Qyteti i Fushë Krujës dhe zonat afër saj janë ndër më të prekurat dhe të dëmtuara nga reshjet e rëna gjatë tre ditëve.

Ka qenë lumi Zezë që ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa nga lagjet e Fushë Krujës, por sigurisht edhe zonat përreth. Por cila është gjendja pas përmbytjes? Banorët tregojnë situatën e vështirë që kanë kaluar dhe pasojat me të cilat po përballen.

Report Tv ka parë nga afër gjendjen alarmante dhe ka intervistuar disa prej banorëve të prekur.

“Situata është alarmante në të gjithë zonën e Fushë Krujës, unë këtu jam përmbytur vit për vit, më përpara nuk përmbyteshin por tani përmbyten të gjitha shtëpitë.

Shteti duhet të marri masa të na ndihmoi të marrim ndonjë kredi, aktualisht nuk kam paguar kredinë e vjetshme, mora 5 milion lekë, kamë larë një vit tani më ka ngelur edhe një tjetër. Ku të shkoj unë tani?”
thotë banori i prekur nga përmbytja.

Ndërsa një zonjë që i përket komunitetit rom tregon vështirësinë me të cilën përballet, tregon se ka tre ditë pa bukë dhe uji, bashkia i ka strehuar në një godinë tjetër por nuk kanë as veshmbathje.

“Kemi tre ditë pa ngrënë dhe pa pirë, ne na ka sjellë bashkia këtu për strehim, uji ka shkatërruar rrobat, të gjitha, nuk kam asgjë. Ku ti çoj fëmijët e mi?”shpjegon gruaja e komunitetit rom.

“Po qëndrojnë fëmijët në tavolina, ka shumë uji nuk ikim dot, rrezikojnë të ftohen,”thotë një tjetër anëtare e komunitetit rom.

“Nuk na ka ngelur asgjë, dje na sollën vetëm dy dyshek, kemi fjetur tetë veta në dy dyshek, do bëjmë çfarë të na thotë bashkia, ajo e di ku do na çojë", tregon gruaja e komunitetit rom që ka tetë anëtarë në familje.

Ndërkohë uji ka hyrë në banesa, banorët përpiqen të shpëtojnë ato pak mobilie që kanë shpëtuar nga uji dhe balta. 

“Ka marrë fund gjithçka, vetëm jemi ne dhe fëmijët, pleqtë dhe burri, gjithçka tjetër e ka marrë lumi, nuk ka mbetur asgjë, ja shtretërit i kemi nxjerrë jashtë, janë dëmtuar të gjitha,” tregon një zonjë që i është përmbytur shtëpia nga uji.

“Janë dëmtuar të gjitha pulat, derrat dhe ai pak ushqim që kisha ruajtur për bagëti. lartësia e ujit ka arritur deri në dy metro, nuk ka ardhur asnjë të na shikoj,” tregon një burrë që i janë dëmtuar bagëtitë.

Në fshatin Murqin, situata vijon dhe mbetet problematike, shumë prej banorëve janë transportuar me gomone për në vende më të sigurta, por ka ende shtëpi të përmbytura nga frika se mos vidhen ose me shpresën se uji do të largohet.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com