Ishte 14 dhjetor 2009 kur prindërit Marsida dhe Meti u gëzuan me ardhjen në jetë të Fridis. 

Ata e mbanin në krahë, e puthnin, e përkedhelnin e kujdeseshin për të, pa ditur e kuptuar problemin e tij shëndetësor, pa ditur se ai vuante, edhe pse ishte nje bebe që s’mund të tregonte për të. 

Të qarat e shpeshta apo grindjet pa shkak që në ditët, javët e muajt e parë të jetës të tij kishin shkak një shpjegim të madh. ‘Kishim vënë re një shndritje të çuditëshme fillimisht në njërin sy” - tregojnë prindërit të cilët filluan konsultat me mjekët specialistë. Ata nuk e dinin ende se ai ishte fillimi i një lufte të madhe. 

“Fridisit i duhet të përballojë një tumor në të dy sytë e tij të vegjël”  ishte fjalia e rëndë belbezuar nga doktori. Eshtë një sëmundje shumë e rrallë (1 rast në 30.000 fëmijë të lindur). Mes dhimbjesh e lotësh, me dilemën e madhe se a do mundeshin ndonjëherë të dilnim më të fortë se sëmundja, prindërit nuk kanë rreshtur asnjëherë së përpjekuri. Rrugëtimi nisi për në Turqi. Aty iu propozua të hiqej njëri sy, me shpresë që të shpëtonte tjetri. Por më kot pasi kjo sacrificë e bërë me shumë përpjekje......nuk solli asnje sukses, përkundrazi e përkeqësoi situatën. 

Më tej, në orvatje të panumërta, ata arriten të njohin e të kontaktojnë me spitalin e Sienës në Itali, i njohur për mrekullitë e bëra. Bashkë me Fridisin e vogël 5muajsh udhëtuan për në Itali me shpresa të mëdha. Do ishte për ta një dritë në tunelin e errët momenti kur doktori në Siena i priti me fjalët: "ai nuk ka sy për të hequr, por për të kuruar". Kështu, Fridisi i vogel filloi të merrte doza medikamentesh, seanca kimioterapie që besohej se do na ndihmonin të shpëtonim sytë e tij të mrekullueshëm, jetën e tij. 

Historia e vizitave e trajtimeve vazhdon pafund edhe sot për këtë familje, me qëllimin për të plotësuar mjekimin e specializuar për këtë sëmundje kaq të pashpirt. Ndërsa dukej që gjithçka shkonte në përmirësim, në shkurt të vitit 2011 vjen një tjetër barrë e rëndë: spitali njofton se fatura e pagesës për shërbimet ishte një shumë marramendëse prej 30,000 EURO. Po ç'mund të bënin vallë dy prindërit me dy rroga modeste për ta përballuar këtë shumë? Iu desh të shisnin shtepine e çdo gjë, të përdornin burimet financiare të rrogave të tyre për të mbuluar shpenzimet. Sot ata jetojnë në një apartament të vogël me qera, ndërsa nëna e Fridsit u detyrua të lërë punën pasi duhej të ishte pandërprerje në shërbim të fëmijës. 

Por nuk mbaron me kaq. Në fund të vitit 2011 sëmundja kërkoi dhe një herë ti mundte përpjekjet e prindërve të Fridisit. Syri i majtë nga i vetmi që djali i vogël mund të shohë, rishfaqi dhe një herë një tumor të frikshëm. Djali kërkohet ti nënshtrohet ende një kurë intensive me një trajtim bashkohor që tenton hapjen e arteries kryesore në anë të kofshës. Kjo detyron që Fridis të rimarrë edhe tre cikle kimioterapie të tjera, kure e cila shoqërohej me një faturë të re prej 10,627 EURO. Prej tyre, rreth 3,000 EURO janë grumbulluar me ndihmën e dashamirëse e miqve, por pjesa tjetër për prinderit mbetet e pamundur për t'u përballuar. 

Fridis është një fëmijë i mrekullueshëm, i zgjuar deri aty sa kupton se ka diçka që i pengon sytë e tij të vegjël për të parë botën e madhe. Veç birit të tyre, prindërit s'kanë asgjë tjetër, asnjë prioritet, asnjë gëzim. Atyre nuk i ka mbetur më asgjë e bukur në jetë për të përjetuar veç shërimit të birit të tyre, për të cilin dhanë çdo gjë, shiten gjithçka, kërkuan ndihmë kudo. Ata luten që Zoti që u bëri këtë dhuratë këtë fëmijë të mrekullueshëm, të mund t'i ndihmojë që të shërohet sa më shpejt. 
Një njeri edhe me një sy mund të shohë botën që e rrethon, por sa mirë do të ishte që e gjithë bota ta shohë atë njeri me syrin e zemrës.
Kur dëgjova historinë e kësaj familje, u preka shumë. Por më shumë u preka kur u takova e pashë nga afër sakrificat dhe përpjekjet e atyre prindërve të mrekullueshëm për të bërë maksimumin për Fridisin e tyre. Duke ndarë me ju këtë histori prekëse, kisha besimin se ju do bashkoheni me mua për një kontribut (ska rëndësi sa i vogël apo i madh është) që së bashku të mundemi t'u sjellim pak paqe e pse jo edhe buzëqeshje kësaj familje.
Faleminderit që më lexuat!

*Albi Greva, jo në pozicionin e Drejtorit të Fondacionit Vodafone por personal, ka vendosur të vrapojë në Maratonën e Tiranës për të ndihmuar Fridisin e vogël në mbledhjen e fondeve

(Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com)

(Su.fu/Shqiptarja.com)