Frashëri: Jo dorëheqje Apollon
Baçes pa kthyer thesaret në atdhe

Frashëri: Jo dorëheqje Apollon<br />Baçes pa kthyer thesaret në atdhe
Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës ka dhënë dorëheqjen dhe shprehet se “nuk kam asnjë koment për gazetën”. Nuk dëshiron të jap asnjë shpjegim për arsyet e dorëheqjes së tij. Por cilado të kenë qenë arsyet, dorëheqjen e tij nuk e ka pranuar Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, sepse sipas zëdhënëses për median ka lënë disa projekte pa përfunduar dhe duhet të mbajë përgjegjësi për dorëzimin e tyre. “Nuk bëhet fjalë për projekte 4-vjeçare, por duhet të përfundojë dhe dorëzojë këto të fundit që ka në dorë”, tha Milena Selimi për “Shqiptaraja.com”.

Gjithashtu burime nga Drejtoria e Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës konfirmojnë se “një nga projektet e lëna në mes është ekspozita e 260 thesareve të trashëgimisë, Romë-Torino-Kosovë”, që u financua nga qeveria shqiptare me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe nuk është kthyer ende në atdhe. Ekspozita e thesareve e ideuar nga ambasadori Neritan Ceka dhe e realizuar nga drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Apollon Baçe gjendet ende jashtë kufijve.

Kjo ka sjellë reagime më media nga specialistët e arkeologjisë të cilët shprehen se thesaret e trashëgimisë janë në rrezik. Drejtori Apollon Baçe nuk ka reaguar as ndaj këtyre akuzave, por thjesht është shprehur se “thesaret janë të siguruara”. Historia e thesareve mbetet ende enigmë dhe duket se drejtuesit e rinj nuk do ta lënë ta heq kaq lehtë përgjegjësinë ‘nga shpatullat’ e tij drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Specialisti i arkeologjisë, Gjergj Frashëri, i pyetur me telefon nga gazeta “Shqiptarja.com” u shpreh se vendimi i Ministres së Kulturës. Mirela Kumbaro për të mos e lejuar dorëheqjen e Apollon Baçes është një vendim i drejtë, ndërkohë që ka përmendur se moskthimi i thesareve të trashëgimisë në atdhe është një përgjegjësi e rëndë jo vetëm për drejtorin e IMK-së, por edhe për ata që e ideuan këtë ekspozitë.   
 
Profesor Gjergji, Drejtori IMK-së Apollon Baçe ka dhënë dorëheqjen dhe ministrja e Kulturës nuk ia ka pranuar, cili është mendimi juaj për këtë rast?
-Ministrja e Kulturës ka bërë shumë mirë. Punët e nisura duhet të mbyllen. Problemi është se nëse ka bërë dorëheqjen kjo nuk e largon Apollon Baçen nga përgjegjësitë. Po pse e ka bërë dorëheqjen?
 
Vetë drejtori Baçe, nuk do dëshiron të tregojë shkakun. Thotë nuk kam asnjë koment.
-Ai duhet të ketë koment, sepse ishte në detyrë shtetërore dhe me përgjegjësi të lartë dhe nuk është aq e lehtë që pasi ka pasur këto përgjegjësi në një ditë të bukur të dalë e të thotë jap dorëheqjen.
 
Pse nuk e ka këtë të drejtë?
-Sepse drejtori i një institucioni të rëndësishëm kombëtar siç është Instituti i Monumenteve Kulturore duhet të ketë gati analizën dhe të raportojë si po e lë institutin e tij. Duhen lënë gjërat të sakta në tavolinë, sepse gjatë kohës që ai ishte në drejtim kishte në dorë një pasuri të rëndësishme kombëtare. Mban përgjegjësi dhe nuk mund të largohet pa thënë arsyet dhe pa i zgjidhur problemet hapur në tavolinë. Dhe me sa di unë drejtori i IMK-së ka shumë probleme për të zgjidhur.
 
Është mes këtyre edhe çështja e ekspozitës, sepse ju keni ngritur edhe më parë këtë shqetësim?
-Sjellja e ekspozitës në atdhe është vetëm një nga problemet që ai ka për të zgjidhur në tavolinë, çështje që duhet përfunduar me sukses. Kemi dëgjuar nga ideatorët e ekspozitës Romë-Torino-Prishtinë që ka pasur sukses shumë të madh. Ideatori i saj Ceka dhe ekzekutori Apollon Baçe duhet që pas suksesit që kanë “shijuar” deri tani bashkë me qeverinë të mbajnë një përgjegjësi të madhe në rangun kombëtar për risjelljen e objekteve arkeologjike dhe të pjesëve arkitektonike, të cilat i kanë nxjerrë nga shtëpia e tyre që quhet Shqipëri dhe i kanë nxjerrë nën përgjegjësinë e tyre jashtë vendit. Ne si qytetarë të këtij vendi nuk e dimë të saktë se çfarë rruge kanë bërë këto vepra të paçmuara qe kanë dalë nga ky vend dhe si po shkon fati i tyre. Nuk e dimë se kur do të vijnë në atdhe dhe sa prej tyre nuk do të vijnë. Sa kanë humbur rrugës, sa origjinale janë apo janë kopje dhe origjinalet janë zhdukur përgjithmonë nga specialistë trafikantë.
 
Profesor, keni ndonjë sinjal për këtë të fundit?
-Problemi është teknik. Unë dyshoj si qytetar, sepse dihet që gjithçka të jetë në rregull, veprat arkeologjike duhet të vijnë në atdhe nga ata që i kanë nxjerrë jashtë. Si specialist i trashëgimisë, unë dhe kolegët e mi ato vepra duam t’i shohim me sy, sepse e dimë se çfarë ndodh në këto raste. Kjo nuk ka të bëjë me skepticizmin ndaj një njeriu, por me kthimin e pasurisë kombëtare në vendin që i takon.
 
Mendoni se Ministrja e Kulturës, zonja Kumbaro, nuk e ka lejuar të dorëhiqet pikërisht për shkak të ekspozitës së thesareve?
-Drejtori i IMK-së duhet të ketë shumë probleme të tjera, që kanë dalë edhe në media si dhënia e lejeve të paligjshme për ndërtime etj. Në rast se Ministrja e Kulturës e ka ndaluar të dorëhiqet, mendoj se ka bërë një veprim të drejtë. Ky vendim duket se ka frymë ligjore, ku do të ketë ndarje dhe lokalizim përgjegjësie dhe moral pune.

Shkrimi u publikua sot (27.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim nga Spanja për trafik droge, arrestohet i riu në Shkodër

Në kërkim nga Spanja për trafik droge, arrestohet i riu në Shkodër