Fund përplasjes farmacistë-qeveri
"Ilaçet stok do shiten pa TVSH"

TIRANE - Merr fund situata kaotike e krijuar në farmaci sa i përket heqjes apo jo të TVSH-së së barnave, për medikamentet të cilët kanë qenë stok. Duke nisur nga sot, të gjitha farmacitë do të shesin barna pa TVSH, pavarësisht se pulla e barit e parashikon atë, ndërkohë që subjektet farmaceutike do të rimbursohen. Kjo gjë është konfirmuar nga Ministria e Financave, me anë të një njoftimi zyrtar për shtyp.

Përplasja
Heqja e TVSH-së për ilaçet që nga data 1 prill ka krijuar konfuzion dhe kaos tek farmacitë, pasi nga njëra anë pacientët kërkojnë t'u shiten medikamente 10 % më lirë, dhe nga ana tjetër farmacistët janë të paqartë se si do të bëhet rimbursimi. Kjo, për pasojë ka sjellë edhe mosmarrëveshje mes ministrive përgjegjëse dhe farmacistëve. Sipas këtyre të fundit, urdhri i datës 17 mars 2014, me numër protokolli 6/1, dhe botuar në Fletoren Zyrtare nr 32, thekson se “barnat e importuara dhe të prodhuara në vend, të pajisura me pullën e kontrollit me çmimin me TVSH 10%, me qëllim për t’u tregtuar (shitur) që rezultojnë gjendje në subjektet farmaceutike deri në datën 1 prill 2014, do të aplikohet TVSH-ja në shitje siç rezulton e shënuar në pullë”. Ndërkohë që parashikohet që duhet të deklarojnë stokun e tyre tek zyrat e tatimeve deri në datën 31 mars 2014.

Deklarata
Edhe pse vendimi i qeverisë për të hequr TVSH-në 10 për qind nga barnat ka hyrë tashmë në fuqi, pjesa më e madhe e farmacive në kryeqytet i kanë shitur barnat sipas çmimit që ato kanë të shënuar në pullë, pa bërë uljen e 10 përqindëshit. Ndërkohë problematikë tjetër e hasur është se nga 1 prilli e deri më sot në të gjitha farmacitë e vendit ka pasur probleme me furnizimin me barna, pasi shumë farmacistë nuk kanë pranuar të marrin medikamentet me TVSH. Duke marrë shkas nga ky hendek i krijuar, Diana Toma, Presidente i Urdhrit të Farmacistëve ka bërë me dije se situata paraqitet ende e paqartë. “TVSH është një proces, dhe ka fillimin, maturimin dhe eliminimin. Pra, barnat nuk do jenë me TVSH që nga data 1 prill, dhe kjo situatë kalon nga e bardha në të zezë. Të zhvishet bari nga TVSH është i kundërligjshëm nga farmacisti. Në momentin që nuk çlirohet stoku ka humbje. Farmacia duhet të zbatojë çmimin në pullë”, ka theksuar Toma.

Njoftimi
Menjëherë pas deklaratës së dhënë në media nga Urdhri i Farmacistëve, ka reaguar Ministria e Financave ku me anë të një njoftimi zyrtar, thekson se do të aplikohet TVSH zero për qind në shitje, pavarsisht nga masa e TVSH-së që është e shënuar në pullë. “Duke filluar nga data 1 prill 2014, të gjitha barnat e importuara dhe prodhuara në vend, të pajisura me pullën e kontrollit me çmimin me TVSH 10%, me qëllim për t’u tregtuar (shitur) që rezultojnë gjendje në subjekte farmaceutike deri më datë 31 mars 2014, do të aplikohet TVSH zero për qind në shitje, pavarsisht nga masa e TVSH-së që është e shënuar në pullë” thuhet në njoftimin e financave.

Ndërkohë që thuhet se deklarimi i stoqeve do të kryhet deri në datën 20 prill pranë tatimeve. Menjëherë pas njoftimit të financave, Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, në një prononcim për “Shqiptarja.com” ka pohuar se “Ministria e Financave, me njoftimin e nxjerrë së fundmi mbi TVSH-në e barnave ka korrigjuar veten”. Ndërkohë që mbas këtij vendimi duke nisur nga dita e sotme barnat do të shiten pa TVSH.

Shkrimi u publikua sot (2.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 24 Janar, 09:42

    Sa i drejtë do të jetë procesi i primareve në PD?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Edukatorja dhunoi 3-vjeçarin, në hetim bashkëshorti i saj pasi kërcënoi babanë e të miturit

Tiranë/ Edukatorja dhunoi 3-vjeçarin, në hetim bashkëshorti i saj pasi kërcënoi babanë e të miturit