Franca emëron kryeministrin më të ri në historinë e saj, Gabriell Attal vetëm 34 vjeç

Franca emëron kryeministrin më të ri në historinë e saj, Gabriell Attal vetëm 34 vjeç

Gabriel Atal

Presidenti Emmanuel Macron emëroi ish-ministrin 34-vjeçar të Arsimit, Gabriel Attal si kryeministër të ri të Francës, njoftoi sot Pallati Élysée.

Emërimi i tij erdhi pak orë pasi të hënën në mbrëmje  (8 janar) kryeministrja franceze Elisabeth Borne tha dorëheqjen pas tensioneve që zgjasnin prej ditësh dhe manovrimeve të shumta politike në prapaskenë

Gabriel Attal  hyn në histori si drejtuesi i qeverisë me moshë më të re në vend, pasi është vetëm 34 vjeç.   

Dorëheqja e Borne 
Elizabeth Borne drejtoi qeverinë franceze që nga mesi i majit 2022, ndërsa dorëheqja e saj lidhet me debatet e forta politike mbi një ligj të diskutueshëm migracioni që synon të shtrëngojë kontrollet shtetërore mbi të dhe të përmirësojë integrimin. Ligji i miratuar muajin e kaluar shkaktoi polemika brenda partisë së presidentit Macron, me 20 vota kundër dhe 17 abstenime.

Në shenjë proteste ndaj ligjit ministri i Shëndetësisë, Aurélien Rousseau dha dorëheqjen dhe po ashtu anëtarë të tjerë të kabinetit të krahut të majtë kishin menduar të largoheshin nga qeveria.

Macron përmes një postimi në X falenderoi Borne për shërbimin, guximin dhe përkushtimin ndaj kombit. Qeveria në largim është gjendur në një situatë të vështirë, duke mos pasur më një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare në 18 muajt e fundit. Për shumë prej vendimeve dhe projekteve të saj qeveria e Elisabeth Borne ka qenë e varur nga votat e opozitës. Si kryeministre, Borne u përpoq pa u lodhur të gjente kompromise. Megjithatë, qeveria nuk gjeti një partner të besueshëm në parlament. Projekti thelbësor i reformës së pensioneve të Macronit u shty përfundimisht nga qeveria pa një votim përfundimtar në Asamblenë Kombëtare.

Emërimi i Attal

Për Macron, emërimi i Attal dhe riorganizimi i kabinetit ka të bëjë me ecjen përpara. Që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, kampi i tij nuk ka më një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare dhe mbështetet në votat e opozitës. Prandaj Macron shpreson të ecë përpara me qeverinë e re dhe të mbajë kampin e tij të bashkuar me synimin për t’u fokusuar tek zgjedhjet për Parlamentin Evropian që mbahen në pranverë.

Macron tashmë e shtyu reformën shumë të diskutueshme të pensioneve vitin e kaluar pa një votim përfundimtar në dhomë. Me ligjin e ri të imigracionit, qeveria bëri lëshime kaq masive për republikanët konservatorë në dhjetor, saqë ligjvënësit nga radhët e vetë qeverisë votuan kundër ligjit dhe kampi kërcënoi të shpërbëhej. Megjithatë, një shkallë minimale e stabilitetit është e rëndësishme për Macron tani, pasi ai përballet me sfida të mëdha në muajt e ardhshëm.

Nacionalistët e krahut të djathtë të Marine Le Pen po kërcënojnë të kalojnë ndjeshëm kandidatët nga kampi i tij politik në zgjedhjet evropiane në qershor.

Përveç kësaj, duhet të organizohet ngjarja kryesore e Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike në Paris në verë, ku Franca dëshiron të paraqesë anën e saj më të mirë.

Pritet që ekipi qeveritar i Attal të prezantohet në ditët në vijim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:59
Kush është Gabriel Attal? Kryeministri më i ri i Francës! 'Snajperisti i fjalës! I pari homoseksual në krye të qeverisë

Në moshën 34-vjeçare, Gabriel Attal është kryeministri më i ri në moshë në Francën moderne, duke tejkaluar edhe Laurent Fabiusin që ishte zgjedhur në moshën 37-vjeçare.

Presidenti francez, Macron zgjodhi njeriun më popullor për ta vendosur në krye të qeverisë pas dorëheqjes së Elisabeth Borne një ditë më parë. Në barometrin e dhjetorit Attal, që njihej nga francezët si zëdhënës i qeverisë u rendit politikani i parë më i pëlqyer nga populli francez.

Në pak më shumë se një dekadë Gabriel Attal arriti të katapultohej nga një zyrë e dytë në ministrinë e Shëndetësisë, së fundmi si minisër i Arsimit deri në zyrën më të lartë të shtetit atë të kryeministrit në Francë.

Një trajektore spektakolare e karrierës për tu pasur zili.

Në vitet e para të presidencës së Emmanuel Macron, Attal ishte pjesë e një grupi të rinjsh të mirë-arsimuar të zgjedhur për të këshilluar dhe mbështetur liderin po aq të ri francez.

U dallua nga grupi për shkak të gatishmërisë së tij për të folur në publik për çdo çështje për të cilat i kërkohej dhe talentit për ta shtjelluar. Aftësitë e frikshme të komunikimit dhe reputacion për të qenë në gjendje të diskutojë çështje me përfaqësues nga kampet e tjera politike duke iu përgjigjur direkt pyetjeve në parlament dhe në publik, i kanë dhënë atij pseudonimin "Snajperisti i fjalës".  Madje natyra dinamike e Attalit dhe karriera e tij u kujtojnë vëzhguesve presidentin.

Attal është djali i Yves Attal, një avokat dhe producent filmash me origjinë hebreo tuniziane, i cili vdiq në vitin 2015, dhe Marie de Couriss, e cila rrjedh nga të krishterët ortodoksë nga Odesa.U rrit në Paris me tre motrat e tij më të vogla dhe përdor emrin e plotë Gabriel Attal de Couriss.

Në vitin 2019, Attal tha për gazetën Libération: “Babai im më tha: ‘Ndoshta je ortodoks, por do të ndihesh hebre gjatë gjithë jetës tënde, kryesisht sepse do të vuash antisemitizmin për shkak të emrit tënd’, shkruan britanikja the Guardian.

Në Francë, kryeministri ka një rol vartës ndaj presidentit, i cili ka kompetenca të rëndësishme të ngjashme me ato të presidentit amerikan.

Disa ekspertë madje e quajnë sistemin francez një “monarki presidenciale”.

Presidenti përcakton linjat e përgjithshme të politikës së brendshme dhe të jashtme, të cilat kryeministri dhe qeveria i ndjekin përgjithësisht.

Për Macron, emërimi i Attal dhe riorganizimi i kabinetit ka të bëjë me ecjen përpara. 

Foto: Sondazhi që rendit Attal si politikanin më të pëlqyer

S.S/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë