Frederik Rreshpja, s'e donte poezinë
Poeti i pazakontë, që vdiq në vetmi!

Frederik Rreshpja, s'e donte poezinë<br />Poeti i pazakontë, që vdiq në vetmi!
“Festivali i Artit të Ndaluar 2”, nata e parë/ Dësgmitë mbi jetën dhe krijimtarinë e poetit Frederik Rreshpja nga Petrit Palushi, Shpëtim Kelmendi dhe Behar Gjoka... “Ai nuk e ndiqte poezinë, poezia e ndiqte atë...”
 
Edicioni i dytë i Festivali i Artit të Ndaluar mbajtur në Bunk’Art në mes të dhjetorit të vitit që sapo lamë pas, shënoi katër mbrëmje të veçanta kushtuar letërsisë, pikturës, muzikës dhe dramës, katër fushave të krijimtarisë artistike që gjatë viteve të regjimit komunist u përballën me nj censurë të pazakontë.
Në mbrëmjen e parë, kushtuar letërsisë së ndaluar u trajtua krijimtaria dhe jeta e poetit Frederik Rreshpja. Në mbrëmjen e dytë kushtuar pikturës, u trajtua piktori Edison Gjergo, në mbrëmjen e tretë kushtuar muzikës u trajtua rasti i muzikantit Gasper Çurçia dhe në mbrëmjen e fundit kushtuar teatrit u trajtua drama “Njollat e murrme”. Katër mbrëmjet e këtij festivali u transmetuan në prag të festave në televizionin Report Tv, ndërsa në gazetën  Shqiptarja.com do të sjellim pjesët më interesante të këtyre mbrëmjeve dhe krijimtarisë së trajtuar në to. Mbrëmjet u drejtuan nga moderatori Bledi Strakosha ndërsa të ftuarit kanë sjellë dëshmi e kujtime shumë të veçanta për autorët e trajtuara gjatë katër mbrëmjeve. Sot do të sjellim pjesë të zgjedhura nga mbrëmja e parë kushtuar poetit Frederik Rreshpja.  Të ftuarit e kësaj mbrëmje ishin shkrimtari Petrit Palushi, autori i librit “Frederik Rreshpja që nuk e kuptuam kurrë” – një portret dhe një bisedë e gjatë si një testament  i fundit mbi jetën e vështirë të poetit, studiuesin e letërsisë Behar Gjoka,  dhe shkrimtari Shpëtim Kelmendi, mik i Frederik Rreshpjes që ka përgatitur gjithashtu vëllimin poetik “Vetmi” me lirika të zgjedhura të poetit, botimi i fundit për sa kohë autori ishte ende gjallë.
 
Z.Palushi si ka qenë njohja e tyre e parë me Frederik rreshpen? Kur dëgjuat për herë të parë për të? Kur u takuat për herë të parë? Ishte krijimtaria e tij që ju çoi te z. Rreshpja apo ishte personaliteti i tij?
Petrit Palushi: Me krijimtarinë e Rreshpjes jam njohur rreth viteve 1991-1992. E kam takuar dy-tri herë. Më ka pëlqyer fort letërsia e tij, sidomos dy librat e parë, njëri i botuar në vitin 1968 “Rapsodi shqiptare”, në vitin 1973 “Në këtë qytet” dhe pastaj librat e tjerë që erdhën radhazi pas vitit 1991. Në vetëdijen time ishte krijuar se qe padyshim poeti më i madh shqiptar. Nuk besoj se është superlativë. Ne duhet t’i themi gjërat drejt se ky është poeti më i shkëlqyer shqiptar. Dhe kur flasim për Rreshpjen, së pari ne duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me një poet të një letërsie estetike. Është një poet modern, brenda klasikes dhe duke avancuar më tej, do të thosha se ky është Esenini modern i letërsisë shqipe. Pastaj rrodhi që e takova Rreshpjen më 11 nëntor të vitit 2005 sepse më mori në telefon Ali Podrimja dhe Rexhep Ferri. Rreshpja kishte qenë dy-tri ditë në Prishtinë. Ata më thanë që do të vinte në Kukës, do të rrinte një natë aty dhe unë duhej të kujdesesha sepse ishte i sëmurë. Pas kësaj rrodhi ajo që rrodhi, që unë të gjitha shënimet nga bisedat i hodha në librin “Frederik Rreshpja që s’e kuptuam kurrë”.
 
