Aeroplanmbajtësja "Harry S. Truman", e cilësua edhe si 'bisha' amerikane, po kryen stërvitje intensive në ujërat tona territoriale së bashku me forcat e marinës shqiptare. Ka qenë kryeministri Edi Rama i cili ka ndarë disa video nga stërvitja e përbashkët, ndërsa vetë ndodhen në bordin  e aeroplanmbajtëses "Harry S. Truman".

"Një ditë mbresëlënëse në aeroplanmbajtësen "Harry S. Truman", e cila po kryen një stërvitje intensive në ujërat tona territoriale, së bashku me forcat e marinës shqiptare", shkruan Rama.

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Harry S. Truman ka vlerën e 4.5 miliardë dollarë dhe synimi i saj është të “projektojë praninë dhe fuqinë amerikane në çdo breg”. Kjo stërvitje e përbashkët do të ndihmojë në rritjen e aftësive të marinës shqiptare dhe forcimin e  bashkëpunimit edhe më shumë të SHBA dhe Shqipërisë.

Për rritjen e këtij partneriteti dhe rritjen e stabilitetit në rajon, Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale në Europë (SOCEUR) do të ngrejë një shtab të saj pararojë në Shqipëri. Vendosja e selisë së saj në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me Forcat tona në Armatosura dhe do të krijojë një qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.

Kjo bazë do të jetë e dyta e rëndësishme e forcave aleate në tokën shqiptare. Në janar të 2022 do të nisë ndërtimi i bazës ajrore të Kuçovës. Aleanca e Atlantikut të Veriut do të ketë kështu bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.

1642184322_2719192334782337369946758491655828146789849n.jpg

Baza e aeroplanmbajtëses "Harry S. Truman"

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:10
'Amerikën e kam shtëpi, Shqipërinë e kam atdhe', Rama ndan foton me të riun shqiptar që shërben në aeroplanmbajtësen amerikane

Në bordin e aeroplanmbajtësen amerikane, e cila po kryen stërvitje intensive në ujërat tona territoriale, kryeministri Edi Rama ka takuar Albin, një durrsak të lindur në Florida, i cili shërben në këtë aeroplanmbajtëse. Rama ka ndarë në 'Facebook' një foto nga takimi me të riun shqiptar.

"Me Albin, durrsakun e lindur në Florida, që shërben në aeroplanmbajtësen 'Harry S. Truman', i cili thotë, 'Amerikën e kam shtëpi, Shqipërinë e kam atdhe'", shkruan Rama.