Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, e ka bërë kallëzimin sot pasi ka kontrolluar pasurinë e gjyqtarit Gjoni dhe bashkëshortes së tij, Elona Çaushi. Të padeklaruara nga gjyqtari Gjoni janë: 1 842 796 euro, 180 mijë dollarë dhe 53 270 000 lekë.
“Bazuar në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Gjin Gjoni, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Të denoncuara në prokurori janë edhe dy notere, Gentiana Shkodra dhe Margena Çela.
Në përfundim të verifikimeve të kryera, mbi deklaratat e interesave private të subjektit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij Elona Çaushi, dhe të dhënave të siguruara gjatë proçesit të kontrollit të plotë, u konstatuan problemet si më poshtë”, bën të ditur
SHKELJET E GJYQTARIT GJIN GJONI DHE BASHKËSHORTES SË TIJ:
1. Falsifikim i kontratës Nr.384 rep, Nr.139 kol, të dt.20.03.2007, për shitjen e 70% të kuotave të aksioneve të kapitalit të shoqërisë “ADFD” sh.p.k, të hartuar me dy vlera të ndryshme, 70.000 lekë dhe 300.000 Euro, deklarim i rremë dhe mungesë burimesh financiare për shumat e mësipërme.
2. Deklarim i rremë në lidhje me burimin e krijimit të aseteve të deklaruara për shumën 300.000 Euro, paraqitja e dokumentave të falsifikuara dhe burim jo i ligjshëm.
3. Falsifikim i kontratave të huasë të dt.17.09.2007 në shumën 160.000 Euro, me afat 5 vjet, interes 5% (kthimi deri në Prill 2012) dhe të dt.22.04.2008 në shumën 138.888 Euro, me afat 5 vjet, interes 5% (kthimi deri në Prill 2013).
4. Deklarim i rremë dhe burim financiar jo i ligjshëm për kontratat e huasë dhënë shtetasit Werner Mehlber në shumën totale 298.888 Euro (160.000 Euro + 138.888 Euro).
5. Falsifikim të deklaratave No.2604 Reg. dhe No.2605 Reg. të datës 21.05.2010 për kthimin e shumës së huasë prej 60.000 Euro + 24.012 Euro interesa dhe 30.000 Euro + 13.896 Euro interesa nga shtetasi Werner Mehlber, pra gjithsej 127.908 Euro, pasi nga sistemi TIMS i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nuk rezulton që ky shtetas të ketë qenë në territorin e Republikës së Shqipërisë në këto data.
6. Deklarim i rremë dhe burim financiar jo i ligjshëm për deklaratat për kthimin e huasë nga shtetasi Werner Mehlber në shumën totale 90.000 Euro principal (60.000 Euro + 30.000 Euro), dhe 37.908 Euro interesa (24.012 Euro + 13.896 Euro), gjithsej 127.908 Euro.
7. Deklarim i rremë në lidhje me kontratën e sipërmarrjes Nr.1416 Rep, Nr.167 Kol, dt.24.04.2012 të vilës rezidenciale në Farkë, tip “Champagne”, në shumën 700.000 Euro.
(Në foto: Vila që sipas ILDKPKI është në pronësi të gjyqtarit Gjin Gjoni)
8. Fshehje në vitin 2010 e aktivitetit si person fizik “Bar” me NIPT L01616024T, i bashkëshortes.
9. Fshehje në vitin 2012 e aktivitetit të shoqërisë “ALBCOS – Albanian Cosmetics” me NIPT L21309006C, ku shtetasja Elona Shpëtim Çaushi figuron të jetë administratore dhe ortake zotëruese e 100% të kuotave të kapitalit.
10. Fshehje në vitin 2012 e aktivitetit të shoqërisë “Prestige Group” me NIPT L21309007K, ku shtetasja Elona Shpëtim Çaushi figuron të jetë ortake zotëruese e 100% të kuotave.
11. Fshehje në vitin 2010 i aktivitetit të shoqërisë “Terra Toscana Alimantari” me NIPT L02214025H, ku subjekti dhe bashkëshortja Elona Çaushi janë ortakë me nga 50% të kuotave të kapitalit.
12. Deklarim i rremë dhe burim jo i ligjshëm i shumës prej 14.000 Euro të përfituara nga shitja e automjetit të deklaruar në pronësi të vëllait.
13. Falsifikim dokumentash dhe deklarim i rremë në lidhje me burimin e blerjes me kredi të automjetit tip Benz me vlerë 62.000 Euro në vitin 2010, pasi rezulton se në dt.20.04.2010 nga ana e subjektit i është likuiduar shoqërisë “Auto Star Albania” vlera totale e automjetit, ndërsa kontrata e kredisë me Landeslease sha. është lidhur në dt.23.04.2010, pra tre ditë më vonë.
14. Burim financiar jo i ligjshëm, i dyshimtë dhe pa dokumentacion ligjor justifikues për kontratat e blerjes të apartamentit në Tiranë me vlerë gjithsej 53.200.000 lekë, viti 2011.
15. Burim financiar jo i ligjshëm, i dyshimtë dhe pa dokumentacion ligjor justifikues për kontratat e sipërmarjes për apartamentet në Tiranë me vlerë gjithsej 176.080 Euro, viti 2008, të cilat më pas janë zgjidhur si kontrata dhe shuma 140.000 Euro është deklaruar si burim krijimi asetesh.
16. Burim financiar jo i ligjshëm, i dyshimtë dhe pa dokumentacion justifikues ligjor për apartamentin me vlerë 180.000 usd, viti 2010, i cili më pas deklarohet i shitur dhe shuma e mësipërme deklaruar si burim krijimi asetesh.
17. Burim financiar i dyshimtë për shpenzimet e padeklaruara për 109 dhe 127 hyrje–daljet nga territori i Republikës së Shqipërisë, përkatësisht i subjektit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij, shpenzime të cilat nga të dhënat paraprake dyshohet të jenë rreth 250.000 Euro.
18. Burim financiar i dyshimtë për të gjitha pasuritë e deklaruara në deklaratat e interesave private të subjektit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij Elona Çaushi.
Për arsyet e sipërpërmendura, bazuar në nenin 281 të K.Pr.Penale, ILDKPKI ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, duke kërkuar fillimin e proçedimit penal ndaj subjektit Gjin Gjoni, me funksion gjyqtar, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, bashkëshortes së tij Elona Çaushi, noteres Margena Çela, noteres Gentiana Shkodra për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë në bashkëpunim, falsifikimit të dokumentave në bashkëpunim, pastrimit të produkteve të veprës penale në bashkëpunim, dhe korrupsionit parashikuar nga nenet 257/a e 25, neni 186 e 25, neni 287 e 25, neni 319/ç të Kodit Penal.
Përsa më sipër, bazuar në nenin 15 gërma “b”, neni 17 gërma “ç” të ligjit nr.9049, datë 10.04.2003 “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe të disa Nëpunësve Publikë”, i ndryshuar, ILDKPKI do të njoftojë menjëherë Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Ministrin e Drejtësisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për shkeljet e konstatuara.
Inspektori I Përgjithshëm ka urdhëruar nisjen e hetimit të brendshëm administrative për të nxjerrë shkaqet dhe përgjegjësitë që kanë bërë të mundur, që një çështje e tillë me prova të qarta të ardhura nga institucionet shtetërore, të mos ndjekë rrugën ligjore, por të mbyllet si e rregullt, pa probleme dhe në përputhje me ligjin.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)