Franck Ribery ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur. Në Itali bëjnë me dije se 39 vjeçari ka vendosur të thotë "stop" pas dëmtimit të pësuar në fundin e sezonit të shkuar. Francezi luajti me Salernitanën në Serie A, ndërsa vijon të jetë aktualisht pjesë e skuadrës. Largimi pritet të konfirmohet zyrtarisht, me bashkëlojtarët që e kanë pritur me duartrokitje sulmuesin anësor në stërvitjen e sotme.
Duket se francezi ka gjetur akordin me klubin e Serie A që të jetë në stafin teknik të skuadrës, duke mos përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të marrë postin kryesor, atë të trajnerit. Me kontratë deri në verën e 2023, Ribery duket se do jetë përjetësisht i lidhur me futbollin.
I dalë nga moshat e Boulogne, Ribery spikati te Olympique Marseille, për të kaluar në 2007 te Bayern Munich në Gjermani. 12 vite qëndroi sulmuesi në Bavari, aty ku fitoi çdo gjë të mundshme. Peng për sulmuesin mund të jetë trofeu i munguar i Topit të Artë në vitin 2014, me lojtarin që shkëlqeu atë sezon.