Kopshti Zoologjik i kryeqytetit pret çdo ditë vizitorë në mjediset e tij çlodhëse dhe të hapura për çdo aktivitet në natyrë. Por këtë herë ZooPark ka pasur një vizitor edhe më të veçantë, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu dhe bashkëshorten e tij. Çifti amerikan së bashku me një grup nxënësish të huaj që banojnë në Tiranë, kanë vizituar ambientet e ndryshme të Kopshtit Zoologjik.
Me fletëpalosjet në duar ku jepen dhe informacione të shumta për ZooPark ambasadori Lu, bashkëshortja e tij dhe grupi i të rinjve kanë vizituar kafshët që janë në Kopshtin Zoologjik por dhe mjedise të tjera të hapësirës tërësisht të gjelbëruar të Kopshtit Zoologjik. Ambasadori amerikan ka ndjekur me kureshtje edhe lojërat apo eksperimentet në natyrë të të rinjve.
“ZooPark çdo javë pret vizita, orë mësimi, praktika e aktivitete. Së bashku me GreenLineAlbania i japim hapësirë edhe takimeve me nxënës të huaj me banim në Tiranë, shpjegojmë kuriozitete, dëgjojmë e bashkëbisedojmë për projektet”, sqaron Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e cila kujdeset për t’i dhënë ZooPark një pamje dhe një mjedis mikpritës për çdo vizitor. Ndërkohë që në këtë park ka nisur puna për përforcimin e murit rrethues si pjesë e projektit për rikualifikimin e Kopshtit Zoologjik.