prindit ose personit që i shoqëron.
I njëjti parim, ai i udhëtimit pa kosto shtesë dhe me mbrojtje të garantuar, do të zbatohet edhe për personat me aftësi të kufizuara ose me lëvizshmëri të reduktuar, si dhe për shoqëruesit e tyre.
Mbetet për t’u parë se si disa kompani low cost do të përpiqen ta anashkalojnë këtë ndalim.
6) Çfarë ndryshon sa i përket kompensimeve në rast vonesash ose anulimesh?
Parlamenti Europian ka hedhur poshtë përpjekjet për të dobësuar mbrojtjen ekzistuese të pasagjerëve. Kufiri prej tre orësh vonesë për të përfituar kompensim financiar mbetet i pandryshuar, pavarësisht propozimeve për ta rritur atë në katër ose gjashtë orë.
Pasagjerët vazhdojnë të kenë të drejtën e kompensimit financiar ose të transportimit me një fluturim alternativ në rast refuzimi të imbarkimit, anulimi të fluturimit të njoftuar më pak se 14 ditë para nisjes, ose vonesash të gjata në mbërritje.
7) Sa janë kompensimet dhe nga çfarë varen?
Shumat e kompensimeve nuk ndryshojnë dhe vazhdojnë të llogariten në bazë të distancës së fluturimit, sipas skemës së mëposhtme:
a) 250 euro për të gjitha fluturimet deri në 1.500 kilometra, përfshirë edhe ato me gjatësi të barabartë me këtë distancë;
b) 400 euro për fluturimet me distancë nga 1.500 deri në 3.500 kilometra;
c) 600 euro për fluturimet me distancë mbi 3.500 kilometra.
8) A është kompensimi (i ndryshëm nga rimbursimi, që lidhet me kthimin e shumës së paguar për biletën) një shumë fikse?
Jo. Rregullat e reja parashikojnë që për fluturimet mbi 3.500 kilometra, kompania ajrore mund ta ulë kompensimin me 50%, pra në 300 euro, nëse i ofron pasagjerit një fluturim alternativ ose nëse vonesa në mbërritje nuk i kalon katër orë.
9) A ka raste kur kompanitë ajrore përjashtohen nga detyrimi për të paguar kompensim?
Po. Kompanitë ajrore nuk janë të detyruara të paguajnë kompensim nëse problemi është shkaktuar nga rrethana të jashtëzakonshme jashtë kontrollit të tyre.
Për të shmangur interpretimet arbitrare nga ana e transportuesve, marrëveshja përfshin një listë të qartë, edhe pse jo shteruese, të këtyre rasteve. Në to përfshihen fatkeqësitë natyrore, luftërat, kushtet e pafavorshme të motit që nuk lejojnë zhvillimin normal të fluturimeve, sjelljet problematike të pasagjerëve, si edhe grevat që prekin shërbimet aeroportuale, kontrollin e trafikut ajror ose shërbimet e asistencës në tokë.
10) Çfarë lloj asistence, fizike dhe dixhitale, parashikohet për pasagjerët që mbeten të bllokuar në aeroport?
Kompanitë ajrore duhet t’u ofrojnë pasagjerëve pije çdo dy orë pritjeje dhe një vakt ushqimor pas tre orësh.
Në rast se vonesa zgjatet gjatë natës, ato janë të detyruara të garantojnë akomodim në hotel për deri në tre netë.
Nga ana operative, kompanitë do të duhet gjithashtu të vënë në dispozicion udhëzime të qarta dhe lehtësisht të aksesueshme përmes telefonit inteligjent ose kanaleve të tjera dixhitale, mbi mënyrën se si pasagjerët mund të kërkojnë asistencë dhe të paraqesin ankesat e tyre.
11) Çfarë ndodh tani në aspektin legjislativ përpara se rregullat të hyjnë në fuqi?
Meqenëse bëhet fjalë për një marrëveshje të përkohshme mes negociatorëve të Parlamentit Europian dhe Këshillit të BE-së, teksti duhet tashmë të konfirmohet dhe të miratohet zyrtarisht nga të dy institucionet. Votimi përfundimtar në Parlamentin Europian është planifikuar për mesin e korrikut 2026.
Pasi të miratohet dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Europian, paketa do të kthehet në standardin e ri për transportin ajror në hapësirën europiane, me shumë gjasa duke nisur nga gjysma e dytë e vitit 2027./CorrieredellaSera
Komente










Këto kompanitë e ashtuquajtura Low cost janë shushunja që u pijnë gjakun pasagjetëve kur vjen puna tek valixhja e dorës.Kur nuk futet tek masa që ata vendosin në momentin para imbarkimit të vendosin një pagesë që është sa dyfishi i gjithë biletës që ke prerë.Minimalja është 70 euro.Mund t’ja hedhësh e të mos paguash nqse kur ke prerë biletën ke paguar një tarifë shtesë mbi biletën duke zgjedhur numrin e ulses në aeroplan.Këta quhen pasagjerë që kanë përparësi të cilët futen të parët dhe nuk para kontrollohet madhësia e bagazhit të dorës.Në vitet 2005-2010 kishe të drejtë të merrje një valixhe gjer në 25 kg pa pagesë dhe një valuxhe dore në bord pa para,tek këto kompanitë që nuk ishin Low cost.Tani edhe këto kompani kërkojnë të paguash për valixhet në barkun e aeroplanit dhe pesha ka shkuar 20 kg.Të gjitha kompani ajrore kërkojnë t’i zhvasin pasagjerët.BE nuk duhej t’i lejonin këto maskarallëqe që bëjnë këto shushunja.Gjë pozitive më duket që nuk do t’i lejojnë të rrisin vlerën e biletës gjatë kohës që je duke bërë veprimet online për të prerë biletën.Tjetër tregon kur e shikon çmimin dhe në fund kur bën pagesën shikon se shuma që paguan është më e lartë se ajo që sheh në faqen e kompanisë.Këto quhen çmime të fshehura të këtyre kompanive.
Përgjigju