Formulat, ja si do llogaritet
pensioni i ish-ushtarakëve

Rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese i padisë së ish-ushtarakëve, është cilësuar nga këta të fundit si vendim i paligjshëm dhe që dëmton mijëra familje. Sipas Shoqatave të ish ushtarakëve ky vendim është në kundërshtim me statusin e ushtarakëve dhe ligjeve në vend, pasi nuk njeh të drejtën e kësaj kategoria për të rillogaritur pensionet.

 “Është një vendim i zgjatimit politik kundër ushtarakëve, ky vendim është në shkelje të Kushtetutës dhe në kundërshtim me statusin e ushtarakut. Përveç kësaj, Kushtetuesja ka marrë vendim në kundërshtim me dy vendimet e saj. Edhe e kanë mbrojtur këtë vendim, nenin 35, dhe tani dalin në kundërshtim me atë që kanë mbrojtur vetë. Kjo bie ndesh me ligjshmërinë që trajtohen ushtarakët me të drejta për sa i përket trajtimit me pension. Ushtarakëve iu mbanin 30-60 mijë lekë çdo muaj. Pas letrave e shkresave dërguar qeverisë që nuk ju përgjigj njeri, ushtarakët iu drejtuan gjykatës. Janë 4 mijë ushtarakë që kanë fituar ligjin dhe që iu është mbajtur padrejtësisht pensioni që prej 1999. Duhet të kthehen paratë, është një shkelje unike që ndodh vetëm te ne”, tha kreu i shoqatës së ushtarakëve, Aleksandër Mihaili. i pyetur se cilat janë hapat e radhës që do të ndiqen nga kjo kategori, Mihali theksoi se çështja do të kalohet në Strasburg, ku edhe aty, sipas tij, pritet të ketë zvarritje për katër vjet. “Hapat e radhës do jenë, do të kalojmë në Strasburg, por çfarë ndodh. Nëse ne do ta çojmë atje, se jemi të detyruar, do zvarritet dhe katër vjet të tjera, ku do jenë larguar nga jeta dhe disa ushtarakë të tjerë. Pra, kjo është rrugë kriminale për t’iu dhënë të drejtën ushtarakëve që kanë sakrifikuar”, shtoi ai. 4 mijë ushtarakë preken nga vendimi unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Shoqatat i janë drejtuar Gjykatës edhe 2 herë të tjera, në 2006 dhe 2009. Në të dyja rastet kërkesat janë rrëzuar.

Dy formulat dhe shembujt
Llogaritja e një pensioni suplementar të pleqërisë: PSP = PMRMN x VSH x 1%. PSP: Pensioni Suplementar i Pleqërisë. PMRMN: Paga Mesatare Referuese Mujore Neto. VSH: Vitet e Shërbimit. Masa që rezulton nga kjo formulë nuk duhet të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë. Shembull: Ushtaraku  A.B. përfiton pension pleqërie sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, i ndryshuar, me datë fillimi 15 Shtator 2017 dhe masën 26,000 lekë në muaj. Ai ka 28 vite shërbimi si ushtarak dhe pagë mesatare referuese mujore neto 53,700 lekë në muaj.

Llogaritja e pensionit suplementar të pleqërisë bëhet në këtë mënyrë: PSP = 53,700 lekë x 28 vite  x 1%  = 15,036 lekë / muaj. Por, pensioni suplementar i pleqërisë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e pensionit të pleqërisë që ushtaraku A. B. gëzon, në çastin e lindjes së të drejtës së pensionit suplementar. Ushtaraku A.B përfiton pension pleqërie në datën 15 Shtator 2017, në masën 26,000 lekë/muaj. Në këtë rast, pensioni suplementar i pleqërisë është sa 50% e pensionit të pleqërisë, pra 13,000 lekë / muaj. Pra, ish ushtaraku A.B. në datën 15 Shtator 2017 do të përfitojë pension suplementar pleqërie në masën 13,000 lekë lekë/muaj.

