SIRI - ‘I drejtova kamerën, por ajo mendoi se ishte armë dhe ngriti duart lart” ka thënë fotografi i cili ka shkrepur një foto të një fëmije 5 vjeç në Siri, e cila ka prekur shumë njerëz dhe po bën xhiron e botës. 

BBC e ka publikuar këtë foto, pasi ka mbledhur të gjitha të dhënat për vërtetësinë e saj. 

Autori i fotos sipas BBC është një shtetas Turk, Osman Sagirli, i cili për rreth 25 vjet ka punuar në një gazetë turke , ku mbulonte luftërat dhe katastrofat natyrore jashtë vendit. 

Ai ka treguar se në foto është një vajzë 4- vjeçare, e quajtur Hudea. Fotoja është bërë në kampin e refugjatëve Atmeh në Siri, dhjetorin e shkuar, kur 4-vjeçarja shkoi atje bashkë me nënën dhe dy fëmijët e tjerë. 

“Po përdorja një lente telefotoje dhe ajo mendoi se ishte armë. E kuptova se ishte e tmerruar, për shkak se kafshoi buzën dhe ngriti duart. Zakonisht, fëmijët vrapojnë për t’u larguar, fshehin fytyrën ose buzëqeshin kur shohin një kamera”, ka deklaruar Osman Sagirli autori i fotos. 

Nga fotoja duket që fëmija është trembur kur shikon kamerën, frikë e cila duket në sytë e saj dhe në mimikën e fytyrës, pasi ajo mendon se i është drejtuar tyta e një arme. 

Komentet e shumta në rrjetet sociale ku është publikuar foto-ja tregojnë se shumë njerëz janë prekur nga ajo. “Po qaj”, “pabesueshmërisht e trishtueshme”, “njerëzimi ka dështuar”, thuhet në disa komente.


Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)