Frrok Çupi: ‘Je suis Duçe!’ Fashizmi zgjon shpresa në Tiranë

Frrok Çupi: ‘Je suis Duçe!’ Fashizmi zgjon shpresa në Tiranë

Giorgia Meloni, Berisha dhe Meta

Nga të rrallët politikanë ‘i djathtë’, që nuk ka brohoritur, madje as është ndjerë ende, për fitoren e fashizmit në Itali, është një deputet i PD. Tomor Alizotit, me siguri,  i ka ardhur në majë të hundës ‘Fashizmi’ që para se të lindte; dhe tani relaks i qetë në atë drejtim.  Fejzi Alizoti, pinjoll i asaj familjeje të madhe bejlerësh, ishte editor i gazetës ‘Fashizmi’ që botohej në Tiranë gjatë periudhës 1939-1940. Gazeta ishte organ zyrtar i Partisë Fashiste Shqiptare.

Kaq  ishte për atë kohë.

Në këtë fakt, më shumë se gjuetinë në heshtje të politikanit diplomat Alizoti, gjej pozitat ‘pop- corn’ të politikanëve të tjerë ‘të djathtë’. Ata kërcitën dhe u hodhën përpjetë sapo u dha lajmi nga Italia për kthimin e fashizmit. Në kohën e parë, kush kishte kullotur bagëtitë në bjeshkë e në lëndina, atëherë kur në Tiranë gëlonte ‘moda ala  Fashiste’, ose kur thërritej rrugëve: ‘gazeta Fashizmi!, blini gazetën Fashizmi’. Këta tani janë të etur për atë që nuk provuan  në fëmijërinë e tyre.

‘Je suis Duçe!’ (‘Unë jam Duçe!’), janë gati të thërrasin pa pikën e drojës politikanë të stërvitur në të gjitha vaskat e floririt dhe makabritetet që i shkaktuan kombit. Shkak u bë fitorja e ‘fashistes’ Giorgia Meloni në zgjedhjet parlamentare në Itali.

I pari që mori mikrofonin ishte Sali Berisha, president e kryeministër- politikani që po ta quaje ‘fashist’ gjatë dhunës së tij të egër kur ndodhej në pushtet, të digjte në turrën e druve ose të zhdukte në Kune- Vain. Dje u ngrit e tha se partia fashiste është ‘aleatja jonë’… I dyti që u pa se u gëzua ishte Ilir Meta, edhe ky president e ish ‘gjithçka’. E vetmja lidhje, por edhe kjo më shumë një sharje popullore, ishte se e quajnë ‘kokë- Duçe’ dhe ai u kthehet e shanë ‘kokë palarë!’.

Në piramidën poshtë këtyre të dyve ka me duzina politikanë të tjerë të të njëjtit lloj, të djathtë, që kur ishte Fashizmi gjallë ata fati i bëri që të enden pas shërbesave komuniste, ndërsa tani kërkojnë ‘Fashizmin e humbur’ në kohë.

Asnjëherë nuk e kapën në kohë shpirtin e tyre. Po pse po ndodh kështu me këta të gjorë?

Po ndodh, e para, që është  boshllëku i shpirtit. Ata as atëherë  as tani nuk kanë ‘ide fashiste’ në shpirt; madje as ide komuniste, as demokratike. Magari (thuhet në Shkodër), ta kishin këtë shpirt. Kur ishin komunistë, uleshin e rrihnin tokën me duar tek mallkonin Fashizmin, tani në ‘fashizëm’ mallkojnë Amerikën.

Me duar e me këmbë rrahën edhe ‘vlerat e djathta fashiste’. Kanë qenë vetë këta, personalisht, që u sulen me varè e me çekiçë dhe shembën kisha, xhami, figura, zotër, shenjtorë, gravura. Po thonë se ‘vlerat e familjes’ janë vlera të gjenezës së tyre. Vetëm në marsin e vitit 1997 i çuan drejt mbytjes 81 vetë në thellësitë e Otrantos, të gjithë familjarë, shumica gra e fëmijë. Zonja të zonja për Drejtësi i quajtën publikisht ‘lavire të bulevardit’…

Po çfarë ndodh? Ndodh që këta, në asnjë kohë nuk janë me identitetin e tyre; me një rrugë ose një moral ose një filozofi. Partia Demokratike u ngjit në pushtet e vetë deklaruar si ‘antikomuniste’. Por në fakt aty brenda vegjetuan komunistët e racës më të keqe. U vetë deklaruan në favor të të përndjekurve, por në gjirin e Partisë futën spiunët, xhahilët dhe xhelatët e diktaturës…

Pse u bënë sot me Fashizmin?

Edhe dje do të kishin qenë me atë forcë që do t’u dilte përpara në fund të rrugës. Këta tani i kanë mbyllur të gjitha rrugët, as janë antikomunistë, as janë anti- spiunë, as janë të pa korruptuar, as janë jo në hasmëri me popull. Ku të dalin tani? Për fat të mirë, një zonjë në Itali, Meloni, erdhi me një platformë çudibërëse (!). Fashizmin sot e marrin thjesht si ‘shpëtimtar’. I shpëton nga ajo çfarë janë. Ndoshta i afron me miq të rinj, armiq të paqes, që mund të jenë edhe miq të zonjës Meloni, si për shembull Putini i Rusisë.

Shpresojnë edhe se mund të prishet rendi botëror.

Ky është momenti i tyre i fundit. Gjithçka duket se japin për fuqinë e re që hyri në skenë. ‘Je suis Duçe!’.

Por vjen një pyetje dhe moment i frikshëm:

Sikur edhe zonja Meloni të mos dalë ‘fashiste e pastër’ njësoj si Duçe?…

Të dhënat japin sinjale se kështu do të jetë. Sinjali i parë se zonja Meloni çmon NATO-n, ua rrëzon shpresat ‘fashistëve të pastër’. Ish kryeministri italian Matteo Salvini nuk do të marrë pjesë në qeveri, sa kohë ka ide ekstremiste dhe ndodhet nën hetim penal për vrasjen e emigrantëve. Kryeministre e Britanisë së Madhe ka uruar zonjën Meloni për fitoren… Janë sinjalet e para këto.

Mund të ndodhë që këta të mbeten edhe pa klimën reale fashiste alias Duçe…

Se zonja Meloni është një krijesë e re, një koncept i ri politik. Si mund të ketë ajo lidhje me ‘Duçet’ realë nëpër Ballkan?!

G.MO/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen