Marine Le Pen ka konfirmuar se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në Francë, pavarësisht dy dënimeve për keqpërdorim të fondeve publike në Shkallën e Parë dhe në Apel.
“Jam kandidate për zgjedhjet presidenciale”, tha Le Pen në një intervistë për kanalin televiziv TF1, duke u shprehur e bindur se ankesa që do të paraqesë në Gjykatën e Kasacionit të Francës do të pezullojë automatikisht ekzekutimin e dënimit dhe do t’i mundësojë të garojë për presidencën e Francës.
Vendimi u mor pas një takimi me drejtuesit e partisë dhe ekipin ligjor. Sipas avokatëve të saj, ankimimi në Kasacion do ta lejojë të shmangë përkohësisht ekzekutimin e masave ndëshkuese, duke i hapur rrugën një kandidimi të katërt për postin e presidentes.
Në muajt e fundit, Le Pen është përballur me një periudhë të vështirë politike dhe personale, e shoqëruar nga proceset gjyqësore dhe shitja pothuajse e përfunduar e rezidencës historike familjare në Montretout, simbol i dekadave të aktivitetit politik të familjes Le Pen.
Sipas sondazheve të fundit, Le Pen mbetet favoritja kryesore e krahut të djathtë, me mbështetje që kalon 30%, çka e ka shtyrë të mos tërhiqet nga gara.
Komente







