DURRËS- Thellohet edhe më shumë skandali i ish-drejtoreshës së Postës në Durrës, Elisabeta Mataj e cila ndodhet në arrest shtëpie, e dyshuar se vodhi 700 mijë euro, të destinuara për pensionet dhe ndihmën sociale.
Policia e Durrësit arrestoi këtë të hënë, bashkëshortin e saj, Fetah Mataj, pasi dyshohet se u merrte punonjëseve të Postës, 25 mijë lekë të rinj çdo muaj, në mënyrë që të mos i hiqte nga puna. Pra kjo ishte një gjobë ndaj tyre për të mbajtur vendin e punës nën presionin e burrit të drejtoreshës se do i pushonte nëse nuk i jepnin tarifën mujore.
Fetah Mataj dyshohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
E gjithë kjo veprimtari kriminale, sipas burimeve nga policia, ka qenë në dijeninë e bashkëshortes, Elisabeta Mataj, në atë kohë drejtoreshë, element ky që pritet të rëndojë edhe më shumë pozitën e saj penale. Përveç vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, asaj pritet t’i shtohet edhe dyshimi për gjobvënëie.
Arrestimi i 44-vjecarit u bë me vendim gjykate, masë sigurimi arrest në burg të dhënë në mungesë. Ai u zbulua gjatë hetimit për dosjen e postës, pasi një nga punonjëset e postës deklaroi gjatë marrjes në pyetje se Fetah Mataj, u kërkonte çdo muaj 25 mijë lekë të rinj, ose rreth 250 euro.
“Specialistët për Krimet e Rënda të DVP Durrës bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin F. M., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj shtetasit F. M. masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”, njofton Policia.
Pas skandalit me Elisabeta Matajn e cila fillimisht u arrestua më 16 korrik, por masa u ndryshua më tej nga burg në arrest shtëpie, 2 muaj më pas, bashkëshorti i saj u rrit në detyrë, duke u bërë përgjegjës për evadimin e mbetjeve urbane, në Bashkinë e Durrësit.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, djali i tyre 18-vjeçar bashkë me shokun e tij dhunuan me grushte një polic jashtë shërbimit. Të dy janë vënë nën hetim në gjendje të lirë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
-
Familje shembullore!!
Përgjigju








Komente
Komento