Një ari 10-muajsh që mbahej në robëri në zonën e Qafë- Krrabës është sekuestruar nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit  gjatë ditës së sotme. Ariu i quajtur Tedi është kontrolluar nga veterinerë të huaj të cilët kanë bërë ekzaminimet e nevojshme dhe vaksinimin e ariut.

Pas konfiskimit ariu Tedi është dërguar në Kopshtin Zoologjik të Tiranës ku do të qëndrojë përkohësisht deri në gjetjen e një strehe jashtë vendit. Ndërkohë një person  me iniciale K.H  që mbante në robëri ariun për qëllime fitimi është çuar për ndjekje penale. 

Vetëm gjatë vitit 2016  numërohen 15 arinj të çliruar nga robëria dhe që janë transferuar apo që janë në proces transferimi në strehimore të veçanta jashtë vendit falë punës së inspektorëve të mjedisit, specialistëve të Ministrisë së Mjedisit dhe bashkëpunimit me shoqata të ndryshme mjedisore që operojnë në këtë fushë.

Transferimi i arinjve të mbajtur në robëri vjen në kuadër nismës së Ministrisë së Mjedisit për të adresuar njëherë e mirë këtë problematikë të faunës së egër në vendin tonë. 

Përveç konfiskimit dhe strehimit të arinjve të mbajtur në robëri, Ministria e Mjedisit është duke punuar edhe për realizimin e identifikimit të plotë dhe matrikullimin e të gjithë arinjve që mbahen në robëri nëpërmjet vendosjes së mikrociteve dhe një fushate ndërgjegjësuese për fenomenin e mbajtjes në robëri të arinjve në Shqipëri.

ariu

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)