Në tetor të këtij viti Bashkimit Europian iu dha Çmimi Nobel për Paqen dhe sot Presidenti i Këshillit Europian, Presidenti i Komisionit Europian dhe Presidenti i Parlamentit Europian do ta marrin atë në ceremoninë e dhënies së çmimeve në Oslo.

Shumë janë gëzuar dhe e kanë vlerësuar çmimin si të merituar. Disa të tjerë e kanë parë me ironi dhënien e çmimit në këtë periudhë – një Çmim Nobel për Paqen në mes të krizës.

Në të vërtetë, politikëbërësit dhe qytetarët e BE-së po përballen me ditë të vështira. Megjithatë, të nënvlerësosh 60 vjet paqe, stabilitet dhe demokraci në rritje për shkak të së tashmes, është sipas mënyrës shqiptare të të folurit, njësoj si “të mbytesh me një pikë ujë”. Historia e Bashkimit Europian na jep ne dhe partnerëve tanë jashtë BE-së besimin se do të dalim më të fortë. Këtë e kemi bërë shumë herë dhe do ta bëjmë sërish.

Është e vështirë të përfytyrohen guximi dhe vizioni politik që frymëzuan udhëheqësit europianë të kohës për të nisur procesin e integrimit europian. Sot Europa është një kontinent i ribashkuar dhe komuniteti më i madh i integruar i demokracive në botë.

Sot Bashkimi Europian është një bashkim i lirë tregtar; një bashkim i lirisë dhe i demokracisë. Një bashkim paqeje.

Sot Bashkimi Europian është shpikja më e suksesshme në botë për çuarjen përpara të paqes.

Çmimi Nobel për Paqen të kujton fuqishëm atë çka e bën BE-në kaq të veçantë.

Dhe në të vërtetë çmimi është burim krenarie. Krenari për arritjet e jashtëzakonshme të projektit europian: një kontinent që e kishte konsumuar për shekuj veten në luftëra është bërë një kontinent i bashkuar në paqe dhe vlera demokratike dhe një ndër mbështetësit më të fortë të paqes kudo nëpër botë. Pajtim mes armiqve, tashmë të bashkuar në një përpjekje të përbashkët për ta bërë luftën mes tyre politikisht të pamundur, duke e bërë atë materialisht të pamundur.

Krenari për faktin se kjo është vërtet një arritje e përbashkët: puna jo vetëm e udhëheqësve dhe institucioneve, por edhe e brezave të tëra të europianëve nga aq shumë vende që kanë kapërcyer ndarjen dhe kanë mësuar ta njohin më mirë njëri-tjetrin dhe të punojnë së bashku.

Çmimi është një burim Përgjegjësie: një kujtesë se sigurimi dhe forcimi i Europës ashtu siç e njohim, të bashkuar në paqe dhe demokraci, është një punë e vazhdueshme dhe e përditshme që kërkon përfshirjen dhe mbështetjen e gjithë europianëve dhe atyre që aspirojnë të bëhen europianë.

Është një burim Frymëzimi. Frymëzim për të ardhmen dhe sidomos për brezat e rinj. Frymëzim për ata që besojnë se Bashkimi Europian është ende një ndër projektet më të suksesshme paqeruajtëse, duke demonstruar se pajtimi është i mundur dhe se sa e fuqishme mund të jetë marrëveshja për një fillim të ri.

Prandaj, vlerësimi është frymëzim edhe për ata që duan të bëhen anëtarë të BE-së, si shumica e shqiptarëve. Çmimi Nobel për Paqen që i jepet BE-së është një vlerësim i merituar

i vizionit dhe përpjekjeve të paepura të politikanëve dhe qytetarëve europianë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, të bazuar fort në vlera – vlera për të cilat kemi punuar fort që t’i vëmë në jetë dhe t’i përhapim – si respekti për dinjitetin dhe të drejtat njerëzore, solidariteti, liria, demokracia, barazia, shteti i së drejtës.

Duke vlerësuar suksesin në ndërtimin e paqes dhe mirëqenies, Çmimi Nobel për Paqen është një thirrje zgjimi për të gjithë ata që besojnë në projektin europian dhe momentalisht ndihen të shkurajuar. Vlerësimi që vjen me këtë çmim na kujton faktin se ëndrrat e mëdha – si paqja në një kontinent që ishte i ndarë nga lufta dhe urrejtja – bëhen realitet përmes një përkushtimi po aq të sinqertë dhe punës së vazhdueshme.

*** *** ***

Çmimi vjen edhe në një tjetër përkitje kohore mjaft me vend. Ceremonia e Çmimit Nobel do të zhvillohet në Ditën Ndërkombëtare dhe Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe vetëm dy ditë para dhënies së Çmimit Sakarov nga Parlamenti Europian. Ky është në fakt çasti i duhur për të reflektuar mbi të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike.

Respekti për të drejtat e njeriut është një gjurmë e pashlyeshme e projektit europian – e pandashme nga paqja në gjithë kuptimin e saj. Paqja është e papërfytyrueshme dhe aq më tepër e pamundur, pa respektimin e të drejtave të njeriut, pa dinjitetin njerëzor. Së bashku me zgjedhjet e lira dhe të drejta dhe shtetin ligjor, respekti për të drejtat e njeriut është një angazhim i Shqipërisë për përmbushjen e ëndrrës së saj europiane. Dhuna në familje, dhuna e bazuar te gjinia, diskriminimi mbi çdo bazë duhet të marrin një “Jo” të vendosur dhe të pa negociueshme nga institucionet dhe qytetarët shqiptarë. Pengimi i zhvillimit të personave të çdo moshe, feje, aftësie, etnie dhe orientimi seksual është në të vërtetë pengimi i zhvillimit drejt asaj udhe.

Shqiptarët janë pjesë e projektit europian. Shqiptarët e kanë shprehur pareshtur vullnetin e tyre të patundur për t’u bashkuar me BE-në, sepse edhe ata i vlerësojnë arritjet e Bashkimit Europian – në demokraci, në të drejtat e njeriut dhe në liritë themelore, në shtetin e së drejtës dhe në përparim. Është përgjegjësi historike e klasës politike shqiptare që ta vërë në jetë këtë vullnet popullor, ta bëjë atë realitet. Të tjerë në Europë dhe të tjerë në këtë rajon, si Kroacia, e kanë demonstruar tashmë se kjo mund të bëhet.

*** *** ***

Objektivi i paqes dhe i stabilitetit që kanë ndjekur për dekada të tëra udhëheqësit europianë nuk është thjesht mungesa e luftës. Ai është gjithashtu një paqe që përfshin pajtimin, bashkimin, negociatat, kompromisin dhe dialogun. Dhe asgjë nga këto nuk mund të arrihet pa e respektuar njëri-tjetrin si të barabartë.

Paqja dhe ato çka nënkupton ajo – progresi, mirëqenia, shpresa dhe drejtësia - nuk mund të arrihen veçse me dialog dhe mirëkuptim. Ky është mesazhi i Bashkimit Europian.


(Editorial i Ambasadorit Ettore Sequi me rastin e dhenies se Cmimit Nobel per Paqen per 2012 Bashkimit Evropian.)

(Redaksia online)
(sg/shqiptarja.com)