Libri juaj i ri besoj se sjell shumë informacione për publikun, që ndoshta nuk ka pasur mundësi që ta njohë autorin...
Petrit Palushi: Kam zhvilluar biseda për 11 orë me atë njeri. Mua m’u duk sikur po linte testamentin e vet, në një qytet relativisht të vogël, as nuk zgjodhi Shkodrën, as Tiranën ku kishte banuar, por zgjodhi Kukësin. Kështu më shkoi mendja mua, m’u duk sikur ai po linte testamentin e vet, nga fjalët që po thoshte. E kisha parasysh poetin, kisha lexuar gjithçka prej tij, por nuk kisha parasysh një yll. Kisha ndenjur nja dy herë me të. Kishim pirë kafe te zyrat e “Euro Rilindjes” me poetin dhe kritikun Ramadan Lusiu. Më kishte rrëshqitur nga vëmendja si njeri, por pastaj rrodhi ajo që rrodhi, që dha, kumtoi, gjëra të rëndësishme, të jashtëzakonshme. Ai kishte dëshirë të fliste, por unë kisha dëshirë ta dëgjoja. I kam ndërhyrë aty ku ishte e mundur, me takt. Është mrekulli kur barazohet njeriu me poetin. Në 11 orë bisedë me Rreshpjen unë arrita që ta përmbledh të gjithë jetën e tij.

Z. Kelmendi, ju keni botuar librin e fundit të autorit, për sa ishte gjallë. Si e kujtoni ate periudhë? Po njohja juaj e parë më të si ka qenë?
Le të themi që kam qenë një nga ata kuratorët, përzgjedhësit. Në lidhje me pyetjen që më bëtë, Fredin e kam njohur dy herë, le të themi, një herë në vitin 1992 kur ishte shumë i pasur, le të themi, drejtonte një shtypshkronjë dhe jemi takuar herë pas here. Por, mandej, përfundimisht në vitet 2003-2006 (të cilat kanë qenë vite shumë të vështira për shëndetin e tij) kam qenë përditë me të dhe kam pasrë se si është shuar dalëngadalë para syve të mi. Kam bërë shumë shkrime, shumë apel për shëndetin e tij, por, le të themi, e lanë të vdiste. Nganjëherë më duket cinike kur i dëgjoj duke e lavdëruar e duke folur për të. Fredi ishte një njeri që nuk i interesonte poezia, por poezia ishte e interesuar për Fredin. Kjo do të thotë që ka dy kategori poetësh, poetë që e duan poezinë, që janë 99,7% e poetëve dhe poetë që i do poezia, të cilët janë 0,3%. Fredi hynte te 0,3%. Ai nuk e ndiqte poezinë, por poezia e ndiqte atë. Le të themi që ishte një formë mallkimi për të. Nuk e donte poezinë. Ai thoshte shumë herë që “unë jam gazetar i madh”, por një lëvdatë mbi poezinë ishte gati ta ndërronte me një teke raki dhe të bënte bisedë tjetër. Një herë dikush e pyeti se përse nuk fliste asnjëherë për poezinë por vetëm për paratë dhe Fredi i dha një përgjigje proverbiale: “Çdo njeri flet për atë gjë që i mungon”. Pra, askush nuk flet për atë që ka sepse e zotëron, por flet për hemisferën tjetër të gjërave të panjohura ose për ato që nuk i zotëron.

