Franca dhe Gjermania po propozojnë një qasje të re për zgjerimin e Bashkimit Europian, me synimin për t'u dhënë vendeve kandidate më shumë përfitime konkrete përpara se të bëhen anëtare me të drejta të plota.

Propozimi është përfshirë në një dokument të përbashkët franko-gjerman, i cili po qarkullon mes vendeve anëtare të BE-së përpara një samiti të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas planit të cilit i referohet Politico, vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian mund të fitojnë gradualisht akses në disa prej përfitimeve kryesore të unionit, edhe pa u bërë ende anëtare të plota.

Mes masave të propozuara janë pjesëmarrja si vëzhgues në takime të rëndësishme europiane, akses më i madh në programe të BE-së dhe, në faza të caktuara të negociatave, hyrja në tregun e përbashkët europian.

Qëllimi, sipas dokumentit, është që vendet kandidate të afrohen realisht me Bashkimin Europian gjatë procesit të negociatave dhe të kenë më shumë motivim për të vazhduar reformat.

Propozimi vjen në një moment kur pakënaqësia po rritet në Ballkanin Perëndimor për shkak të ritmit të ngadaltë të procesit të zgjerimit.

Në veçanti, Maqedonia e Veriut pret prej më shumë se dy dekadash për të avancuar drejt anëtarësimit, ndërsa vendet e tjera të rajonit vazhdojnë të përballen me pengesa të ndryshme politike dhe institucionale.

Ndërkohë, vëmendja e Bashkimit Europian ndaj Ukrainës ka shtuar shqetësimet në Ballkan.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar vazhdimisht se Ukraina e ka vendin në Bashkimin Europian dhe ka folur për mundësinë që unioni të arrijë në rreth 30 vende anëtare deri në fund të kësaj dekade.

Këtë javë, Ukraina dhe Moldavia morën një sinjal pozitiv për procesin e tyre të anëtarësimit, pasi kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, deklaroi se Budapesti nuk do të bllokojë hapjen e kapitullit të parë të negociatave për Kievin.

Ky zhvillim ka shtuar pakënaqësitë në Ballkanin Perëndimor, ku zyrtarët argumentojnë se për Ukrainën po krijohen mekanizma dhe përjashtime të veçanta, ndërsa vendet e rajonit vazhdojnë të presin pa një afat të qartë për anëtarësimin.

Aktualisht, Mali i Zi konsiderohet vendi më afër anëtarësimit, me negociatat në fazën përfundimtare. Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian deri në vitin 2030.

Serbia ka hapur 22 nga 35 kapitujt negociues, por ka mbyllur vetëm dy prej tyre. Maqedonia e Veriut vazhdon të presë nisjen zyrtare të negociatave për shkak të mosmarrëveshjeve me Bullgarinë.

Kosova aplikoi për anëtarësim në vitin 2022, por ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat, pasi nuk njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe për shkak të tensioneve të vazhdueshme me Serbinë.

Një nga elementët kryesorë të planit franko-gjerman është thjeshtimi i procesit të zgjerimit, i cili prej vitesh kritikohet si tepër burokratik dhe i ngadaltë.

Dokumenti propozon që Komisioni Europian të ketë më shumë kompetenca në hapjen e kapitujve negociues, ndërsa vendet anëtare të fokusohen më shumë te rezultatet konkrete të reformave që zbatohen nga vendet kandidate.

Sot, çdo hap i rëndësishëm në negociata kërkon miratimin unanim të të gjitha vendeve anëtare, një procedurë që shpesh ka sjellë bllokime politike.

Përveç pjesëmarrjes si vëzhgues në institucionet europiane, propozimi parashikon edhe akses më të madh në programet Horizon dhe Erasmus, integrim gradual në fushën e mbrojtjes dhe, në një fazë më të avancuar të negociatave, akses të plotë në tregun e përbashkët europian.

Sipas diplomatëve europianë, qëllimi i planit është t'i japë procesit të zgjerimit një dinamikë të re dhe t'u ofrojë vendeve kandidate përfitime të prekshme përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.