Frrok Çupi: Ta çojmë Shqipërinë te Vranicki

Frrok Çupi: Ta çojmë Shqipërinë te Vranicki

Selia e PD-së

Këta e patën çuar një herë Shqipërinë në Evropë, te Franc Vranicki… e ça duan prapë? Ça duan që thërrasin rrugëve ‘Ta çojmë Shqipërinë në Evropë’! Franc Vranici ka qenë kancelar i Austrisë për 11 vjet, që nga 1986. Akoma pa çuar në shtëpi ato pak dosje personale që mbante në zyrën e kancelarit të shtetit, gjithçka ndryshoi për të në fillim të ‘97. Dikush i trokiti në derë dhe i tha se ‘po të presin shqiptarët…, ata që kanë thërritur si të çmendur se e duan Shqipërinë si gjithë Europa’.

Kjo kishte ndodhur vetëm gjashtë vjet më parë, në 1991, kur Partia Demokratike e Shqipërisë kishte tundur këmbën se e donte Shqipërinë si në Evropë. Ndërsa në 23 janar 1997, në fushën e futbollit të Lushnjës janë fotografuar djem lushnjarë demokratë duke djegur tabelat me emrin e PD dhe me parullën ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Gjithë vendi nuk donte të dëgjonte më këso falsitete. Atë ditë dy helikopterë si dy përbindësha nga qielli zbritën aty dhe lëshuan të dërguarin e Berishës, Tritan Shehu, si për t’ua hedhur  ushqim njerëzve të mashtruar e të fyer nga shteti. I dërguari i presidentit nuk gjeti ‘tokë të djegur’, siç thuhet, por gjeti një fushë të mbuluar me presh. Preshi, simboli i varfërisë,  u kthye në simbol turpërimi për të dërguarin e shtetit… Kështu po bëhej gati Shqipëria për në portën e Vranickit në Austri të Europës. ‘Tak, tak, tak!…’, dikush trokiti në portë dhe i tha kancelarit: ‘Zotëri, bëj gati valixhet se të pret Shqipëria’.

Shqipëria, në vend të Europës, kthehet te Haxhi Qamili ose te ‘dy krerët’.

Haxhi Qamili përfaqësoi kokën e dytë të qeverisë, ai i vinte kundër qeverisë së Vlorës. Kryengritja fshatare islamike në vitin 1914 u drejtua kundër orientimit evropian të kombit dhe për largimin e Princ Vidit nga Shqipëria. Në vitin 1997 u kthye fenomeni i ‘dy krerëve në pushtet. Presidenti demokrat Berisha e ndjeu erën europiane si rrezik për postin e tij dhe nxitoi të shpallet për së dyti president, përmes zjarrit të urrejtjes popullore. Kjo në 3 mars, ndërsa në 4 mars austriaku Vranicki merr emërimin si përfaqësues i Europës në Shqipëri.  “Në Shqipëri kishin shpërthyer protesta të fuqishme të armatosura dhe qeveria e presidentit Sali Berisha, shef i Partisë Demokratike, nuk e kishte më situatën në zotërim… Më 4 mars 1997, unë mora zyrtarisht mandatin si përfaqësues personal i kryetarit aktual të OSBE-së”, shkruan Franc Vranicki. Shqipëria bëhet me dy ‘qeveri’, qeverinë e zjarrit dhe qeverinë e Europës. Që atë ditë nuk ka ndalur përpjekja e palës ‘Demokratikase’ për ‘dy krerët’. Sot PD ka dy shefa në krye të saj; qëllimi është që Perëndimi të mos mund ta identifikojë cili është ai i pari e cili i dyti. Vetë opozita ‘e gjerë’ ka dy krerë, por njëri nga PD e tjetri nga LSI, të dy presin një grusht mbi Drejtësinë. Vetë presidenti i Republikës sfidon Kushtetutën dhe sajon një qeveri paralele, të dytë. Nëse në 25 prill nuk fitojnë, janë betuar se do të përsërisin ‘Lushnjën 1997’. Kështu do të shkojnë përsëri në dyer të Europës po ta marrin këta në dorë.

