Në fakt që në fillimet e tij, Ballkanin e Hapur, unë e kam konsideruar si mjet shantazhi nga Rama kundrejt BE, duke i kërcënuar këto të fundit, se ai kishte të gjitha mundësitë të krijonte struktura ose forma paralele që do të ishin jashtë kontrollit të përfaqësuesve të Bashkimit Europian e pse jo, nëse ky i fundit nuk do të reflektonte për integrimin e plotë të Rajonit do të përballej edhe me rezistencë e me forma kundërshtuese.

Në, fakt tre vendet që ishin bërë nismëtarë, Serbia, Maqedonia e Veriut e Shqipëria, kishin një sëri arsyesh për të përdorur Ballkanin e Hapur e për ta bërë të mundur këtë nismë. Të tre këto vende, për shkak të dështimeve të qeverisjes, kishin thuajse të pamundur të avanconin me meritë në procesin e anëtarësimit në BE! Shqipëria e Serbia, sidomos si vende me forcë të qartë autoritare e me pushtet të fortë, nuk kishin nevojë të pyesnin opinion publik, të merrnin leje nga ai ose të kishin mbështetjen e Opozitës për një nisëm të tillë. Ata e nisën dhe e mbyllën këtë nisëm pa pyetur thuajse askënd, me nisëm personale e pa pasur mbështetje të askujt.

Ballkani i Hapur, nuk u kthye asnjëherë një proces i gjerë e i mbështetur nga faktorët e këtyre vendeve, por u simbolizua dhe u zhvillua vetëm mes tre liderve, sidomos mes Vuçiç dhe Ramës, duke e bërë akoma më pak transparent këtë proces e po ashtu duke rritur akoma më shumë bindjen se ky proces ishte vetëm në shërbim të liderëve të vendeve nismëtare e jo në fakt një proces i mirë studiuar me profesionalizëm diplomatik. Shpesh, për shkak se kjo nismë ishte e personalizuar vetëm mes Vuçiç dhe Rama,  u konceptua nga faktori shqiptar ose nga shqiptarët si një akt tradhtie nga Rama ndaj interesave të shqiptarëve në Rajon. Këtij procesi ju bashkua edhe Abazoviç e ndërsa nuk u bo pjesë e tij asnjëherë Kurti.

Kush ishte karakteristika e vendeve që themeluan Ballkanin e Hapur dhe ju bashkuan kësaj nisme. Vende që kishin lider me pushtet të fortë e me keq qeverisje si Rama dhe Vuçiç dhe vende që kishin pushtet të dobët e përçarje të brendshme edhe me natyrë etnike si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Në thelb këto vende të përbashkët kishin demokraci të brishtë e pushtet me orientim autoritar. Ndërsa, Kurti nuk kishte asnjë nga këto probleme, por problemin kryesor e kishte se s'mund të bëhej pjesë në një nisëm ku Serbia si vend nismëtar nuk e njihte pavarësinë.

Në analizat e mia kam theksuar se Ballkani i Hapur do të mbetej gjithmonë një nisëm në nivelin e retorikës politike e nuk do të kthehej asnjëherë në një projekt të ngjashëm me BE, sepse nuk kishin as vullnetin e as mundësitë njerëzore për të hartuar e për ta kthyer nismën në një Traktat të mirëfilltë. Europës i është dashur thuajse 50 vjet përpjekje, marrëveshje, traktate e vullnet derisa të bëhej ajo që sot e njohim Bashkimi Europian.

Ballkani i Hapur në fakt nuk mund të zgjidhte asgjë në Ballkan. Ai nuk zgjidhi dot as krizën e fundit mes  Kosovës dhe Serbisë. Ramen nuk e pyetën as si vend anëtar të Natos e as si nismëtar të Ballkanit të Hapur. Rama në këtë histori, pas krizës së fundit mes Serbisë dhe Kosovës, pas qëndrimeve të tij sidomos kundrejt Kurtit rrezikon të perceptohet si tradhtarë dhe pa pasur forcë për të prodhuar asgjë. Prandaj, Rama vendosi ta quaj nisëm të përfunduar Ballkanin e Hapur.