Rritja ekonomike mbi 3 për qind është e qëndrueshme, por e pamjaftueshme për krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljen e papunësisë, deklaroi sot në Prishtinë shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Jacques Miniane, i cili ishte për vizitë dy javore në Kosovë
Në një konferencë për shtyp, shefi i FMN-së, Miniane theksoi se "ne kemi arritur katër pesë pika kyçe gjatë këtyre javëve, ne presim një rritje këtë vit pak mbi 3 për qind, kjo nuk është keq në fakt është më mirë se disa shtete të rajonit. Pajtohem me Bankën Qendrore të Kosovës dhe qeverinë, si dhe me te gjitha palët e interesit, që Kosova ka nevojë për një rritje më të madhe, më të shpejtë se 3 për qind në mënyrë që të krijojë vende të reja të punës".
Sipas tij, konkluzioni i dytë që është arritur është se defiçiti buxhetor i këtij viti mund të tejkalojë 2 për qindëshin e buxhetuar.
"Kosova duhet t'i krijojë hapësirë në buxhet projekteve zhvillimore dhe ilaçeve për spitale", nënvizoi Miniane duke shtuar se sektori bankar qëndron, por bankat duhet të japin më shumë kredi që të mbështesin shumë investime në sektorin e prodhimit dhe infrastrukturës.
Lidhur me gjyqësorin, Miniane tha se "problemi tjetër ka të bëjë edhe me gjyqësorin. Ka një ngarkesë të madhe të çështjeve në gjyqe që presin zgjidhje dhe gjykatat jo gjithmonë e kanë ekspertizën për të trajtuar rastet financiare dhe na ka ardhur shumë mirë që qeveria është duke punuar në këtë drejtim për t'i trajtuar këto çështje përfshirë përmbaruesit privat kanë filluar të funksionojnë".
Ai po ashtu ka përmendur edhe ligjin për prokurimin e që beson që qeveria me ligjin e ri do të funksionalizojë E-prokurimin në mënyrë që të ketë një qeverisje më të pastër, më transparente me rregulla të barabarta për të gjitha kompanitë.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se është hera e parë që Kosova ka konsultime të tilla.
"Fondi Monetar për herë të parë vjen në Kosovë për të kryer këto konsultime në kuadër të artikullit të katërt sipas statutit të FMN-së. E kemi një situatë relativisht të favorshme sa i përket borxhit publik, të cilin e kemi mjaft të ulët dhe kemi hapësirë për të hyrë në marrëveshje me Fondin Monetar dhe me organizatat e tjera ndërkombëtare për të financuar nevojat tona", u shpreh Hoti.
Guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza, tha se "kemi rritje të aseteve, depozitave dhe të kredive ku kreditimi në vitin 2014 ka qenë më i madhi në tre katër vitet e fundit. Është pozitive që normat e interesat janë në rënie edhe pse ende vazhdojnë të jenë të larta, mendoj që ka hapësirë që këto norma të interesat të zvogëlohen të rritet kreditimi", ka thënë Hamza.
Përfaqësuesit e Fondit Monetar Monetar kanë qëndruar disa javë në Kosovë ku janë takuar me përfaqësues të institucioneve të ndryshme me të cilët janë konsultuar në kuadër të artikullit të katërt sipas statutit të FMN-së./atsh/