Ja Shqipëria që çuan këta në ‘Europë’:

1992- 97, viti i fundit… Kursimet e qytetarëve u zhytën në një skemë piramidale të praktikuar më parë nga skemat mashtruese ‘Ponzi’; njerëzit kishin nisur të vrisnin veten. Paratë e grabitura nga kompania ‘Shqiponja’ e PD dhe trafiku i armëve e naftës, hynë për tu larë në firmat piramidale. Protestat e popullit nisën të shtypen me zjarr nga qeveria. Populli i Veriut u nxit për të sulmuar Jugun; ish- rezervistët ushtarakë të diktaturës u aktivizuan nën thirrjen ‘Alarm’. Shteti ra, populli u hyri flakëve më këmbë:

Data 1 Mars 1997 e gjen Vlorën pa asnjë autoritet shtetëror. Një masakër mbi oficerët e SHIK trondit vendin. Protestuesit marrin nën kontroll bazën e Pashalimanit. Qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe ushtria me trupa, tanke e me avionë rrethon Vlorën e Tepelenën. Në 2 mars, qeveria Meksi dorëhiqet, por më kot. Parlamenti miraton si dorën e hekurt të operacionit kudër revoltave popullore, shefin e SHIK, Bashkim Gazidede. Menjëherë urdhërohet mbyllja e shkollave në mbarë vendin. Kufizohet shtypi dhe furnizimi me mallra ushqimore për popullatën.

Më 3 mars Sali Berisha rizgjidhet President i Republikës vetëm me votat e deputetëve të PD-së. Një zemërim i papërmbajtur shpërthen në Vlorë dhe në gjithë vendin.

Më 4 mars formohet në Vlorë Komiteti i Shpëtimit Publik të Vlorës i njohur thjesht si Komiteti i Shpëtimit. Po atë ditë Europa emëron të dërguarin e vet në Shqipëri, Franc Vranicki.  Ky është ditari dhe sinia si e dorëzuan këta Shqipërinë në Europë.

Pastaj, edhe një herë u bë prova ku e çojnë këta Shqipërinë:

Ngjarja e vitit 2005, në fakt nuk ishte një lajthitje, as marrëzi masive. Qeveria ra prapë në duar të Berishës, por kjo për shkak të lojërave politike të Ilir Metës, që ka fjetur tetë vjet nën hirin e zjarrit të ’97. Por a i lihet prapë në duar kasapit atdheu dhe fati njerëzor?!

Ja kjo ndodhi. Dhe pastaj ndodhi që u përsërit viti 1997. Qeveria vrau 4 protestues në oborrin e qeverisë. Ministri- autor i vitit 2011 sot tenton të marrë postin e kryeministrit. Kryetari i opozitës jetonte e leëvizte me katër snajperë mbi kokë ‘nëse lëviz një centimetër’. “Një nga snajperët e mbaja unë në dorë dhe do ta qëlloja”, deklaron kryeministri Berisha.  Atë vit qeveria doli hapur me bllok në dorë ku grabiti shuma të mëdha nga paratë publike. Disa dëshmitarë u zhdukën nga duart e dy vetëve që drejtonin qeverinë…

A e dërguan për herë të dytë Shqipërinë te Vranicki”? Prapë kërkojnë ta çojnë Shqipërinë atje ku e çuan një a dy herë më parë… Meqë këto ditë ra fjala te roli i madh i kryeministrit Bashkim Fino me Franc Vranickin…

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Vrasja e Eduart Reçit! Ky është oficeri i policisë, akuzohet se qëlloi biznesmenin e ndërtimit! Arrestohet dhe i vëllai

FOTO/ Vrasja e Eduart Reçit! Ky është oficeri i policisë, akuzohet se qëlloi biznesmenin e ndërtimit! Arrestohet dhe i vëllai