Frrok Çupi: Me kë është media? Në festën e Ilir Metës morën pjesë 105 gazetarë....

Frrok Çupi: Me kë është media? Në festën e Ilir Metës morën pjesë 105 gazetarë....

Meta dhe Berisha

A do të fitojnë të humburit këtë herë? Po shfaqen disa rrugë, sado të ngushta, se si mund të na marrë zvarrë humbja.

Rruga fillestare:

Shpesh i bëjmë kirurgjinë vetes, domethënë kombit që i përkasim, dhe zbulojmë se në momente ndriçimi ose kthesash, kemi mbajtur anën e gabuar. Nuk është vetëm kombi ynë që e bën këtë, por nga ‘dëshira për mirë’ mund të jemi kritikë më shumë ndaj vetes.

Vëzhguesit e kujdesshëm po thonë se bash në kohën kur kombi ynë po instalohet në radhimin drejt Perëndimit, një grupim i madh politik i vendit (PD, etj) ka hedhur spirancat drejt Rusisë dhe ndoshta edhe Iranit; atje financohen, atje shesin shpirtin dhe mbajnë shpresë. Fqinjët tanë që ishin në atë pozitë, po luhaten për kah Perëndimi; ndërsa ne që nuk kishim punë me Kremlinin e Teheranin, po i shtrijmë dorën (!).

Pse?, thua.

Veç lëkurës sovjetike të liderit komunist të PD dhe disa komunistëve të tjerë ‘antikomunistë’, kësaj here është helmi i urrejtjes së ‘Grupimit’, urrejtje ndaj vendit të tyre. Shqipëria tani është vënë në radhën e fuqive dhe qytetërimit të përparuar, si e barabartë. Mes këtyre dhe atdheut po ndodh si në natën me hënë të plotë: Natën me dritë banditët nuk dalin në gjuetinë e tyre. Këta mendojnë se përparimi i kombit hedh dritë mbi korrupsionin e tyre, mbi qeverisjen e tyre të shkuar plot krime e shëmtim. Kjo është: ‘Ndriçimi’ i çon në urrejtje kundër vendit, urrejtja kundër vendit i çon drejt Moskës, Moska i çon kundër Uashingtonit.

Ka ndodhur edhe më parë shtegtimi ‘triumfal’ drejt katastrofës, në vitin 45, në vitin ‘’67, në vitin ‘92, në vitin ’97,  ‘98 e ‘2005. Që në shtator 1833 është shënuar botërisht përdorimi i shqiptarëve kundër rrymës së kohës në botë. Perandoria Otomane po binte; ky ishte imperativi i kohës. Një shqiptar i madh, Mehmet Aliu kishte marrë në dorë frenat e Egjiptit dhe sovranitetin e Arabisë Saudite e Sirisë. Perandoria nuk mund ta kalonte shtegun e Mehmet Aliut. Atëherë u shfaq njëfarë Rashid Pasha, shqiptar, që i doli garant Portës së Lartë: ‘Shqipëria është e imja, do të shkoj të mbledh ushtarë!’, për dobi të Sulltanit. Mblodhi 15 mijë por prapë i humbur… Shqipëria, e kujt është, e këtyre?

Këtë frikë ndjejnë njerëzit se mos fitojnë të humburit që janë po mes nesh.

2. Rruga mes Shën Pjetrit dhe Dragoit:

Do të fitojë Drejtësia e re apo Drejtësia e vjetër? Drejtësia e re është në rolin e Njeriut ose të Shën Pjetrit- sipas Gustav Moreaut. Por a do ta mundë Drejtësia e vjetër?

Drejtësia e vjetër është vetë vdekja e këtij kombi. Por është ende shumë e fortë, e vërteta kjo është; me gjithë përpjekjet e fuqive të mëdha (SHBA dhe BE) për ta mundur si përbindëshin. Kot thonë se ‘jemi mirë’; në fakt drejtësia e vjetër po merr hak, po vret shpresa e njerëz, po shemb të drejtën, po dhunon njeriun dhe shtetin. Vendi është në luftë me gjithë botën që ndodhet në rrezik; por vendi ynë ka edhe luftën e brendshme me Drejtësinë e vjetër. Nëse luftëraët iranianë hyjnë e sulmojnë në Shqipëri, nuk mund të gjendet as prokuror e as gjykatës që të lëshojë urdhër arresti. Këta blihen menjëherë nga Irani. Para pak ditësh vetë kryeministri deklaroi se shtetit ‘ia blejnë prokurorët dhe gjykatësit’. Bosët e ‘drejtësisë’ po tentojnë të blejnë edhe Amerikën e Britaninë e Madhe. Po sikur të na blejnë edhe fqinjin ku kalojmë në të njëjtën rrugicë përditë; nga do të kalojmë pastaj?

Ky është ‘Dragoi’ që vret Shën Pjetrin, sipas Gustav Moreaut.  Artisti francez i shekullit 19, piktor simbolist i solli dy figurat mitike në përleshje si mes të mirës e të keqes. A do të fitojë Dragoi kësaj here?

3. E padrejta duket se po fiton, por a do të fitojë edhe e pavërteta?

Lajmësi po na sjell më shumë lajme të rreme se të vërteta; media o nuk besohet, o shtrembëron gjithçka. Dezinformimin, bota e përparuar po e konsideron po aq të dëmshëm sa edhe armët ruse mbi Ukrainë. E drejta po sulmohet nga përbrenda. Ne nuk dimë kush është kush e çfarë është çfarë. Shpesh herë media luan si prokuror, gjykatës e inkuizitor; njeriu nuk ka shteg nga del veçse të lejojë ta shkelin edhe lajmësit e vet. Kjo është humbja jonë, ‘gia’ ka ndodhur.

As në kohët antike nuk ishte parë kështu. Zjarrvënësit në Greqinë e Lashtë dënoheshin me çmimin më të lartë: Ndalohej të përmendej emri i tyre në publik.

Zjarrvënësi i tempullit të Artemisës, Herostrati qe më i famshmi që u dënua me këtë ‘paragraf’. Në epokën dhe në vendin tonë zjarrvënësit e identifikuar dhe të vënë nën hetim i kemi në ekrane dhe në rreshta fjalësh nga mëngjesi deri në mbrëmje. Me kë është media?

Me kë?… Pyetja më çon në një lajm të vitit 2014. Festohej ditëlindja e kryetarit të Parlamentit, tanimë i vënë nën hetim nga SPAK, pasi la presidencën. ‘Në festën e kryetarit të Kuvendit morën pjesë 105 gazetarë…’, shkruan lajmi i asaj dite…

A e kemi  betejën të lëshuar para këmbëve të të humburve?…

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale