Frutat, perimet, zarzavatet, mishi, karburanti dhe të gjitha shërbimet e tjera i kushtuan më shumë qytetarëve në janar në krahasim me dhjetorin, ku çmimet u rritën të ndikuara edhe nga festat.
INSTAT raporton se në muajin e parë të vitit inflacioni rezultoi 3.7% aq sa u regjistrua edhe në muajin dhjetor. Në raport me janarin e një viti më parë çmimet rezultojnë 1.3% më të larta.
Sipas raportit në krahasim me vitin e kaluar rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 9 % pasi karburanti nga 2021 në 2022 është shtrenjtuar 7 herë.
Më pas rritja e dytë më e madhe është tek grupi i “Ushqimeve dhe pijeve joalkoolike” me 6,7 %, krahasuar me 2021. Edhe pse të gjitha produktet e shportës paraqiten më të shtrenjta në raport, rritja më e madhe është tek zarzavatet me 17%, ndjekur nga vajrat me 9.1%, më pas frutat që janë shtrenjtuar me 8.5%, buka dhe drithëra” me 6%, apo mishi i shtrenjtuar me 3,1 %.
Ndërkohë në raport me muajin dhjetor 2021, rritja më e madhe e çmimeve është tek ushqimet me 3.3%, çka dëshmon për kosto të shtuara për konsumatorët.
Pak ditë më parë guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se inflacioni gjatë gjithë 2022 do të jetë mbi 3% pasi ka disbalancë mes kërkesës dhe ofertës.
Pra kërkesa për konsum është më e lartë se prodhimi. Ndërkohë në raportin e fundit të politikës monetare ndikim në rritjen e inflacionit po jep edhe rritja ekonomike, e cila po kthehet në shifrat e para krizës.
Komente