Z. Gjoka po njohja juaj me pozinë dhe këtë poet si ka qenë?
Do të thosha që me Rreshpjen unë nuk kam guxuar të merrem (ta studioj) dhe arsyeja është shumë e thjeshtë. Përballë një poezie që e kalon fuqinë e atyre shenjave që kanë letrat shqipe, mundet që komenti ta vrasë poezinë. Për t’u kthyer te pyetja e parë, unë kam dëgjuar shpesh si një legjendë, një poet që e kanë burgosur, si dhe një situatë të një njohjeje personale, por Fredi ndryshe nga gjithë të tjerët, ka ardhur në bazë të një rregulli metafizik: ka ardhur poezia dhe poeti ka mbërritur me vonesë, jo se deshi të vinte vonë, por sepse pati pengesa, sepse e burgosën, por poezinë nuk e vranë dot. Në fakt, ajo që tha z. Kelmendi është e jashtëzakonshme në kuptimin që e ndiqte poezia. Po ta merrje Fredin dhe ta shtrydhje, buronte poezi.  I lindur për poezi, la poezi e cila shijohet, poezi e cila çdo koment, deri në këtë moment, unë kështu e mendoj, komenti përballë magjisë së figurshmërisë, përballë magjisë së një shpirti që i thotë të gjitha dhe pastaj ikën. 
 
I dënuar fillimisht me 4 vjet e më tej, siç rezulton edhe nga materiali, ka dalë nga burgu në vitet 90-të, të themi në total rreth 15 vjet.
Petrit Palushi:  Ai thoshte që kishte bërë gjithsej 17 vjet e 3 muaj burg. Për herë të parë është dënuar kur ka qenë gjimnazist, në moshën 16-vjeçare, për agjitacion e propagandë.
 
Jam shumë kurioz të di sepse është shumë subjektive të gjykosh artin. Ato gjykimet që bënin komisionet atëherë, ishin të bazuara në një gjykim konkret në krijimtarinë e autorit apo ishin intriga të personave të cilët kishin thurur një mendësi që autori vërtet po minonte letërsinë shqiptare, gjë që duket absurde sot.
Shpëtim Kelmendi: Unë mendoj se Fredi shkoi në burg vetëm për një arsye të vetme, për një faj, ishte shumë i talentuar dhe madje më i talentuar seç duhej. Në librin e tij “Rapsodi shqiptare”, në vitin 1968, ai ngre flamurin. Absolutisht ishte poeti më i mirë që nga viti 1945 e deri atëherë. Me një leksik epik, me një sfond epik, ai arriti të bëjë një poezi lirike të jashtëzakonshme. Sfondi është epik, por poezia është lirike. Kjo është një gjë shumkë e çuditshme, që vetëm ai dinte ta bënte. Në kohën e diktaturës kishte tre lloje poetësh: poetë që kishin thyer penën, pra nuk shkruanin më si Lasgushi, për të cilin thanë se kishte humbur talentin gjë që s’është aspak e vërtetë, ai thjesht nuk donte të shkruante për komunizmin; kategoria e dytë janë poetë që shkruan dhe shkruan dobët dhe kategoria e tretë është ajo e atyre poetëve që shkruan brenda diktaturës dhe arritën ta anashkalojnë dhe shkruan gjëra të mrekullueshme. Po të lexosh një poezi të Fredit që është “Topi fushor” e shkruar në vitin 1974, ai shkruan për një top. Është një poezi lirike e jashtëzakonshme. Ai ka qenë ushtar, ka shërbyer tek ai top dhe tani e lë topin dhe i vetmi mall që ka është ky top. Ka arritur ta anashkalojë kanonin estetik të diktaturës.
 
