Forcat irakiane progresojnë, por
lufta kundër ISIS është e vështirë

Forcat irakiane progresojnë, por<br />lufta kundër ISIS është e vështirë
Forcat irakiane kanë shënuar progres kundër ISIS-it në Falluxhën e kontrolluar prej grupit të dhunshëm islamik, një nga fortesat e fundit të tij në vend. Ish-bastioni i rebelimit sunit gjatë pushtimit të Irakut, e më vonë edhe ndaj qeverisë shiite në Bagdad, u rrethua pak kohë më parë nga forcat e ushtrisë, të cilat u pozicionuan në rrethinat e tij. Luftëtarët e ISIS-it e ngritën në janar të vitit 2014 flamurin e tyre në Falluxhën e ndodhur vetëm 50 km larg kryeqytetit, e disa muaj më vonë shpallën nga Mosuli krijimin e kalifatit islamik.

Por edhe pse ofensiva e trupave qeveritare në Irak, e nisur më 23 maj me mbështetjen e milicisë shiite dhe forcat e mobilizuara popullore, ka nisur të japë frytet e saj, ekspertët vazhdojnë t’i shohin me një lloj skepticizmi përpjekjet për të luftuar ekstremizmin brenda një kohe të shkurtër. “Ekstremistët kanë vullnetin të vdesin si martirë. Forcat irakiane nga ana tjetër nuk kanë një doktrinë ushtarake, sidomos në luftrat e zonave arabe”, tha Musa Qallab, analist politik nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Beteja në Siri zhvillohet në rrethana të ngjashme. Shteti Islamik atje do të përpiqet padyshim ta mbrojë me çdo kusht fortesën e tij, Raqqanë. “Vetëm kur të krijohet një qeveri qëndrore, me të cilën të pajtohen të gjithe fraksionet, do të ketë realisht çrrënjosje të ekstremizmit në Irak. E njëjta gjë vlen dhe për Sirinë. Grupet ekstremiste atje do ta humbin mbështetjen e njerëzve në zonat e pushtuara, atëherë kur do të arrihet pajtimi mes qeverisë dhe opozitës”, tha Mohammed Al-Ghëainem, analist politik nga Arabia Saudite.

Sipas ekspertëve, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vende të tjera po përpiqen të shtrijnë influencën e tyre në Lindjen e Mesme për periudhën postekstremizmit, ndërsa Arabia Saudite e Irani do të donin shumë që sektet fetare të kishin ndikim më të madh në Siri dhe në Irak. Nisur nga kjo analizë, logjika sipas tyre e dikton që trazirat në rajon të zgjasin edhe në të ardhmen.
 
Izrael
Pak orë pasi dy persona të armatosur mësynë një kafene të hapur të Tel Avivit e vranë 4 vetë, Izraeli iu pezulloi të drejtën e hyrjes 83 mijë palestinezëve. Ishin dy kushërinj nga Bregu i pushtuar Perëndimor, ata që hapën zjarr mbi klientët e kompleksit “Sarona”. Të rinjtë, që vinin nga fshati palestinez i Yattas, pranë Hebronit, janë arrestuar e po merren në pyetje nga policia. Grupi islamik “Hamas” doli shumë shpejt me një deklaratë, ku e përshëndeste sulmin si “akt heroik”, por sqaronte se nuk është vepër e tij. Autoriteti Palestinez me seli në Bregun Perëndimor nuk ka bërë asnjë koment deri tani mbi incidentin.

Dy gra të moshës 32 dhe 39 vjeç dhe dy burra 42 dhe 58 vjeç ishin viktimat e ngjarjes së rëndë. Plot 16 persona të tjerë mbetën të plagosur. Babai i njërit prej agresorëve u shpreh i befasuar nga lajmi i përfshirjes së të birit. “Që të jem i sinqertë, ishte diçka e papritur për mua. Nuk e di çfarë e shtyu ta bënte një gjë të tillë, nuk e kam idenë se kush e përfshiu në këtë situate. Ai është djalë punëtor, nuk ka prirje politike. Jam i habitur si të gjithë të tjerët”, tha Ahmad Makhamreh, babai i njërit prej agresorëve.
Izraelitët vetë shprehen të tronditur nga sulmi. “Është e tmerrshme ajo që ndodhi këtu e është njëkohësisht e trishtueshme, pasi ndonjëherë jetojmë me iluzionin se gjërat më në fund po shkojnë më mirë”, tha Eric Hashdan, banor i Jeruzalemit.

Ka pasur një sërë episodesh dhune nga palestinezët ndaj izraelitëve vitin e kaluar, që përfshinin të shtëna, sulme me thika e përplasje makinash mbi këmbësorët, por niveli i tyre javët e fundit kishte pësuar rënie. Ndërkohë, pranë Ambasadës izraelite në Londër u krye shpërthimi i kontrolluar i një makine të dyshimtë. Policia bllokoi të gjithë zonën, e mbylli pjesërisht njërën prej rrugëve më të ngarkuara të kryeqytetit britanik, atë “Kensington”.
 
“Bosi”
Personi i cili u ekstradua në Itali me dyshimin se ishte bosi i trafikut të qënieve njerëzore nga Afrika përmes Libisë deri në Europë nuk është i shumëkërkuari. Disa prej të njohurve të tij kanë konfirmuar se policia ka arrestuar personin e gabuar. Lajmi konfirmohet për rrjetin britanik BBC. Prokurorët besojnë se 35 vjecari Mered Medhanie i njohur edhe si Gjenerali është personi kyç i trafikut të emigrantëve drejt Europës. Miqtë e tij kanë deklaruar për BBC se është ngatërruar identiteti dhe se ai është i pafajshëm. Dhe sipas miqve ai quhet Mered Tesfamariam.

“Ky është një operacion shumëkombësh dhe kompleks dhe është shumë herët për të spekuluar me këto deklarata”, ka thënë një nga zëdhënësit e agjensisë kombëtare të krimit në Britani. Ndërsa sipas BBC, autoritetet italiane ende besojnë se kanë arrestuar personin e duhur. 


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë