Fundi i gardheve që bllokojnë hyrjen në plazhe dhe ndalimi i ndërtimeve gjatë sezonit turistik janë dy nga ndryshimet që do të shqyrtohen nesër në seancën plenare të Kuvendit, në kuadër të ndryshimeve në ligjin “Për Turizmin”.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili tha se projektligji parashikon ndalimin e proceseve të ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat turistike dhe pranë strukturave akomoduese, me synimin për t'u dhënë fund zhurmave dhe punimeve që shqetësojnë pushuesit.
“Synimi është që të ndalen zhurmat e makinerive të betonit dhe çdo proces tjetër ndërtimi gjatë sezonit turistik. Aty ku bashkitë nuk arritën ta zgjidhnin këtë problem me vendimet e tyre, tani do ta zgjidhim me ligj”, u shpreh Balla.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me garantimin e aksesit të lirë në plazhe. Sipas projektligjit, çdo subjekt që administron një stacion plazhi do të ketë detyrimin të garantojë kalimin e lirë dhe të pandërprerë të qytetarëve drejt bregut të detit, si edhe lëvizjen përgjatë vijës bregdetare dhe ndërmjet hapësirave publike të plazhit.
Projektligji ndalon vendosjen e gardheve, mureve, barrierave apo çdo pengese tjetër fizike, të përhershme ose të përkohshme, që kufizon ose pengon aksesin e qytetarëve në plazh.
Balla tha se me këto ndryshime synohet t'i jepet fund praktikës së bllokimit të hyrjeve në plazhe me gardhe apo barriera, duke garantuar të drejtën e çdo qytetari për akses të lirë në bregdet.
Komente