Megjithatë, diktatura si e ka pasur qasjen ndaj autorit, si është përpjekur që ta bëjë pjesë të propagandës së saj shumëdimensionale.
Petrit Palushi: Fredi nuk bindej, ishte e pamundur. Unë kam arritur ta shoh dosjen e tij, që është dënuar në vitin 1976. Materiali aty ka të bëjë kryesisht me letërsinë. Është i njëjti hetues që është marrë me Frederik Rreshpjen, ai që ishte marrë edhe në vitin 1975 me poetin Avzi Nela, i cili është varur publikisht në Kukës, më 10 gusht 1988. Hetuesi vetëm bënte pyetje: Pse ke lexuar Fishtën? Ku e ke takuar Kuazimodon? (Kuazimodo ishte poet i shquar italian) dhe marrëzi të tjera të tilla. Regjimi nuk e donte Fredin. Atë që e tha shumë bukur Shpëtim Kelmendi, për shkak të talentit. Në qoftë se patëm një poet të jashtëzakonshëm më herët De Radën, veçanërisht me “Këngët e Milosaos”, të cilin Rreshpja e pëlqente së tepërmi, shqipërisë i lindi një poet tjetër si Rreshpja. Ne nuk ditëm ta mbajmë. Shkodra ia fali Shqipërisë, por Shqipëria nuk e mbajti dot Frederik Rreshpjen për shkak të xhelozive, për shkak të koniunkturave të ndryshme. Përfundoi Frederik Rreshpja 17 vjet e 3 muaj në burg. Është e tmerrshme. Këta gjimnazistët këtu nuk e besojnë, u duket e pabesueshme. U duket sikur ne po bëjmë biseda sureale këtu. Kështu ka ndodhur. Ne ende nuk bindemi se ka ndodhur. Përfytyro, aq vite burg në të cilat ka shkruar vetëm 10 poezi dhe u rikthye në vitin 1991 në formën më marramendëse. Edhe pas vitit 1991 lindën e dolën poetë të tjerë, por këta po shkojnë 40-50 vjeç e nuk po sjellin ndonjë libër. Ky është problemi dhe ne duhet të tregojmë të drejtën. Fredi thoshte: “Letërsia nuk është sëmundje ngjitëse”. E kam edhe në libër. E pata dëgjuar fillimisht prej Shpëtim Kelmendit. Ma tha edhe vetë atë mbrëmje. “Letërsia, - tha, - nuk është sëmundje ngjitëse. Ti je prozator, pse po rri me mua nuk mund të bëhesh poet”. Duhet t’i shikojmë gjërat ashtu siç janë. Dhe shumë mirë që këtu janë gjimnazistë, që të kuptojnë se sot po flitet për njërin nga poetët më të çuditshëm shqiptarë.
 
Ndoshta është momenti të kuptojmë pak, nese e studioni pa dyshim edhe në shkollë, keni lexuar poezi të Frederik Rreshpjes? Të marrim disa opinione të të rinjve se si e shihni ju atë periudhë që duket absurde të dënohesh për një krijimtari që padyshim të vjen e natyrshme dhe e pasforcuar. Mund të japë dikush ndonjë koment?
...(Gjimnazistët nuk reagojnë. Nuk e njohin poezinë e Rreshpjes)
 
Behar Gjoka: Nuk është fakti i nxënësve që nuk e njohin Rreshpjen, por është i hallkave të tjera të cilat duhet ta futin krijimtarinë e tij në shkolla. 
 
Së paku duhet të kishin njohuri për të.
Behar Gjoka: Rreshpja është i vetëmjaftueshëm për fjalën, është i vetëmjaftueshëm për gjithçka. A e dini që jemi e vetmja letërsi që gjysmën e letërsisë e përjashtuam. A e dini që edhe pjesën e letërsisë që ishte në atë periudhë prapë e përjashtuam. Është letërsi burgu, letërsi e ndaluar. Është shumë absurde situata. Nuk kanë faj sepse nëse atë e vranë për së gjalli, për së vdekuri shumë prej atyre mjeshtrave vriten pa mëshirë. Jemi në vendin ku është kristalizuar vrasja e gjenive dhe në këtë kuptim unë do të thosha që vetëm ka një rregull që fjalës nuk ke çfarë t’i bësh. Mund ta burgosësh autorin, mund të burgosësh një popull të tërë, por shpirtin dhe poezinë e Rreshpjes kurrsesi.
 