Shembulli i dytë
Si llogaritet pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi Llogaritja e një pensioni të parakohshëm për vjetërsi shërbimi: PPVSH = PMRMN x VSH x 1.5%. PPVSH = Pensioni i Parakohshëm për Vjetërsi Shërbimi

PMRMN = Paga Mesatare Referuese Mujore Neto. VSH =  Vitet e Shërbimit. Por, në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Ushtarakut në rezervë/lirim D.N.  i lind e drejta për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetësi shërbimi më datë 20 Maj 2017. Ai ka 22 vite në shërbim dhe paga mesatare referuese mujore neto është 44,000 lekë në muaj. Llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet në këtë mënyrë:

PPVSH = 44,000 lekë x 22 x 1.5%  = 14,520 lekë / muaj Por, në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Në rastin konkret masa e pensionit bazë më datë 20 Maj 2017 është 13,014 lekë në muaj, pra masa e llogaritur e PPVSH do të jetë 14,520 lekë në muaj. Pra, ish-ushtaraku D.N. në datën 20 Maj 2017 do të përfitojë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 14,520 lekë / muaj.

Rillogaritja si u bë
Për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe për pensionet suplementare të caktuara sipas ligjeve nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, dhe nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit", do të veprohet, si më poshtë vijon:

1. Vjetërsia në shërbim është ajo e pasqyruar në formularin tip, që administrohet në dosjen e pensionit dhe mbi bazë të së cilës është llogaritur pensioni i parakohshëm ose suplementar, sipas dispozitave të ligjeve nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, dhe nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit".

2. Paga referuese do të llogaritet në bazë të rregullave të përcaktuara. Formulari që evidenton pagën referuese mesatare, sipas viteve të shërbimit, dhe rregullat e plotësimit të tij, janë ato të përcaktuara. Formulari që evidenton kontributet e përcaktuara dhe rregullat e plotësimit janë ato të përcaktuara. 3. Procedura e rillogaritjes dhe e lëvizjes së informacionit do të jetë, si më poshtë vijon: a) Drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore, me shkresë përcjellëse dhe në rrugë postare, do t'i dërgojnë institucionit, që ka urdhëruar daljen në rezervë apo lirim të personit, listat emërore (emër, atësi, mbiemër, datëlindje) për çdo përfitues, të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe për çdo përfitues të pensionit suplementar, e që vijojnë të përfitohen edhe pas kësaj date. b) Institucionet e linjës, në bashkëpunim ndërmjet tyre, për rastet kur ushtarakët kanë kryer funksione në struktura të ndryshme, brenda 1 muaji nga data e mbërritjes me postë të listës emërore të personave, plotësojnë formularin tip të periudhës së shërbimit dhe të pagës mesatare, të cilin ia përcjellin strukturës rajonale të sigurimeve shoqërore (DRSSH) që ka iniciuar procedurën e rillogaritjes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

c) Drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore, brenda 15 ditëve nga data e mbërritjes në rrugë postare të dokumentacionit individual, përfundojnë rillogaritjen e përfitimit, llogarisin diferencat, zbatojnë procedurat ligjore të evadimit të tyre dhe njoftojnë zyrtarisht përfituesin duke dërguar edhe dokumentacionin përfundimtar për realizimin e pagesës mujore. Përfitimet e ndërprera për shkak të punësimit, vetëpunësimit dhe vetëpunësimit në bujqësi, para datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, do të jenë objekt i rillogaritjeve sipas rregullave të përcaktuara. Në rastet e një kërkese për përfitimin e pensionit të plotë të parakohshëm, pasi është ndërprerë veprimtaria ekonomike, do të zbatohen rregullat e përcaktuara. Për personat, të cilëve u ka lindur e drejta për pension për vjetërsi shërbimi, përpara datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, kohëzgjatja e periudhës së shërbimit, për efekt përfitimi, mbetet ajo e përcaktuar nga dispozitat e mëparshme.

d.c./shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Ndikimi i Trump në Shqipëri, Galdini: Presidenca e tij do u dalë shtrenjtë politikanëve tanë! SPAK do trokasë në dyert e tyre

Ndikimi i Trump në Shqipëri, Galdini: Presidenca e tij do u dalë shtrenjtë politikanëve tanë! SPAK do trokasë në dyert e tyre