Frrok Çupi: Këta e bëjnë mirë, e bëjnë vetë

Frrok Çupi: Këta e bëjnë mirë, e bëjnë vetë

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Më vjen t’u them të gjithëve, sikur t’i kisha përpara: ‘Po lërini, ore, ç’ keni që i trazoni, mirë e kanë!’. I shikoj njerëzit ngado që lëvizin, më të bezdisur tani pasi mbaruan zgjedhjet e 14 majit se sa para.

“Aman ore, po ça njerëz paskan qenë këta! Po këta nuk paskan të dytë! Tani thonë edhe se na i vodhën zgjedhjet…”.

Kështu mërmërisin njerëzit për këta të Berishës dhe bëjnë në fytyrë atë shenjën që tregon se ‘po na ndotin’.  Kanë plasur ‘ujërat’ në ekrane- aq më shumë në ekranet e tyre, që nga paradite e deri pas mesnate. Njëri ulërin kundër tjetrit, tjetri ulërin kundër të gjithëve atyre që u shkon mendja për dorëheqjen e Atij ( kurrë të mos e jape!), disa bëjnë si doktorë të PD dhe kanë gati recetën si shërohet e si bashkohet….

Përsërisin budallallëkun e liderëve të humbur se ‘maxhoranca uli kursin e euros’; dikush zbulon se një gazetare serbe ishte sebepi që opozita humbi zgjedhjet, dikush thotë se do ta bashkojë PD-në, një tjetër ‘pse ta bashkojmë, me ata?’…, të gjithë të çakërdisur sipas llojit…

Po lërini, ore, të bëjnë si të duan. Këta kanë të drejtën dhe mundësinë që të bëjnë si të duan.

Mua më duket se kështu është mirë: Berisha aty, edhe Meta aty…, derisa të trokasë dera. Madje kjo është më e mira e mundshme. Këta na kanë lënë rehat, po hahen me njëri- tjetrin. Hapësirë ku hahen kanë me bollëk, vila kanë, televizione kanë, SHQUP kanë, po krijojnë ‘geton’… Nëse nuk ke dëshirë të kalosh nga lagja e tyre, kurrë mos kalo.

Shijo hapësirat shqiptare që  tashmë janë mrekullisht të bukura. Po të duash, ditën e hënë, shko edhe në sheshin ‘Nënë Tereza’ dhe ndiq stërvitjen spektakolare të Ushtrisë Amerikane. Vendi ynë është kaq tërheqës për botën, e pse u dashka gozhduar në getot e opozitës së humbur.

Këta nuk i solli në mend Amerika, meqë ra fjala e stërvitjes ‘Defender’, e jomë t’ua mbajmë ne hallin. Le ta bëjnë si të duan: Ta mbledhin, ta tjerrin,  ta ç’tjerrin, ta ndajnë, ta përndajnë, ta bashkojnë, ta çajnë… Është njësoj si në marketin për të mësuar ‘skille’ që quhet Megatek. Aty e merr gjënë dhe e bën fije- fije, e merr fije- fije dhe e bën një gjë.

Një këngëtare jo e panjohur në Veri, Hane Nikprelaj quhet, këndon një këngë fiks si për këta:

“Keq e mirë/ Mirë e keq/ Ndreq e prish/ Prish e ndreq/’, thotë teksti.

Këta duhen lënë në habitatin e tyre, në grindjet e tyre, në fantazitë e tyre, në ‘ndreq e prish’-in e tyre, e bashkojnë apo e ndajnë, e ngrenë apo e ulin… Me sa shikoj edhe Amerika hoqi dorë nga pjesa ligjore e PD ku kishte shpresuar se mund të bëhet njëfarë opozite normale. Sa për Saliun dhe turmën e tij zvarritëse- Amerika dhe Perëndimi tjetër e ka bërë të qartë me kohë se ‘nuk kemi punë me ta’.

Po ne, vallë, pse duhet të kemi punë me ta?

Ka plot punë vendi ynë, Jug e Veri, Lindje e Perëndim, fëmijë e të rritur. Gjithë vendi po shkon si kurrë më mirë në historinë e një kombi që ka pësuar katastrofat e njerëzve të vet, siç janë këta të ‘megatekut’ të ditës.

Aq më tepër që  nuk nevojiten për asgjë. Veçse të bëjnë ndonjë të keqe të tmerrshme, si luftë, vrasje, korrupsion, djegien e qytetit dhe të tempullit. Por tani nuk kanë më forcë sepse populli i hodhi përtej, sidomos në këto zgjedhje. Asnjëherë nuk janë dashur për të mirë…, por këta kërkojnë shkakun ‘pse nuk na duan’.

Ata janë në botën e  tyre… të marrëzisë.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Aksident pranë fshatit Shijan, makina kthehet përmbys në një kanal gjatë rrugës! Lëndohen dy persona dhe dërgohen me urgjencë në spital

Sarandë/ Aksident pranë fshatit Shijan, makina kthehet përmbys në një kanal gjatë rrugës! Lëndohen dy persona dhe dërgohen me urgjencë në spital