Si shkruante, ku i mbante letrat?
Shpëtim Kelmendi:  Fredi nuk ruante asgjë. Kam jetuar bashkë me të rreth një muaj në shtëpinë time dhe e di se si shkruante. P.sh. kërkonte tri letra të bardha. Po të kërkonte tre shkruante tre poezi, natën tjetër shkruante një, pastaj s’kërkonte fare. Pastaj kërkonte pesë letra dhe shkruante pesë poezi. Por ato që shkruante, i shkruante shumë shpejt, sikur ia diktonte dikush. Siç duket i kishte ndërtuar në kokë që më parë dhe pastaj thjesht i shkruante në letër. Pasi i shkruante i hidhte poshtë në dysheme dhe flinte gjumë. Nuk i interesonte më fare se ç’ndodhte. Unë i kam marrë dhe i kam radhitur. Shkrimin e kishte shumë të keq, shkrim të llojit dekadent sepse gjithçka tek ai ishte dekadente. Kur nuk kuptoja ndonjë fjalë dhe i kërkoja të ma lexonte, ai nuk arrinte të kuptonte më as shkrimin e vet. Pra i kishte shkëputur marrëdhëniet edhe me shkrimin e vet, merreni me mend se sa i interesonin ato që shkruante. Nuk ishte ruajtës i mirë. Nuk ruante asgjë. Ndoshta shpresonte se të tjerët do ta bënin këtë gjë.
 
Teksa flasim për krijimtarinë e tij, sa botime janë sot në tregun shqiptar?
Petrit Palushi: Dy kanë qenë para 90-ës, tre u botuan pas 90-ës dhe ky libri i fundit që u botua, përmbledhja me poezitë e Rreshpjes. Por ajo që na shqetëson ne është se nuk ka botime për nxënësit e shkollave. Absolutisht që është e trishtueshme. Është një poet në Meksikë, ndër poetët më të mëdhenj shqiptarë nga Kosova, Xhevdet Bare, por ne nuk e njohim se ne nuk njohim asgjë, i cili po përgatit përkthimin e poezive të Rreshpjes dhe thotë: “I vetmi poet që mund t’i jepet lexuesit të huaj”. Tani, meqenëse kemi edhe nxënësit këtu, ku dallon Rreshpja prej të tjerëve? E para, sepse ai kishte kundër rrymës, kundër rrjedhës. Ndryshe nga poezia me plot zhurmë e realizmit socialist, poezi shumë bërtitëse.
 
Por e vlefshme para viteve 90-të. Krijimtaria e tij vazhdoi edhe pas viteve 90-të, ku dimensioni ishte krejt tjetër.
Petrit Palushi: Rreshpja ishte poet që nga libri i parë deri tek i fundit. Nuk mund të bëjmë dallime për periudhat para dhe pas 90-ës. Ai dallohej se ishte poet i lindur. Poet nuk bëhesh. Poet bëhesh deri në moshën 30-vjeçare, pastaj lëre dhe merru me punë të tjera.
...
Shpëtim Kelmendi: Në qoftë se ka diçka që duhet theksuar te Fredi është fakti se, si te çdo njeri tjetër, stili i jetës, mënyra e të jetuarit sigurisht që ndikon dhe në cilësinë poetike. Ai ka jetuar si një bohem dhe poezitë e tij janë poezi prej bohemi. Ai ka qenë i vetmuar dhe poezitë e tij janë poezi vetmie. Ai ka qenë nostalgjik për fëmijërinë dhe poezitë e tij janë poezi për fëmijërinë. Është rast unikal ku shkrihet stili i jetës me cilësinë poetike. P.sh. të veçantë fare e bën fakti se çdo poezi që shkruan Fredi, duke qenë se ka shumë sëmundje në trup, për të është e fundit, pastaj ai mund të shkruajë edhe 30 të tjera, por secila prej tyre është e fundit dhe imagjinoni pak sikur të kemi një libër me poezi të fundit. Çdo poet, poezinë e fundit e ka madhështore. Mendoni një libër me këto poezi. Kjo e bën atë special sepse ai nuk ka kohë të shkruajë një tjetër, pavarësisht se zoti jep kohë.

rreshpja

rreshpja
 
(Vijon nesër)
 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre