TIRANE- Problemet ligjore që ka sjellë udhëzimi i datës 5 mars 2014 që vendos kushte të reja të funksionimit të përmbarimit privat, ka detyruar Shoqatën e Bankave në vend dhe Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, të organizojnë shumë shpejt një takim me ministrin e Drejtësisë Nasip Naço dhe ministrin e Financave Shkëlqim Cani. Qëllimi i këtij takimi me dy ministrat është diskutimi për ndryshimin e këtij udhëzimi, që në shumë pak ditë ka krijuar një handikap të madh të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të përmbarimit privat.

Udhëzimi i firmosur nga Naço dhe Cani ka futur në një spirale problemesh përmbarimin privat dhe sistemin e bankave. Për të kryer rregullimet e nevojshme dhe ndryshimin e këtij udhëzimi, shoqata e bankave dhe dhoma e përmbaruesve shqiptarë, ka ngritur grupet e punës, me qëllim përpilimin me propozimeve se në çfarë pike duhet të ndryshojë udhëzimi i datës 5 mars i këtij viti.

Kontradiktat
Udhëzimi i ri cilësohet si kontradiktor nga bankat dhe përmbaruesit. Sipas përmbaruesve udhëzimi le shumë boshllëqe dhe nuk është i qartë me dispozitat ligjore, pasi në disa raste detyrimet ja faturon ose debitorëve ose kreditorëve. Problem tjetër është dhe pagesa fillestare, ku në një pikë autorizon përmbarimin të ndërmarrë veprime pa kryerjen e pagesës fillestare dhe në një pikë tjetër, nënvizon që përmbarimi të mos kryejë asnjë veprim për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Ndërkohë ajo që bie më tepër në sy është dhe një pikë e udhëzimit ku flitet për dokumentacionin e kënaqshëm për kreditorin, që të justifikojë pagesën në përputhje me kushtet në kontratën midis palëve. Sipas përmbaruesve, në këtë pikë flitet për një dokumentacion të kënaqshëm, por nuk përcaktohet një gjë e tillë as në udhëzim as dhe në Kodin e Procedurës Civile.

Çelësat e tokës!
Një tjetër pikë që shfaq mjaft probleme është dhe ajo e dorëzimit dhe lirimit. Sipas udhëzimit të ri, përmbaruesit privatë për ekzekutimin në të tilla raste duhet të përdorin dorëzimin e çelësave në dorë. Ndërkohë përbaruesit, shprehen se në rastet e kthimit të sipërfaqes tokësore, çfarë çelësash duhet të dorëzojnë, kur sipërfaqen njihen vetëm me çertifikatë pronësie apo dhe kartelat e pasurisë.

Shkrimi u publikua sot (22.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)